Voskopojë, ende asnjë masë për kampin ku u helmuan fëmijët
Hoteli ku u helmuan 38 fëmijët nga Elbasani vazhdon të jetë i hapur, pavarësisht pasojave që solli në shëndetin e ekskursionistëve të vegjël. Lokali ku drekuan 38 fëmijë nga grupi prej 80 vetësh të organizuar nga një shoqatë islamike, nuk është bllokuar nga autoritetet e Shëndetit Publik edhe pas helmimit të tyre. Ndërkohë, mësohet se fëmijët që nuk kanë përdorur ushqimin e restorantit, edhe dje nuk kanë pasur probleme shëndetësore. Asnjë konfirmim zyrtar nuk është dhënë për masat që duhet të ndërmerren nga ana e Drejtorisë së Shëndetit Publik ndaj subjektit dhe as lidhur me higjienën dhe cilësinë e ushqimeve që mbaheshin në restorantin ku tetë prej fëmijëve nga Elbasani përfunduan me komplikacione në spitalin pediatrik të Korçës dhe në repartin e terapisë intensive. Ndërsa një ditë më parë një ekip pune me specialistë të higjienës dhe epidemiologjisë shkuan për të parë gjendjen në vend, por edhe ushqimet që u janë servirur fëmijëve. Dje, në të njëjtin restorant ka vijuar normalisht aktivitetin, edhe pse duhej të kryhej bllokimi deri në përgjigjen e analizave të kampioneve të marra nga ushqimet.
HetimetHetimet që kanë nisur për rastin e helmimit masiv të 38 fëmijëve nga Elbasani janë përqendruar vetëm në marrjen në pyetje të mjekëve të spitalit, të përfaqësuesve të qendrës sanitare dhe të ballafaqimit me kartelat ditore të fëmijëve. Nga të cilat, sipas policisë të paktën nga ana e Drejtorisë së Shëndetit Publik është deklaruar paraprakisht se ushqimi ka qenë i rregullt. Sipas policisë, një përgjigje përfundimtare do të jepet pas marrjes së rezultatit të kampionëve të marrë për analizim, por nga të dhënat që ka siguruar policia nga informacioni paraprak i Drejtorisë së Shëndetit Publik, një ditë pas drekimit të grupit të ekskursionistëve nga Elbasani, ushqimet që janë gjetur në lokal kanë qenë të freskëta. Edhe pse nuk përjashtohet mundësia që subjekti të ketë kryer një furnizim të ri pas problemeve shëndetësore që kanë pasur fëmijët, nga ana e Drejtorisë së Shëndetit Publik nuk ka pasur asnjë deklaratë zyrtare lidhur me kampionet që janë marrë në vendin ku ka ndodhur helmimi masiv dhe në rast se janë gjetur mbetje të ushqimeve që kanë konsumuar fëmijët apo produkte të cilat kanë qenë në kushte frigoriferike prej ditësh. Ndërkaq, sipas policisë, mjekët kanë deklaruar se simptoma të ngjashme mund të vijnë edhe si pasojë e ujit të pijshëm të ndotur, ose nga ndryshimi i klimës. Por nga ana e tyre, mjekët e spitalit pediatrik të Korçës vazhdojnë t’i qëndrojnë mendimit se bëhet fjalë për një intoksikacion ushqimor pas konsumimit të ushqimeve në restorant. Drejtori i Shëndetit Publik në Korçë, Ylli Qirinxhi, nuk pranoi të prononcohet mbi këtë çështje për faktin se sipas tij do të jenë konkluzionet e analizave laboratorike që do të përcaktojnë shkakun real të helmimit masiv te të vegjlit.
#