E Diel, 1 Nëntor 2026

Vota e ndëshkimit dhe nevoja për bashkëpunim

Është praktikë e zakonshme që të bëhen analiza pas zgjedhjeve për të justifikuar humbjen e dikujt apo shpjeguar fitorene palës tjetër. Por zgjedhjet e 18 shkurtit janë një rast që duhen analizuar mirë dhe me hollësi. Tashmë që çdo gjë është bërë e qartë dhe balancat politike kanë ndryshuar shtrohen dy pyetje që kërkojnë një përgjigje nga politikanët apo nga ata që analizojnë politikën në Shqipëri. E para pse humbi PD ja dhe cilat ishin shkaqet që çuan në një humbje të tillë dhe e dyta çdo të ndodhë pas kësaj? Që pas fitores së demokratëve në tre korrik në opinion u krijua një pritshmëri shumë e madhe në popull. Ata që votuan për të djathtë dhe për të ndryshuar sistemin e vendosur nga socialistët në 8 vjet kishin shumë arye për të bërë këtë. por më kryesorja kishte të bënte me një reagim kundra arrogancës që kishte karakterizuar qeverisjen e PS-së. Pra ishte në një farë mënyrë një votë ndëshkimi. Në këtë rast duket se situatat u përsëriten , vetëm se në një kohë shumë të shkurtër kohore. Demokratët kanë më pak se 1 vit e gjysëm që po qeverisin dhe duhet theksuar se konsumimi i tyre ka qënë në një nivel shumë të lartë. Konflikti me disa institucione që në fillim të mandatit të tyre dhe mënyra shumë e gabuar e prezantimit të nevojës për reformë në opinion bëri që shumë njerëz ta shihnin këtë si një rrezik që i kanosej pavarësisë së këtyre institucioneve. Po kështu është shumë e qartë se deputetët e Partisë Demokratike krijuan një distancë të pa kapërcyeshme me elektoratin e tyre duke bërë të njëtin gabim që bënë paraardhësit e tyre socialistë. Shumë pak njerëz arrinin të kontaktonin me deputetin e tyre të zonës madje u bë mjaft e vështirë që të arrije të komunikoje më ndonjërin prej tyre ne telefon pasi do të duhej të kaloje një numër të madhe sekretaresh që të përgjigjeshin duke të thënë se deputeti është shumë i zënë. Sigurisht që kjo solli një zhgënjim të elektoratit të djathtë të cilët kishin pritur të gjenin një komunikim ndryshe me përfaqësuesit e tyre në parlament. Shumë të paktë ishin ata deputetë të PD-së që shkonin në zonat e tyre për të dëgjuar dhe zgjidhur hallet e atyre që u kishin besuar votën. Majftoi fitorja në tre korrik dhe shihemi në 2009. Ndërsa një tjetër pikë ku mund të kërkohet humbja e PD-së është dhe shkalla e lartë e premtimeve që atë bënë gjatë fushatës së 2005-ës. Ka një ndryshim mes Partisë Socialiste dhe asaj Demokratike përsa i përket trajtimit që i bën secila elektoratit të saj besnik pasi merr pushtetin. Socialistët kanë vërtetuar se dinë të menaxhojnë shumë mirë atë pjesë që quhen militantë apo votues besnikë. Është mëse e qartë se deputetët socialistë kanë qënë shumë të vëmendshëm që të përmbushnin kërkesat e votuesve të tyre dhe të ishin më këmbëngulës pranë ekzekutivit për të tërhequr më shumë fonde investimesh për këto zona. Ndërsa PD ndoqi një taktikë shumë të gabuar me këta njerëz. Për të rregulluar imazhin e saj afrohi në parti dhe në strukturat e saj njerëz të rinj që nuk kishin shumë lidhje me bazën e kësaj partie dhe për më keq nuk e njihnin atë. Kjo çoi në një zhgënjim të bazës e cila si reagim ndaj kësaj sjellje abstenoi në 18 shkurt duke mos shkuar në votime. Një përqindje e ulët në votime do të thotë automatikisht më pak vota në favor të PD-së. Ka një të vërtetë në Shqipëri përsa i përket sjelljes së dy anëve të elektoratit , të majtët janë më shumë të