Padia, pensionistët tërhiqen, i hapin rrugë PS për një tjetër ankimim në Kolegj
TIRANË- Kolegji Zgjedhor pushoi dje çështjen e ankimuar nga partia e Pensionistëve, për pavlefshmërinë e vendimit të zgjedhjeve për Tiranën dhe ripërsëritjen e tyre. Në fakt ka qenë kjo parti që ka kërkuar pushim të çështjes pas refuzimit të Kolegjit Zgjedhor,
për të bashkuar shqyrtimin e çështjes së tyre me atë të Partisë Socialiste. Sipas përfaqësuesit ligjor të kësaj partie, partia e Pensionistëve pretendon pavlefshmëri të vendimit të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për rezultatin e Tiranës, pra objekti i kërkesë padisë është i njëjtë me atë të socialistëve, ndaj çështjet duhet të ishin bashkuar. Refuzimi i Kolegjit Zgjedhor për të bashkuar dy çështjet në një, ka bërë që partia e Pensionistëve të Shqipërisë të kërkonte pushimin e kërkesës për vetë faktin se një vendim i mundshëm i Kolegjit për të rrëzuar kërkesën e kësaj partie do t’i paraprinte pafuqisë ligjore të PS-së për të ankimuar rezultatin përfundimtar për Tiranën, pasi kërkesa e tyre njëherë e shqyrtuar nga Kolegji nuk do të trajtohej më. Partia e Pensionistëve kërkoi gjithashtu pushimin e çështjes edhe për një arsye tjetër duke u nisur nga refuzimi i Kolegjit Zgjedhor për të ndërruar trupën gjykuese që do ta shqyrtonte atë. Partia e pensionistëve pretendonte se kjo trupë gjykuese ishte shprehur një herë për këtë çështje, kur mori vendim për kërkesë padinë e PS-së, prandaj Gjykata e Apelit duhet t’i drejtohej KLD-së për të ndryshuar gjyqtarët, kërkesë që Kolegji e rrëzoi. Gjatë seancës së djeshme, e cila nisi në orën 10:00 të paradites, partia e pensionistëve kërkoi edhe përjashtimin e dy avokatëve të Partisë Demokratike, me pretendimin se ata janë të punësuar në Kryeministri e si të tillë nuk mund të jenë përfaqësues me prokurë, një kërkesë tjetër kjo e rrëzuar nga Kolegji. Tërheqja e kërkesës nga ana e Partisë së Pensionisteve, në fakt i lë rrugë të lirë PS-së për të drejtuar një tjetër kërkesë padi pranë Kolegjit Zgjedhor. Pak ditë më parë, në një deklarim për mediat, kryetari i PS-së, Edi Rama, deklaroi se rruga ligjore do vazhdojë të ndiqet, pavarësisht se sipas tij, në KQZ nuk pritet asgjë tjetër përveç vazhdimit të “kanibalizmit me votat e qytetarëve dhe me kutitë ku ata kanë votuar”. Në vlerësimin e kreut të opozitës, vendimi i Kolegjit Zgjedhor ishte i turbullt.