E Diel, 1 Nëntor 2026

Vonuan deklarimin e pasurisë, gjobiten 48 kryetarë komunash

Plot 48 drejtues dhe ish-drejtues komunash u gjobitën dje nga Inspektoriati i Deklarimit të Pasurive. ILDKP-ja vendosi dje masë administrative “gjobë” për “vonesë në deklarim” ndaj 48 drejtuesve të pushtetit vendor, nga të cilët 27 janë kryetarë të rinj dhe 21 janë ish-drejtues, të larguar nga funksioni pas zgjedhjeve lokale të Majit 2011. “Gjatë periudhës korrik-gusht 2011, ILDKP ka qenë aktiv në njoftimin për detyrimin ligjor për deklarim, si edhe në ofrimin e asistencës ligjore për zyrtarët të rinj mbi mënyrën e plotësimit të formularit të interesave private. Pavarësisht angazhimit maksimal të institucionit, nga rakordimet e kryera në Regjistrin Themeltar të ILDKP, rezulton se disa nga të zgjedhurit vendorë nuk kanë respektuar afatet kohore për dorëzimin e deklaratës së pasurisë; brenda 30 ditëve nga marrja e detyrës për të zgjedhurit e rinj dhe brenda 15 ditëve pas largimit nga funksioni për ish-drejtuesit vendorë’, - thuhej në njoftimin zyrtar të këtij institucioni. Ndërkohë, ILDKP po vazhdon verifikimet dhe për çdo rast të tejkalimit të afatit ligjor për dorëzimin e deklaratës së interesave private do të aplikohen sanksionet ligjore. “Paralelisht me monitorimin e procesit të deklarimit të pasurisë, ILDKP ka nisur kontrollin për të dhënat e vetëdeklaruara nga ana e drejtuesve të rinj të pushtetit lokal. Brenda afateve proceduriale administrative, Inspektorati i Lartë do të verifikojë përputhjen e pasurive të deklaruara nga zyrtarët e rinj vendorë me burimet e krijimit të tyre”, thuhet në njoftimin për shtyp t ILDKP-së.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›