Berisha: Jemi kundër çdo imuniteti
Kreu i qeverisë ka rikonfirmuar se do të heqë imunitetin e ministrave dhe deputetëve, nëse këtë e kërkon Prokuroria
Kryeministri Sali Berisha i kundërpërgjigjet shqetësimit të partnerëve ndërkombëtarë, lidhur me korrupsionin, duke deklaruar se është kundër çdo mburoje ligjore për zyrtarët e lartë dhe njëkohësisht i gatshëm që të pranojë heqjen e imuniteteve të të gjitha llojeve. Por, kjo sipas tij mund të arrihet vetëm me konsensusin e opozitës, e cila më parë, sipas tij, është bërë pengesë që kjo kërkesë të kthehej në ligj. Berisha ka theksuar se është mjaft e rëndësishme që të gjendet gjuha e përbashkët me opozitën, e cila duhet të jetë në Kuvend për të bërë të mundur miratimin e këtij ligji. "Jam kundër çdo imuniteti.
Kemi dërguar ligjin në Parlament, opozita nuk e miratoi", - tha kryeministri dje lidhur me këtë çështje pas mbledhjes së kryesisë së PD-së. Nisur pikërisht nga fakti se miratimi i një ligji të tillë kërkon një shumicë të cilësuar votash dhe kur mazhoranca ka vetëm 75 të tilla në Kuvend, shefi i ekzekutivit ka deklaruar se është i detyruar që të ndjekë një rrugë të dytë, dhe që ka të bëjë me miratimin e çdo kërkese të Prokurorisë për heqje imuniteti.
"Nëse opozita nuk do të vijë në Kuvend për të votuar një nismë të tillë, atëherë do të praktikoj qëndrimin e njëanshëm. Që do të thotë çdo kërkesë nga organi i Prokurorisë apo ai gjyqësor për heqjen e imunitetit do të jetë automatikisht e pranueshme. Mazhoranca ka të drejtë të mos i njohë vetes imunitet. Siç e kemi praktikuar. Nuk ndryshojmë dot ligjin, por qëndrim të njëanshëm mund të mbajmë", - tha dje Berisha. Ky reagim i Berishës erdhi pas deklaratave të diplomatëve perëndimorë të akredituar në Tiranë, sipas të cilëve, asnjë zyrtar nuk duhet ta përdorë imunitetin e tij për të abuzuar me ligjin dhe asnjë prej tyre nuk mund të qëndrojë mbi ligjin. Deklaratat e lëshuara nga ambasadori amerikan në Tiranë, John Withers dhe ambasadorja e Britanisë së Madhe, Fiona Meklluham, ka bërë që Kryeministri shqiptar të reflektojë mbi këtë çështje. Megjithatë edhe pse Berisha deklaron se mazhoranca ka të drejtë të mos i njohë vetes imunitet, duke u shprehur i gatshëm për heqjen e tij edhe për zyrtarët e lartë, në kabinetin e ri qeveritar, të drejtuar prej tij, gjenden dy ministrat, si Basha e Mediu, të cilët i kanë shpëtuar drejtësisë falë imunitetit të tyre. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për shpërdorim detyre në rastin e tragjedisë së Gërdecit, të 15 marsit 2008, kur humbën jetën 26 persona dhe u plagosën mbi 300 të tjerë.
Çështja përfundoi në Gjykatën e Lartë, e cila e pushoi çështjen ndaj ish - ministrit Mediu, pasi ai arriti të fitojë mandatin e deputetit nga zgjedhjet e 28 Qershorit, për rrjedhojë edhe imunitetin e zyrtarit të lartë kur Berisha e emëroi në postin si ministër në Ministrinë e Mjedisit. Pothuajse e njëjta logjikë u ndoq edhe me ish - ministrin e Transporteve dhe Telekomunikacioneve, Lulzim Bashën, i cili u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për abuzimet me rrugën Durrës - Kukës. Basha, aktualisht ministër i Brendshëm, arriti t'i shpëtojë procesit gjyqësor, pasi Gjykata e Lartë pushoi çështjen ndaj tij për shkak të shkeljeve proceduriale nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme. Iniciativa për t'i hequr imunitetin një deputeti apo ministri duhet që më parë të ketë një kërkesë nga Prokuroria. Ndërsa për t'u hequr të gjithë deputetëve dhe ministrave imunitetin për çështjet që lidhen me korrupsionin, duhet ndryshimi i ligjit me 84 vota sipas propozimit të Komisionit të Venecias ose ndryshimi i Kushtetutës, me 94 vota ne Parlament, nga 74 që ka mazhoranca, propozim ky i bërë nga Partia Socialiste.