E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vota e vështirë e emigrantëve

Sipas të dhënave zyrtare të përafërta, të ardhurat nga emigrantët janë rreth një miliardë euro në vit. Nuk është çudi që të jenë edhe më shumë, duke pasur parasysh se 50 % e ekonomisë shqiptare është e nëndheshme, pra e pa matshme me kriter rigoroz. Megjithatë, pavarësisht sasisë ekzakte që futet në mushkëritë e ekonomisë, është një thithje oksigjeni e pastër për vendin pasi bëhet fjalë për valutë të fortë dhe lubrifikant të ingranazheve ekonomikë. Këto të ardhura, vijnë nga produkti i vetëm që eksporton vendi, i cili është krahu i punës. Është pjesa më aktive e popullsisë sonë dhe fashë e popullsisë, e cila për shkak të largësisë nga atdheu, nuk ka mundësi të shprehet politikisht. Dhe është ky argument, që të dy krahët kryesorë të politikës, e ngrenë sidomos me afrimin e stinës zgjedhore. Po a është e drejtë që të votojnë emigrantët dhe përcaktojnë të ardhmen politike të vendit? Kuptohet, që diskutimi shtrohet për tezën e hedhur që emigrantët të votojnë pranë përfaqësive diplomatike shqiptare, dhe jo për ata që vijnë në atdhe me këtë synim, apo votojnë pasi gjenden rastësisht këtu. Duke u nisur nga kontributi ekonomik ndaj vendit, dhe ai i përkatësisë në moshën më aktive të jetës shoqërore, është një e drejtë që ju takon. Gjithashtu, emigrantët janë pjesa e popullsisë që për shkak të largësisë nga vendlindja ku kanë lënë në pjesën më të mirë të rasteve prindërit apo të afërmit; për shkak të margjinalizimit nga shoqëritë pritëse; si dhe shpesh tensionit etnik, ngase janë të vendosur kryesisht në vendet kufitare, janë edhe pjesa më nacionaliste e popullsisë. Ndaj ju takon të thonë fjalën e tyre për të ardhmen e vendit. Aq më shumë duke mos pasur interesa ekonomike direkte të lidhura me pushtetin, janë edhe vota më e pastër që mund të hidhet në kutitë e votimit. Por tej diskutimit akademik, ka problem moral, ligjor dhe logjistik, i cili e bën në mos të pa mundur dhe të gabuar, të vështirë dhe të pa drejtë këtë votë. Problemi moral, konsiston, në faktin se shpesh emigrantët kanë mendim iluziv për forcat politike që veprojnë në Shqipëri, çka mund të sjellë në pushtet një forcë politike që luan me ndjenjat e njerëzve, por nuk i përshtatet nevojave të vendit. Në fund të numërimit të votës, emigrantët do kthehen në vendet ku punojnë, ndërsa pasojat e votës së tyre, do ti heqë pjesa rezidente në atdhe. Është e vërtetë që këta njerëz në rrugë indirekte paguajnë për vendin e tyre, por taksa ndaj tyre ende nuk është direkte, ndaj edhe për këtë fakt vota e tyre nuk mund të përfaqësohet politikisht. Aspekti ligjor është se me sistemin aktual zgjedhor, shqiptarët jashtë atdheut nuk mund të përfaqësohen nga deputetë të caktuar. Më konkretisht, një emigrant nga Tirana i cili ndodhet në SHBA, nuk mund të votojë për deputetët e këtij qarku, pasi në Shqipëri nuk është ende koncepti i rezidencës, pra nuk dihet ku zyrtarisht e ka qendrën e tij në atdhe emigranti. Por edhe nëse zgjidhet ky gap, me sistemin aktual do duhej që në qendrën e votimit të kishte aq kuti sa qarqe ka. Ose duhej parashikuar që një numër i caktuar deputetësh të ishin nga korrektimi i votës, si në sistemin e shkuar zgjedhor. Në të kundërt të zbatohej skema italiane që të liheshin për emigrantët një numër i caktuar deputetësh që do vinin nga listat e partive. Pa harruar që para se ti futeshim kësaj rruge, italianët dhe vetë iniciatori, i ndjeri Mirko Tremaglia, u penduan për mospërshtatshmërinë e ligjit që bënë. Por edhe nëse zgjidhet ngecja ligjore, është problemi logjistik. Emigrantët në vendet ku janë stabilizuar, jetojnë në hapësira të mëdha, dhe shpesh në numër që i kalon qindra mijërat. Në këtë rast, shtrohet çështja që të votojnë në përfaqësinë diplomatike të Shqipërisë. Duke pasur parasysh që janë popullsi e re në moshë, pra me përqindje të lartë pjesëmarrje në votime, imagjinohen radhët në dyert e ambasadave. Do ishte një proces votimi dhe numërimi që do kërkonte një legjislaturë të plotë. Kjo e thënë ironikisht, pasi praktikisht është nul. Rruga tjetër, është hapja e qendrave të votimit në qytetet kryesore të shteteve mikpritëse të njerëzve tanë. Mbetet të gjenden njerëzit, dhe fondet. Dhe pasi të jenë gjetur edhe këto, mbetet të vendoset besimi midis komisionerëve dhe ndaj komisionerëve. E në fund të gjendet se kush do jetë ajo opozitë që do ti besojë rezultatit të dalë nga kutitë jashtë atdheut, kur numërimi dhe administrimi do bëhet detyrimisht nga diplomatët e MPJ, e cila dihet që në përfaqësitë jashtë shtetit ka vetëm emërtesa militantësh politik. Kur këta militantë janë edhe rezidentë në vendet ku janë akredituar, pra të pandjekshëm nga ligji shqiptar në raste shkeljesh të procesit zgjedhor, atëherë merret me mënd zallamahia që do bëhet. Nëse me një tifozllëk të pa precedent të Zotit dhe ndihmesë të tij në zbatim të kësaj sipërmarrje realizohen gjithë hallkat që përmendëm, a mund të mendohet që do imponojë zbatimin e ligjit Sekretari i Përgjithshëm i MPJ, i cili është qen i rrahur i pushtetit politik. Nëse po, atëherë logjika nuk banon më në këtë vend. E vërteta është se ne ju kemi detyrime emigrantëve, këtyre Magelanëve të kohëve moderne, sakrifica e të cilëve është e pashembullt. Janë shqiptarët që kurrë nuk kërkuan se çfarë bëri vendi i tyre për ta, por gjithmonë i dhanë atij. Nëse realisht duam t'ua shpërblejmë sado pak sakrificën, atëherë duhet të vëmë në dispozicion të tyre salla moderne dhe dinjitoze pritje në ambasada; personel diplomatik profesional; ndihmë në policitë e shteteve ku janë, apo përkrahje atyre që kanë biznese. Kështu, ju kemi treguar se nuk dimë vetëm t'iu marrim, por edhe të jemi krah tyre.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›