E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria e Tiranës kërkon në gjykatë pezullimin e Florenc Hoxhës

Florenc Hoxha u padit për ushtrim dhune nga dy ish-inspektore tatimore të Bashkisë

Prokuroria e Tiranës ka kërkuar pezullimin nga puna të kreut të Policisë Bashkiake në Tiranë, Florenc Hoxhës. Kërkesa nga ana e Prokurorisë së Tiranës, është dërguar në gjykatë dhe ka ardhur pas padisë së dy inspektoreve të bashkisë. Akuza ndaj Hoxhës është për goditje, fyerje dhe kanosje për moskallëzim. Kjo është një masë e cila është ndërmarrë nga prokuroria për shkak se çështja për të cilën po hetohet Hoxha është “për shkak të detyrës” ndaj dhe prokuroria ka kërkuar në gjykatë pezullimin e tij nga detyra deri në përfundimin e hetimeve. Pak ditë më parë, Prokuroria e Tiranës filloi verifikimet mbi materialet kallëzuese të mbërritura në këtë institucion për incidentet e ndodhura në Bashkinë e Tiranës, nga përplasjet fizike mes kreut të Policisë Bashkiake dhe dy inspektoreve. Largimet nga puna në Bashkinë e Tiranës kanë shkaktuar dy javë më parë përplasje mes dy punonjëseve të Tatim-Taksave dhe Policisë Bashkiake. Ish-punonjëset e Tatim-Taksave, Anila Çobani dhe Etleva Dura, akuzojnë kryepolicin bashkiak se ka ushtruar dhunë fizike ndaj tyre, duke kërkuar t’i nxjerrë jashtë nga zyra. Për këtë arsye, dy inspektoret kanë ngritur padi ndaj drejtorit të Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha, për ushtrim dhune fizike ndaj tyre. Ato janë përballur me të njëjtën akuzë në Prokurori, pasi edhe Policia Bashkiake konfirmon se ka kallëzuar penalisht dy ish-punonjëset, Dura dhe Çobani, për dhunë fizike dhe verbale. I kontaktuar dje nga MAPO, Florenc Hoxha u shpreh se nuk dëshironte të komentonte veprimin e prokurorisë, pasi nuk ishte njoftuar zyrtarisht për një gjë të tillë, duke premtuar se do të ketë një reagim të qartë nga ana e tij kur të njihet zyrtarisht me veprimin e prokurorisë. Inspektoret nga ana e tyre kanë dëshmuar dhe publikisht se janë dhunuar prej Hoxhës. “Isha në zyrë duke punuar, duke bërë detyrën time funksionale, duke përgatitur materialet. Hyn befas Florenc Hoxha, drejtor i Policisë Bashkiake, që nuk është në të njëjtën drejtori me ne, tërheq tavolinën dhe më nxjerr me dhunë nga krahët. Unë i thashë se nuk mund të dal nga zyra për aq kohë sa punoj këtu. Por, Hoxha më tha se duhet të dilja nga institucioni, sepse isha e padëshiruar, ndërsa më gjuajti me grusht në stomak”, - ka denoncuar inspektorja Anila Çobani. Ndërkaq, edhe inspektorja tjetër Etleva Duro ka treguar të njëjtën situatë, ndërsa tha se edhe ajo vetë ishte pre e dhunës së ushtruar në ambientet e Drejtorisë së Tatim-Taksave. Sipas saj, Florenc Hoxha e ka goditur Anila Çobanin me grusht në stomak. Më pas e ka tërhequr zvarrë atë, duke i lënë shenja në krahë. Skena e incidentit ka shkaktuar tension në zyra dhe pezullim të shërbimeve për qytetarët. Drejtoria ka urdhëruar mbylljen e dyerve, duke pezulluar të gjitha veprimet ditën e incidentit. Nga ana e saj Policia Bashkiake e Tiranës, me anë të një njoftimi për shtyp, pretendoi ditën e ngjarjes të kundërtën e situatës së treguar nga ish-punonjëset, duke thënë se dhunuesit kanë qenë pikërisht dy inspektoret e pushuara pak ditë më parë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›