E Diel, 1 Nëntor 2026

Vonuan deklarimin e pasurisë, ILDKP gjobit 48 zyrtarë vendorë

TIRANË-Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive (ILDKP) vendosi sot masë administrative "gjobë" për "vonesë në deklarim" ndaj 48 drejtuesve të pushtetit vendor, nga të cilët 27 janë kryetarë të rinj dhe 21 janë ish-drejtues, të larguar nga funksioni pas zgjedhjeve lokale të Majit 2011.

Sipas një deklarate për shtyp të ILDKP, "rezulton se disa nga të zgjedhurit vendorë nuk kanë respektuar afatet kohore për dorëzimin e deklaratës së pasurisë; brenda 30 ditëve nga marrja e detyrës për të zgjedhurit e rinj dhe brenda 15 ditëve pas largimit nga funksioni për ish-drejtuesit vendorë”.

Për këtë arsye, në bazë të nenit 44/1/c të ligjit nr. 9367, dt.7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike”, sipas të cilit “Për mosdeklarim periodik në afat dhe pa shkaqe të arsyeshme, zyrtari ose personi i lidhur me të, që mbart detyrimin për deklarim, dënohet me gjobë nga 20 000 lekë deri në 30000 lekë”, ILDKP vendosi masën administrative “gjobë” në shumën 25.000 lekë ndaj 48 zyrtarëve.

Ndërkohë, ILDKP po vazhdon verifikimet dhe për çdo rast të tejkalimit të afatit ligjor për dorëzimin e deklaratës së interesave private do të aplikohen sanksionet ligjore.

Paralelisht me monitorimin e procesit të deklarimit të pasurisë, ILDKP ka nisur kontrollin për të dhënat e vetëdeklaruara nga ana e drejtuesve të rinj të pushtetit lokal.

Brenda afateve proceduriale administrative, Inspektorati i Lartë do të verifikojë përputhjen e pasurive të deklaruara nga zyrtarët e rinj vendor me burimet e krijimit të tyre.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›