E Diel, 1 Nëntor 2026

Transformimi i biznesit, mbeten në burg 3 të ndaluarit

21/09/2011  U regjistruan si firmë mobiliesh, shitën naftë virxhin duke shkaktuar evazion

FIER- Gjykata e Fierit ka komunikuar dje masën e sigurisë për tre të arrestuarit disa ditë më parë gjatë operacionit të koduar “Kompania Guaskë”, si të dyshuar për falsifikim të dokumenteve me pasojë shkaktimin e një evazioni në vlerë të konsiderueshme. Mbrojtësit e të arrestuarve, Ervis Sinanaj 32 vjeç, Besnik Muratajt 37 vjeç dhe Dyleman Qerimi 58 vjeç, janë njohur me materialet hetimore ndaj të pandehurve. Pas prezantimit të palëve Prokuroria e Fierit ka kërkuar që mbrojtja të njihet me materialin hetimor, ndërsa ka kërkuar sërish që ndaj të arrestuarve të lihet në fuqi masa e vendosur javën e kaluar, ajo e arrestit në burg pa afat. Ndërkaq, mbrojtja ka kërkuar një masë sigurie më të lehtë nga ajo e arrestit në burg pa afat për të prangosurit. Sipas avokatëve mbrojtës të të akuzuarve nuk përbëjnë rrezik për shoqërinë dhe se ata mund të konsiderohen jo si të përfshirë në afera, por si mos pagues të taksave, dhe për këtë arsye nuk është e nevojshme që të qëndrojnë në burg. Ndërkaq, ata kanë pretenduar se nuk njiheshin me dokumentacionin hetimor të akuzës dhe se i kundërshtonin ato. Trupi gjykues pasi ka dëgjuar pretendimet e palëve ka vendosur të lërë në fuqi masën e sigurisë të arrestit në burg pa afat për tre të sipërcituarit. Ndërkaq, mbrojtësit e tyre kanë të drejtën e apelimit në Gjykatën e Apelit në Vlorë brenda 10 ditëve. Sipas Prokurorisë së rrethit gjyqësor Fier, shtetasit Besnik Murataj, në bashkëpunim edhe me shtetasin Ervis Sinanaj dhe Dylejman Qerimi, kanë konstituar një shoqëri tregtare inekzistente, të cilën e kanë regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, me administrator Selman Doçin, dhe emrin e shoqërisë “Mobil Albania, me objekt veprimtarie private në fushën e tregtisë me shumicë e pakicë, import eksporte të prodhimit të mobilieve e mallrave të ndryshëm. Kjo shoqëri është krijuar prej tyre me qëllim futjen në qarkullim dhe mbulimin e natyrës së krijimit të shumës se lekëve prej 50 milionë lekësh të reja, thuhet në komunikatën për shtyp të Prokurorisë së Përgjithshme. Ndërkaq, ata kanë blerë sasi të konsiderueshme naftë virxhin, të cilën e kanë shitur më pas për lëndë djegëse. Por nga verifikimet e kryera prej tatimorëve, ka rezultuar se pjesa më e madhe e shitjeve nuk ishte deklaruar. A. Damini

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›