Vorbsi: Qeveria ka dështuar në procesin e kthimit dhe kompensimit të pronave
Në një intervistë për gazetën MAPO, kreu i shoqatës “Pronësi dhe drejtësi”, Myrshit Vorbsi, deklaron se shteti shqiptar u detyrohet si borxh pronarëve 40 mld euro, që nuk I ka përfshirë në borxhin e brendshëm publik. Në intervistë, Vorbsi shpalos hapat e procesit, duke akuzuar qeverinë se ka përdorur fondin për kompensimin e ish-pronarëve në procesin e legalizimeve. Sipas Vorbsit, edhe procesi i legalizimeve ka dështuar.
Zoti Vorbsi, si ka ecur procesi i kthimit dhe kompensimit të pronave, në dijeninë tuaj, ndërkohë që më 31 dhjetor mbaron afati ligjor i funksionimit të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave?
Agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave pas 31 dhjetorit 2011 nuk ka më tagër ligjor të merret me këtë proces, sepse mbaron si afat kohor ligjor. Që nga data që ka dalë për herë të parë ligji 92/35 për kthimin dhe kompensimin e pronave, deri sot që flasim është amenduar katër herë ligji për të shtyrë afatin e përmbylljes së këtij procesi. Ndoshta ky afat do të shtyhet për herë të pestë, por është një proces që do t’i takojë 2012-ës. Nëqoftëse do të bëjmë një përmbledhje të procesit, në raport me pritshmëritë, ai mund të quhet plotësisht i dështuar për dy arsye; Sot që ne flasim jemi në një gjendje paradoksale. Janë minimalisht 10 mijë dosje të pashqyrtuara nga agjencia e kthimit dhe kompensimit të pronave. Po bën mëse tre vjet që degët e agjencive në rrethe janë mbyllur. Sot funksionon vetëm një agjenci qendrore, ku nga Tirana do të merret një vendim për Sarandën, për Tropojën etj. Është një strukturë prej 90 personash që punojnë në këtë agjenci, të cilëve u ka rënë fati të punojnë vetëm me një proces të tillë. Në procesin e kompensimit të pronarëve mund të punojnë vetëm 10 veta, nëqoftëse qeveria do që ta realizojë këtë proces. Procesi është i dështuar edhe për një arsye tjetër; janë 10 mijë dosje të paprekura. Më parë agjencia mori një gjendje ku kishte 8 mijë dosje pa u trajtuar nga degët e agjencive dhe në vazhdimësi janë shtuar edhe dosje të reja me vendim të gjykatave, ku pronarët kanë kërkuar dhe kanë bërë rivendosjen në afat, edhe pse me ligj pronarët e kanë humbur të drejtën e paraqitjes së dokumenteve për kthimin dhe kompensimin e pronave në rrugë administrative qysh nga viti 2008. Ka plot 3 vjet që pronarët me ligj nuk kanë të drejtë në rrugë administrative të bëjnë kërkesë për kthimin dhe kompensimin e pronës. Edhe pse ky afat ka përfunduar ligjërisht, por ekziston ai shteg ligjor, që me vendim gjykate pronarët të bëjnë kërkesë, ka tre vjet që agjencia nuk e ka realizuar detyrën e saj. Nëqoftëse do të bënim një bilanc sipas asaj që thotë agjencia, ajo ka shqyrtuar vetëm një mijë dosje. Ka 8 mijë gjendje, ka shqyrtuar 1 mijë, ndërkohë që janë rritur 3 mijë të tjera përmes rivendosjes në afat apo dosje të tjera që kanë qenë gati për vendimmarrje, por për shkak të shkrirjes së agjencive ato nuk kanë përfunduar. Pra, nëqoftëse bëjmë këtë bilanc të thjeshtë, kuptojmë që procesi është i dështuar totalisht. Jo vetëm që nuk janë marrë 1000 mijë vendime, por janë shqyrtuar vetëm një mijë dosje. Atëherë pse nuk thuhet sa vendime janë marrë në periudhën 3-vjeçare. Agjencia nuk ka bërë një bilanc ku të thotë se janë shqyrtuar kaq dosje, janë marrë kaq vendime, janë kthyer kaq pronë. Asnjërën nga këto nuk thotë. Vetëm agjencia dhe qeveria ka të dhëna. Pronarët jo.
Si ka ndikuar shkrirja e degëve të agjencive në një agjenci të vetme qendrore?
Vendimi që u mor nga mazhoranca për shkrirjen e të gjitha agjencive, për ta përqendruar punën në një qendër, ishte paralajmëruar nga ajo dhe realiteti e tregon që ishte një dështim dhe është bërë me vetëdije të plotë. Nuk mund të binden pronarët se ajo gjë është bërë për të përshpejtuar punën. Por është bërë për të mbyllur punën dhe për të mos u shërbyer pronarëve. Këtë e them edhe për një arsye tjetër, sepse sot e kësaj dite nuk bëhet publik detyrimi i shtetit shqiptar ndaj pronarëve shqiptarë. Është një shifër që kap vendimmarrjen deri në vitin 2007. Nga 2007 deri në fund të 2011 agjencia nuk ka bërë asnjëherë asnjë raportim sa pronë ka njohur, sa ka kthyer. Ato shifra të cilat shteti shqiptar nuk i bën publike, ato janë të njohura, i dinë partnerët ndërkombëtarë, Strasburgu, i di edhe qeveria. Këto shifra nuk i dinë vetëm pronarët, opinioni publik, dhe opozita.
