E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolegji: Kodi nuk ndalon numërimin e votave të hedhura gabim

TIRANË Me firmën pro të 5 anëtarëve dhe asnjë kundër, Kolegji Zgjedhor ka zbardhur dje vendimin e plotë, që argumenton se pse padia e paraqitur nga PS-ja duhet të rrëzohet sa i përket pretendimit, lidhur me konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të vendimit të KQZ nr. 709, datë 23.05.2011 "Për vlerësimin e fletëve të votimit të pavlerësuara dhe të panumëruara për Kryetarin”. Në vendimin e tij, Kolegji argumenton gjerësisht se vendimi i KQZ-së nuk gëzon cilësitë e një akti normativ, por përbën një akt individual, i cili, miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së. Konkretisht, Kolegji argumenton se nëpërmjet këtij vendimi është rregulluar një marrëdhënie juridike specifike, e cila ka lindur pas kërkesës së disa KZAZ-ve të njësisë zgjedhore, Bashkia Tiranë, lidhur me fatin e një kategorie votash të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar brenda të njëjtës qendër votimi. Për pasojë, Kolegji thekson ndër radhë se pala e paditur, KQZ-ja, i ka dhënë përgjigje përfundimtare çështjes së ngritur përpara saj nga ana e disa KZAZ-ve, duke përcaktuar po në mënyrë përfundimtare edhe statusin ligjor të fletëve të votimit të panumëruara e të pavlerësuara, të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar brenda të njëjtës qendër votimi, duke i përfshirë si vota të vlefshme në rezultat. Duke kundërshtuar pretendimet e PS-së, Kolegji ka sqaruar gjithashtu se nuk plotësohet asnjë prej rasteve të parashikuara nga neni 116 i Kodit të Procedurës Administrative, për tu konstatuar pavlefshmëria absolute e aktit administrativ, pasi sipas Kolegjit, akti ka dalë nga një organ i identifikuar siç është KQZ, organ i përcaktuar dhe autorizuar nga ligji që në funksion të realizimit të detyrimeve të tij ligjore legjitimohet të shqyrtojë çështjet administrative, që lidhen me procesin zgjedhor. Kolegji ka kundërshtuar gjithashtu pretendimet e PS-së se pala e paditur KQZ-ja nuk ka kompetencë të shqyrtojë një situatë të tillë, pasi ajo është detyrim i KZAZ-ve. Një pretendim i tillë konsiderohet i pabazuar, pasi, sipas Kolegjit, KQZ-ja si organ qendror i parashikuar nga Kodi Zgjedhor është organi epror i administratës zgjedhore dhe si i tillë ushtron dhe kompetencat e organeve të varësisë, në rastet kur ato nuk mund të ushtrojnë detyrat e tyre. Po sipas Kolegjit, Kodi Zgjedhor në asnjë dispozitë të tij nuk parashikon moslejimin apo ndalimin e vlerësimit dhe numërimit të një sasie të caktuara votash, qofshin këto të hedhura në kutinë e gabuar, dhe po kështu nuk ndalon të drejtën e çdo zgjedhësi, që vota e tij të shqyrtohet dhe të vlerësohet nëse është e vlefshme apo jo. Kolegji i referohet gjithashtu edhe nenit 45 të Kushtetutës dhe është ky përcaktim, sipas tij, që detyron KQZ-në jo vetëm të numërojë, por edhe të vlerësojë votat e zgjedhësve në arritjen e qëllimit final, sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor. Edhe pretendimi tjetër i PS-së, se KQZ-ja ka ndryshuar rregullat e lojës pas zhvillimit të procesit zgjedhor, çmohet i pabazuar nga Kolegji, pasi në rastin konkret, sipas tij, nuk kemi një situatë të tillë. Sipas Kolegjit, KQZ-ja nuk ka normuar rregulla të reja sjelljeje, por ka zgjidhur një situatë të re të patrajtuar më parë, situatë e krijuar në një moment të caktuar paszgjedhor. Nga pala paditëse në asnjë moment, megjithëse u pretendua, Kolegji citon se nuk u paraqit si provë asnjë akt apo udhëzim shkresor i KQZ-së, që ka rregulluar më parë një situatë të tillë. Për pjesën tjetër të pretendimeve, Kolegji vendosi pushimin e gjykimit me argumentin se këto vendime janë të papërcaktuara, si në objektin e padisë dhe nuk u përcaktuan si të tilla as gjatë gjykimit të çështjes nga pala paditëse, duke mbetur për pasojë, abstrakte dhe si të tilla nuk mund të investonin Kolegjin në shqyrtimin e tyre.

