Rritje të re pagash e pensionesh, pas suksesit ekonomik të 2010-s

Shefi i mazhorancës, Sali Berisha deklaron se janë krijuar kushtet për planifikimin e një rritjeje të re pagash e pensionesh, pas rezultateve mbresëlënëse ekonomike të 3-mujorit të parë të këtij viti, por edhe për shkak të rritjes ekonomike prej 5,4 përqind në vitin 2010. Në krye të masave sociale mbetet rritja e re e pagave dhe e pensioneve, por edhe intensifikimi i projekteve infrastrukturore
“Qeveria duke respektuar plotësisht të gjithë treguesit e parashikuar makroekonomik do të jetë në gjendje t’i përgjigjet pikë për pikë rritjes së pensioneve, rritjes së ndihmës ekonomike dhe rritjes së rrogave të administratës”.
Kështu u shpreh dje kryeministri i vendit dhe njëherazi kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha para ligjvënësve demokratë, në mbledhjen javore të grupit kuvendor. Kryeministri Berisha u ndal gjatë kësaj mbledhje në ecurinë e ekonomisë së vendit, performanca e së cilës nuk garanton vetëm rritjet e rrogave dhe pensioneve, por garanton edhe përmbushjen e të gjitha projekteve të mëdha e të vogla të shpallura për këtë vit.
“Në këtë takim unë dëshiroj t’ju informoj ju mbi ecurinë e ekonomisë së vendit, e cila është dhe, pa diskutim, ecuria më me interes për çdo qytetar shqiptar. Ky tremujor mbyllet me rezultate konkrete ekonomike në prodhim dhe të ardhura më mirë se çdo tremujor tjetër në historinë e vendit. Në këtë tremujor eksportet kanë një rritje totale prej mbi 68 përqind, ndër të cilat rritja e eksporteve ‘Made in Albania” përbën pjesën e luanit. Unë do e vlerësoja të një rëndësie shumë të veçantë performancën e të ardhurave, e cila krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar është shumë e mbarë. Kjo do të thotë se qeveria duke respektuar plotësisht të gjithë treguesit e parashikuar makroekonomik do të jetë në gjendje t’i përgjigjet pikë për pikë rritjes së pensioneve, rritjes së ndihmës ekonomike dhe rritjes së rrogave të administratës. Mendoj se ky është një lajm i gëzueshëm për 810 mijë familje shqiptare, në buxhetin e të cilave rrogat apo pensionet kanë kontributin kryesor familjar. Kjo ndodh në Shqipëri, si një nga vendet më të pakta në Europë dhe në botë, pasi siç jeni në dijeni në vende të tjera vazhdon masivisht ulja e rrogave e pensioneve. Jo vetëm që janë ndërprerë, por ato po ulen. Performanca ekonomike nuk garanton vetëm rrogat dhe pensionet, të cilat unë i garantoj të parat, por garanton përmbushjen e të gjitha projekteve të mëdha e të vogla, të shpallura për këtë vit”, u shpreh Berisha.
Duke u ndalur në vendimin më të fundit të qeverisë për heqjen e tarifës për mallrat e importuara nga sipërmarrjet fason dhe ri-eksportin e tyre si prodhime, kryeministri theksoi se kjo është një masë që do të fuqizojë dhe do të ndihmojë shumë shndërrimin e këtyre ndërmarrjeve në ndërmarrje prodhuese e eksportuese tërësisht shqiptare; ndikon fuqishëm në krijimin e dhjetëra e mijëra vendeve të reja pune dhe përbën një ftesë e inkurajim të madh për investitorët e kësaj industrie nga mbarë bota që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri.
“Vendimi i fundit që mori qeveria dhe që shumë shpejt do të vij në Parlament, për të hequr tarifën për mallrat e importuara nga sipërmarrjet fason dhe rieksportin e tyre si prodhime më pas, është një masë që do të fuqizojë dhe do të ndihmojë shumë shndërrimin e këtyre ndërmarrjeve në ndërmarrje prodhuese e eksportuese tërësisht shqiptare. Do të ndikojë fuqishëm në krijimin e dhjetëra e mijëra vendeve të reja pune, si dhe përbën një ftesë e inkurajim të madh për investitorët e kësaj industrie nga mbarë bota që të vijnë dhe të investojnë në Shqipëri”, deklaroi më tej kryeministri Sali Berisha.
Kreu i ekzekutivit uroi në këtë mbledhje deputetët e rinj Aurel Bylykbashi, zotin Kosta Barka dhe zotin Ndriçim Babasi. Gjithashtu, mbledhja e djeshme e grupit kuvendor të Partisë Demokratike, nisi me një minutë heshtje në nderim të kujtimit të kryegjyshit të bektashizmit, Baba Dede Reshat Bardhi.