E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fuele: Jo Sarajevës, pa Kosovën dhe Serbinë

Takimi i Sarajevës mes Bashkimit Europian dhe vendeve të Ballkanit mund të jetë i suksesshëm vetëm nëse në të marrin pjesë edhe Serbia, edhe Kosova, tha komisioneri i BE-së për Zgjerimin, Stefan Fuele. "Shpresoj shumë që ministrat e Jashtëm të vendeve të Ballkanit të mos humbasin mundësinë që ta kthejnë bashkëpunimin rajonal në një proces përfshirës, duke siguruar se të gjithë janë në tavolinën e bisedimeve", tha Stefan Fuele. Ai ka nënvizuar se nuk do të marrë pjesë në takimin e Sarajevës nëse nuk do të jenë të pranishme si Serbia, edhe Kosova. "Do të marr pjesë në çdo konferencë që bazohet në parimet e gjithëpërfshirjes dhe shtyn një hap përpara bashkëpunimin rajonal", theksoi diplomati europian. Duke folur për heqjen e transmetuesve të paligjshëm të telefonisë së Serbisë në Kosovë, ai theksoi se "kjo nuk është çështje politike, por ekonomike". Eurokomisioneri për zgjerimin vlerësoi lart përparimin e rajonit, pasi, siç tha ai, "njerëzit harrojnë se në këtë pjesë të Europës kemi parë shpërbërjen më shkatërruese të një shteti. Nëse e krahason situatën e sotme me atë të 15 vjetëve më parë, mendoj se çdokush do të habitej". Fuele i bëri këto komente në një intervistë për agjencinë gjermane të lajmeve DPA.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›