Vorpsi dhe Ibrahimi, letërsia si shembull integrimi
“Fjalë dhe Muzikë nga Toka Shqiptare", kështu është titulluar veprimtaria e organizuar nga shoqata “Vatra” në Itali, në kuadër të manifestimit “Integrimi nuk vjen nga qielli”. Veç muzikës, krijime të kompozitorëve çesk Zadeja e Arcangelo Corelli, të ekzekutuara nga artistet e reja, Eriola Gripshi në violë e Lizabeta Soppi në violinë, gjatë kësaj veprimtarie mes shqiptarësh e italianësh janë lexuar edhe pjesë të zgjedhura të autoreve shqiptare, Anilda Ibrahimi dhe Ornela Vorpsi, veprat e të cilave janë botuar vitet e fundit në italisht nga shtëpia botuese “Einaudi”. Po ashtu, publiku u njoh edhe me disa prej poezive të pabotuara të shkrimtarit të ri dhe me origjinë shqiptare, Edvin Kukunja. Në takim e morën fjalën edhe Anna Belpiede, përfaqësuese e Bibliotekave të Qytetit të Torinos, e cila tha se integrimi i të rinjve të huaj është një sfidë e madhe për të ardhmen e të gjitha shteteve europiane. “Biblioteka publike është një nga institucionet më të rëndësishme të dijes, që mund të shërbejë fare mirë edhe si një vend integrimi mes brezave dhe kulturave”, vijoi ajo.
#