“Vota, vetëm për integrimin, jo votë politikës destruktive”
Ilir Meta prezanton në Kuçovë kandidatin e “Aleanca për Qytetarin”, Selfo Kapllani
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i shoqëruar nga deputetët e qarkut të Beratit, Nasip Naço, Genc Pollo, Lefter Maliqi në turin e tij elektoral për zgjedhjet e 8 majit është ndalur dje në qytetin e Kuçovës dhe Urës-Vajgurore. Kreu i LSI-së prezantoi kandidatin e “Aleancës për qytetarin” për Bashkinë e Kuçovës, Selfo Kapllani dhe atë për Bashkinë e Urës-Vajgurore, Thoma Rumniçi. Gjatë fjalës së tij Kryetari i LSI-së, Ilir Meta duke mbështetur kandidatin e “Aleancës për Qytetarin”, Kapllanin theksoi se me këtë kandidat në 9 Maj do të nisë një faqe e re për Kuçovën dhe për të gjithë popullin e saj. “Ky koalicion në vitin e parë me një punë të jashtëzakonshme arriti të heqë vizat për të gjithë kuçovarët dhe të gjithë shqiptarët. Edhe pse ju e dini shumë mirë që sa shumë pengesa iu vunë nga lidershipi i Partisë Socialiste këtij procesi madhor nga i cili nuk përfituan vetëm ata të cilët përkrahin këtë koalicion, por përfituan të gjithë shqiptarët pa asnjë dallim politik. Jam i bindur se nga Çeku si Kryetar i ri i Bashkisë do të përfitojë i gjithë komuniteti i Kuçovës, do të përfitojnë të gjithë qytetarët e Kuçovës”, tha Meta. Gjithashtu kreu i LSI-së, Meta ka theksuar se modestia e Çekut, se aftësitë e tij edhe si inxhinier edhe si drejtues, por mbi të gjitha se dashuria e tij për Kuçovën dhe për të gjithë bashkëqytetaret e tij do të na ndihmojë që 9 maj të nisim një faqe të re për Kuçovën dhe për të gjithë këtë popull të mrekullueshëm. “Jam i bindur që ai i ka të gjitha aftësitë për të paraqitur dhe për të hartuar së bashku me ju dhe me të gjithë intelektualët e Kuçovës që nuk i mungojnë dhe s’i kanë munguar asnjëherë projektet e domosdoshme që e zhvillojnë Kuçovën, jo vetëm në drejtim të përmirësimit të infrastrukturës dhe shërbimeve të ndryshme, por jam i bindur se ai do të vijë së bashku me të gjithë ju në partneritet me qeverinë, me sipërmarrjet, me bankat për të nxitur ato aktivitete të rëndësishme, të domosdoshme që kërkojnë rritjen e punësimit pasi ky është një popull i cili njihet si popull mjaft punëtor dhe është detyra jonë, është detyra e Kryetarit të ardhshëm të Bashkisë, është detyra e qeverisë dhe të gjithëve për t’i dhënë mundësi që të punojnë dhe të jetojnë më mirë me djersën e tyre”, u shpreh Meta. Në emër të Lëvizjes Socialiste për Integrim kreu i saj , Ilir Meta ka falënderuar të përfaqësuesit e Partisë Demokratike të Kuçovës, Fadil Marën, Rustem Beramajn e shumë të tjerë për mirëkuptimin që kanë treguar për të mbështetur këtë kandidaturë e cila tani është e të gjithëve, ka shtuar ndër te tjera, Meta. Duke shtuar me tej se kjo kandidaturë nuk është vetëm e forcave që përbejnë Aleancën për Qytetarin, por tani Çeku është për kandidaturën e çdo qytetari të Kuçovës që kërkon ndryshim.
“Me votën e 8 Majit qytetarët e Kuçovës do të votojnë për t’u bashkuar për qytetin e tyre, për një harmoni të re për një raport të ri në mes të këtij komuniteti të mrekullueshëm që do t’i japi mundësi për të ecur përpara në një të ardhme të sigurt”, theksoi Meta.
“Votoni për Selfo Kapllanin, votoni për një ndryshim të madh të rëndësishme për të gjithë popullin e mrekullueshëm të Kuçovës”- përfundoi fjalën e tij kreu i LSI-së Meta.