E Diel, 1 Nëntor 2026

Arben Malaj: PS të votojë ligjet me 3/5, Shqipëria ka një shans në dhjetor

14-11-2011 / Gazeta 55

Statusi kandidat, reagon deputeti socialist

Deputeti Arben Malaj dhe njëherazi anëtari i kryesisë së kësaj force politike, Arben Malaj, u shpreh dje se Shqipëria ka ende shpresë të marrë statusin e vendit kandidat, gjatë mbledhjes së Këshillit të Ministrave të BE, në dhjetor të këtij viti. Nisur nga ky fakt, gjatë një deklarate për mediat, deputeti socialist i bëri thirrje lidershipit të PS, Edi Rama, të lejojë deputetët e opozitës, të votojnë ligjet me 3/5, ndër to dhe 12 rekomandimet e Bashkimit Evropian. Deputeti socialist vlerëson se BE i ka bërë një ofertë konkrete Shqipërisë, nisur edhe nga risku i zhvillimeve politike, për të akorduar statusin e vendit kandidat në BE brenda këtij viti. “Oferta që BE i ka bërë Shqipërisë për një rivlerësim në takimin e dhjetorit 2011, duhet parë si një mundësi jo e zakonshme që mban parasysh ndoshta edhe riskun e zhvillimeve politike gjatë dy viteve të ardhshme. Ne duhet të bashkojmë të gjitha kapacitetet tona, t’i përgjigjemi detyrimeve që rrjedhin nga marrëveshja e integrimit me Bashkimin Evropian”, u shpreh Malaj.
Deputeti socialist thotë se PS duhet të lerë pas ngërçin politik dhe të fokusohet në reformat politike.
“Ngërçet politike duhet të zëvendësohen me bashkëpunimet për prioritetet e vendit, duke filluar nga reformat politike dhe sfidat e ekonomisë dhe financave publike. Shqipëria rrezikon nëse Partia Socialiste do refuzojë të jetë një parti e cila s’bashkëpunon në Kuvend. Dyert e Europës së bashkuar janë të hapura për vendet e Ballkanit. Vonesat tona për shkak të dështimeve tona nuk duhet të fshihen dot. Vetëm dy vitet e fundit, kur Shqipëria ka ngelur në klasë për të fituar statusin e vendit kandidat, kanë bërë hapa përpara Mali i Zi, Serbia, Maqedonia dhe Kroacia”.
Malaj theksoj se “integrimi europian është rruga më e mirë për vendet e Ballkanit Perëndimor për të konsoliduar paqen dhe zhvillimin në rajon”.
Lidhur me përfitimet dhe kostot e integrimit, Malaj qartësoi se anëtarësimi në BE nuk është formula magjike e zgjidhjes së sfidave tona politike, ekonomike dhe sociale.
“Ne duhet të ndërmarrim reforma të plota strukturore për të rritur dhe konsoliduar përfitimet nga integrimi. Rasti i Greqisë, Irlandës, Portugalisë dhe Spanjës, vërtetoj se paratë e lira të BE-së, kanë spostuar reformat e domosdoshme dhe kanë ndihmuar mbijetimin e qeverive të ndryshme të bazuara në populizmin e tyre”.
Lidhur me të ardhmen e BE-së, Malaj iu referua themeluesve të saj dhe liderëve aktual europian, se përballë krizave globale ne kemi nevojë për më shumë dhe jo për më pak Europë. Churchill në 1946 dhe Joschka Fischer në 2011, qartësojnë se projekti politik i Europës së Bashkuar duhet të jetë krijimi i Shteteve të Bashkuara të Europës.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›