Pukë, zhbllokohet nga bora furgoni me pasagjerë
Pukë- Pas natës kaluar në dëborë, policia ka mundur të zhbllokojë furgonin me pasagjerë të linjës Tiranë-Tropojë. Mbrëmë një furgon i linjës Tiranë-Tropojë me 16 pasagjerë nuk ka mundur të vazhdojë udhëtimin e tij drejt Tropojës, pasi në vendin e quajtur Përroi i Plepit është bllokuar nga një sasi e madhe dëbore, e cila në formën e ortekut ka rënë nga mali. Me të marrë njoftimin, forcat e policisë së Pukës kanë mbërritur në vendngjarje dhe në bashkëpunim me punonjësit e ndërmarrjes së mirëmbajtjes së rrugëve, kanë bërë të mundur që brenda pak orësh të bëhej e mundur hapja e rrugës duke i dhënë mundësi furgonit që të transportojë pasagjerët në destinacion, rrugë të cilën e ka bërë i shoqëruar edhe nga forcat e policisë së Pukës.
Reshjet e dëborës së ditëve të fundit kanë vështirësuar së tepërmi akset rrugore që lidhen me rrethin e Pukës. Zonat më problematike për momentin janë ato të Iballës, Qafë Malit, ku trashësia e dëborës ka kaluar mbi një metër.