Sipas të dhënave tuaja, z.Vorbsi, sa i detyrohet shteti pronarëve shqiptarë?
Shifrat janë të frikshme. Qeveria shqiptare i ka detyrim pronarëve shqiptarë 50 mijë ha tokë bujqësore, sipas vendimmarrjeve deri në fund të 2007-ës. Dhe, veç kësaj, ka një detyrim prej 6489 ha tokë truall. Çfarë përfaqëson kjo shifër mjafton t’ju përmend faktin se për 5 vejt me radhë shteti shqiptar, kundrejt një shume 2,7 mld lekë të reja, e përkthyer në 27 mln dollarë, ka kompensuar një sipërfaqe që nuk i kalon 10 ha. Sikur të ecë me këto ritme, do të duhen edhe 650 vite për të kompensuar 6489 ha truall, për të mos thënë për 50 mijë ha tokë bujqësore. Pikërisht për këtë them se procesi është i dështuar. Por qeveria nuk e bën publike. Nuk është një shifër që është krijuar vetëm në këtë qeverisje, por ka që më 1993 e në vazhdim. Është një detyrim që ka shteti, jo Partia Demokratike dhe koalicioni i saj. Duhet të ndryshojë ajo strategji që është ndjekur deri më sot. Teoria e kompensimit të pronarëve ka qenë një teori e ushqyer me lugë bosh. Një arsye më tepër që e bën procesin të dështuar është se ka më se tre vjet që paratë e pronarëve, për kompensimin e tyre, është duke i përdorur në një drejtim tjetër, shpronësimin e pronarëve për efektin e legalizimit. Në vend që këto para të shkojnë nga të ardhurat që agjencia e ALUIZN-it nga ai që quhet kalim i pronës nga shteti te pushtuesit, ato para nuk dalin nga agjencia e legalizimeve, por për fatkeqësinë e madhe dalin prej 3 vjetësh nga fondi i kompensimit të pronarëve. Më 2009 për kompensimin e pronarëve janë përdorur 1,25 mld lekë. Ndërkohë që më 2010, me bindje të plotë, qeveria shqiptare nuk shpërndau asnjë lek në këtë drejtim. Por nga ana tjetër,1,4 mld lekë i përdori për efekt të shpronësimit për legalizimet. U morën paratë nga fondi për kompensimin e pronarëve dhe u hodhën te legalizimet. Ky është një skandal i vërtetë. Për dy vite, 2010 dhe 2011, janë dhënë për pronarët 670 mln lekë të vjetra. 12,8 mln dollarë më 2009 dhe 300 mln lekë për 2011-n. Po një shifër tjetër 1,4 mld lekësh, që i takojnë kthimit dhe kompensimit të pronave, do të kalojnë për legalizim. Shifrat që botohen sot në shtypin e përditshëm janë një pjesë e borxhit që shteti në kuadrin e legalizimeve ka akoma kundrejt pronarëve. Po flasim për një borxh të mirëfilltë. Nga viti 2008 deri më sot për shpronësimin e 54 ha tokë, që e kanë vlerën e llogaritur 8,7 mld lekë, i duhen dhënë pronarëve, nga të cilat sipas ligjit të legalizimeve duhet të ishin shpërndarë nga fondi përkatës. Me ato që lexojmë në gazeta, qeveria shqiptare nuk do mund të dëmshpërblejë pronarët nga 2008-ta deri më sot. Por shteti shqiptar nuk ka paguar sot as 47% të shumës. Më 2010 ai ka paguar 1,4 mld lekë që u morën nga kompensimi i pronarëve dhe u përdorën për procesin e legalizimit dhe tani po luan me shifrën e fundit, në mënyrë që të realizohet një shifër totale që ka shteti në masën 47%. Ky është një skandal, jo sukses, por dështim. Kjo tregon se edhe vetë procesi i legalizimit është proces i dështuar, por qeveria nuk do ta publikojë, sepse është një faturë e madhe.
Si mund të arrihet të zgjidhet çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave?
Këtë duhet ta zgjidhë vetë qeveria, duke ndryshuar strategjinë e dështuar të përdorur deri tani. Për herë të parë disa ditë më parë ne si shoqatë “Për pronësi dhe drejtësi” jemi thirrur nga ambasada gjermane pikërisht për këtë çështje. Ambasada ishte në dijeni të gjithë procesit dhe kishte shifra të përditësuara. Në bashkëpunim me dy fondacione gjermane që operojnë në Tiranë, ambasada do të organizojë një tryezë të rrumbullakët dhe do të ftojë përfaqësues të qeverisë për çështjen e pronave, pasi është një nga 12 rekomandimet e rëndësishme të MSA-së për t’u aderuar në Bashkimin Europian. Çështja e pronave është delikate dhe qeveria nuk bën publike shifrat. Janë 32 000 ha tokë që do legalizohet, 1/3 do të shpronësohet për efekt legalizimi. Kjo është e vetmja shifër që jep qeveria. 10 000 ha duhet të shpronësohet, kjo bëhet për efekt elektoral dhe t’ia lërë detyrim qeverisë pasardhëse. Por kjo nuk shkon as përkrah MSA-së. Qeveria duhet të gjejë zgjidhjet e përshtatshme. Mbi 560 mijë ha tokë ka falur qeveria dhe tani shitet me shuma marramendëse. Ai që paguan faturat marramendëse të qeverisë është taksapaguesi shqiptar.