E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët e Bulqizës vijojnë grevën në godinën e ACR-së

21/09/2011  Nën vëzhgimin e policisë, dhjetëra minatorë qëndrojnë jashtë

BULQIZE- Dhjetë minatorë kaluan natën e parë të grevës së dytë të urisë në brendësi të një godine pranë ambienteve të ACR-së. Ndërsa dhjetëra minatorë të tjerë janë grumbulluar që në orët e para të mëngjesit jashtë ambienteve ku zhvillohet greva e urisë, në mbështetje të minatorëve grevistë si dhe të vendosur për të vazhduar protestën deri në plotësimin e kërkesave nga kompania koncensionare e ACR-së. Greva vazhdon brenda në godinë, ndërsa jashtë saj minatorë të tjerë protestojnë. Vihet re një prani e madhe e forcave të policisë te porta e ACR por dhe tek godina e grevistëve. Minatorët e Bulqizës, prej më shumë se 75 ditësh vazhdojnë protestat duke mos pranuar të dalin në punë deri në plotësimin e kërkesave të tyre. Minatorët grevistë vazhdojnë grevën në një godinë në afërsi të territorit të kompanisë koncensionare, në pamundësi për tu ngujuar brenda minierës së kromit, për shkak se dhe pusi A1, ku u zhvillua greva e parë, mbahej nën vëzhgimin e fortë të forcave të rendit. ACR ka rënë dakord që të rriten pagat në masën 20%, të investojë në minierë, të paguajë pagën e 13-të. Por, një ndër kërkesat më kryesore të administratës, largimin e drejtorit të minierës, ACR nuk e ka pranuar, madje e ka hedhur poshtë, duke e cilësuar si të pabazë. Pasi kanë mësuar qëndrimin e ACR, minatorët kanë vendosur të mos tërhiqen nga vendimi për të vijuar protestat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›