E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Politika e shpifjes dhe e përbaltjes, e vetmja rrugë e Edi Ramës për të mbuluar dështimin e tij 11-vjeçar”

05-04-2011 / Gazeta 55

Deklaratë e deputetit të PD në Tiranë, Gert Bogdani

Deputeti i partisë Demokratike Gerti Bogdani ka reaguar përmes një deklarate për shtyp duke u përqendruar te kryetari i opozitës, Edvin Kristaq Rama i cili edhe gjatë ditës së djeshme, e cila u shpall ditë zie kombëtare në nderim të kujtim të Baba Dede Reshat Bardhit, s’mundi të ndalë dot fushatën e shpifjeve. “Është për të ardhur keq që edhe sot, ne ditën e zisë kombëtare për shkak të ndarjes nga jeta të një udhëheqësi shpirtëror në vend, Edi Rama vijoi politikën e shpifjes e përbaltjes së kundërshtarit, duke treguar mungesë respekti për traditat më të mira të vendit”, u shpreh deputeti i PD-së, Bogdani.
Më tej Bogdani theksoi se “të gjithë në Tiranë e dinë se politika e shpifjes dhe e përbaltjes është e vetmja rrugë e Edi Ramës me të cilën ai po kërkon të mbulojë faktin se nuk ka një bilanc të punëve në Bashki, dhe faktin që vjen duarbosh në këto zgjedhje”.
Ndër të tjera deputeti i Partisë Demokratike, Bogdani duke iu referuar kandidatit të PD-së, Lulzim Bashës i cili kandidon për kryetar bashkie në tiranë deklaroi se ai është ndryshe. “Basha është çdo ditë në mes të qytetarëve të Tiranës duke dëgjuar shqetësimet e tyre dhe duke ndarë me ta zgjidhjen e problemeve. Ndërsa sot, Lulzim Basha anuloi të gjitha aktivitetet e fushatës në nderim të kujtimit të Baba Dede Reshat Bardhit”, tha më tej Bogdani. Në përfundim të kësaj deklarate ai tha se “në të kundërt politika e Edi Ramës, jo vetëm nuk nderon kujtimin e një personaliteti të nderuar, por nuk sjell asgjë të re për qytetin e Tiranës. Nuk ndërton asnjë shkollë të re, asnjë rrugë të re, nuk zhvillon asnjë lagje, dhe nuk zgjidh asnjë nga problemet e shumta që ka Kryeqyteti”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›