disiplinuar dhe më të interesuar për të shprehur vullnetin e tyre me votë kjo edhe për shkak të prejardhjes së tyre politike. Pra me pak fjalë PD i la pas dore njerëzit e saj duke u investuar tek disa persona që baza nuk i konsideroi si të vetët. Nga ana tjetër të gjithë ata që kishin vuajtur pasojat e diskriminimit politik për 8 vjet nuk arritën të gjenin një vend pune apo të zgjidhnin një hall të tyrin. Por përveç këtyre dy arsyeve ka dhe një arsye tjetër shumë të fortë që çoi në një humbje të besimit të njerzve të tek grupimi i djathtë. PD dhe Berisha vetë e futi qeverisjen në shumë linja të shpërndara saqë u krijua përshtypja se kjo forcë politike nuk e kishte të qartë se cilën shtresë përfaqësonte. Për një vit e gjysëm qeveria Berish nuk arriti të zgjidhë çështjen e shpërblimit të ish të përndjekurve duke e zvarritur këtë çështje madje edhe duke djegur fondin që ishte përcaktuar nga qeveria Nano. Pra ish të përndjekurit u zhgënjyen. Me bërjen e ligjit të legalizimive dhe fillimit të këtij procesi PD bëri armiq ish- pronarët të cilët e konceptuan këtë reformë si një sulm që po i bëhej pronave të tyre. Këtu ka shumë vend për dsikutim përsa i përket domosdoshmërisë së legalizimit dhe zgjidhjes së çështjes të pronave. Sodoqoftë edhe ish pronarët nuk dolën të kënaqur nga kjo qeveri në një viti e gjysëm. Këto dy shtresa kanë përbërë thelbin e elektoratit të PD-së. ndërsa ajo që i vuri kapak të gjithëve këtyre ishte mos mbajtja e premtimit për luftimin e korrupsionit. Perveç vendosmërisë së kryeministrit që e përsëriti këtë me mijra herë nuk u duk se u zhduk korupsioni në administratë . Njerëzit vuanin po ato pasoja nga administrata dhe torturoheshin po njësoj nga burokracia shtetërore. Sigurisht që për të shpjeguar humbjen e PD-së ka me dhjetra arsye për të cilat nuk do të mjaftonte një shkrim i vetëm. Megjithatë të kalojmë tek çështja se çdo të ndodhë pas kësaj. Së pari duhet të jetë e qartë për të gjithë se në këtë vend nuk do të zhvillohen zgjedhje të parakohshme dhe se kjo mazhorancë do të lihet që të mbyllë mandatin e saj 4 vjeçar. Shumëkush do të thotë se si do zgjidhet presidenti dhe si do shmanget kriza në këtë rast. Kjo sigurisht mbetet për tu parë por ajo që duhet theksuar ka të bëjë me faktin se komuniteti ndërkombëtar ka dhënë sinjale të forta që nuk është për zgjedhje të parakohshme në Shqipëri. Ato nuk do të sillnin asnjë gjë tjetër përveç se një kalvarf krizash të tjera që do ta çonin vendin shumë pas në rrugën e integrimit. Askush në Bruksel nuk ka ndërmend ta lejojë këtë. Tashmë ajo që i takon të bëjë Berisha dhe qeveria e tij përmblidhet në dy fjalë , karta identiteti dhe bashkëpunim me pushtetarët e rinj vendorë për të mirën e vendit. Ky vend duhet ti japë fund njëherë e mirë historisë së zgjedhjeve të kontestueshem dhe kjo bëhet vetëm duke i pajisur shqiptarët me karta identiteti dhe duke patur një rregjistër elektronik të gjendjes civile. Për këtë kjo qeveri ka kohë deri në fund të 2008-s për ti realizuar. Ndërsa në lidhje me bashkëpunimin mes pushtetit qëndror dhe atij vendor do të thoja se fundi konfliktualitetit dhe përplasjeve politike është e vetmja rrugë për të zhvilluar vendin dhe respektuar verdiktin e popullit. Në fund të fundit shqipëtarët në këto zgjedhje treguan pikën më të lartë të pjekurisë së tyre politike. Ky besoj se duhet të jetë një mësim i mirë për gjithë klasën politike shqiptare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›