Vendimi i Kolegjit Zgjedhor:

Kolegji Zgjedhor vlerëson se, për t'i dhënë përgjigje pretendimit të palës paditëse, PSSH lidhur me cilësinë e Vendimit të KQZ-së nr.709, datë 23.05.2011, si akt normativ apo akt individual duhet të referojë te dispozitat e Kodit të Procedurave Administrative dhe në doktrinë e së drejtës administrative. Kodi i Procedurave Administrative, nëpërmjet nenit 105, ka sanksionuar se akte administrative, në kuptim të këtij ligji janë vetëm aktet, të cilat krijojnë pasoja juridike në raste individuale. Ndarja që teoria e së drejtës administrative i bën akteve të nxjerra nga organet e administratës publike në akte individuale dhe akte normative, paraqitet si i rëndësishëm, pasi nga kuptimi i drejtë dhe i qartë i secilit akt varen hyrja e tyre në fuqi, si dhe organi përkatës gjyqësor, që do t'i shqyrtojë për efekt të vlefshmërisë së tyre. Akti administrativ individual rregullon në veçanti marrëdhënie konkrete, të posaçme, për një çështje specifike dhe ndaj një subjekti apo grupi subjektesh të përcaktueshëm. Nëpërmjet aktit individual, nuk vendosen norma të përgjithshme abstrakte. Karakteri individual i aktit dallohet nga specifika e problemit konkret që ai rregullon. Akti normativ, në dallim nga akti individual, vendos rregulla të detyrueshme sjelljeje, në përgjithësi dhe për një kompleks marrëdhëniesh juridike.

Duke iu kthyer rastit të paraqitur për shqyrtim, Gjykata e Apelit vlerëson se vendimi i KQZ-së nr.709, datë 23.05.2011 nuk gëzon cilësitë e një akti normativ, në kuptim të nenit 23/2 të Kodit Zgjedhor, por përbën një akt individual, i cili, në kuptim të nenit 24/1, paragrafi i fundit të Kodit Zgjedhor, miratohet me shumicën e votave të të gjithë anëtarëve të KQZ-së. Konkretisht, nëpërmjet këtij vendimi është rregulluar një marrëdhënie juridike specifike, e cila ka lindur pas kërkesës së disa KZAZ-ve të njësisë zgjedhore, Bashkia Tiranë, lidhur me fatin e një kategorie votash të hedhura aksidentalisht në kutinë e gabuar brenda të njëjtës qendër votimi. Statusi juridik i kësaj marrëdhënieje nuk shtrihet në të gjitha KZAZ-të e njësisë zgjedhore, Bashkia Tiranë, dhe aq më pak në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, pasi aktivizimi i KQZ-së rezulton vetëm për nëntë ZAZ të kësaj njësie zgjedhore. Gjithashtu, disponimi i KQZ-së, nëpërmjet këtij vendimi është konkret, pra, nuk ka natyrë abstrakte. KQZ ka vendosur që të përfshijë në tabelat e rezultateve të disa QV -ve dhe Tabelat Përmbledhëse të Rezultatit për zgjedhjet në KZAZ-të respektive, fletët e votimit të panumëruara dhe të pavlerësuara, ndryshime të cilat do të pasqyrohen edhe në Tabelën Përmbledhëse të Rezultatit për zgjedhjet për kryetar të zonës zgjedhore, Bashkia Tiranë.

Pse akti nuk është absolutisht i pavlefshëm

Duke iu referuar kërkimit të palës paditëse dhe bazës ligjore të përdorur prej saj në kërkesë padi, konstatohet se në kërkimin e saj ajo i referohet vendimit nr. 709 dt, 23.05.2011 të KQZ, si akt administrativ absolutisht i pavlefshëm, bazuar në nenet 116 e 117 të KPr.Administrarive. Në analizë të provave të paraqitura prej palëve në gjykim dhe të aktit objekt kundërshtimi nga pala paditëse, Kolegji Zgjedhor konstaton, se nuk plotësohet asnjë prej rasteve të parashikuara nga neni 116 i KPr.Administrative, për tu konstatuar pavlefshmëria absolute e aktit administrativ, vendimi nr 709 dt. 23.05.2011 i KQZ Tirane. Akti është nxjerrë nga një organ i identifikuar siç është KQZ, organ

i përcaktuar dhe autorizuar nga ligji, që në funksion të realizimit të detyrimeve të tij ligjore, legjitimohet të shqyrtojë çështjet administrative që lidhen me procesin zgjedhor. Akti i nxjerrë nga ky organ ka të gjitha gjitha ekstremitetet e një akti të mirëfilltë administrativ si simboli i organit, data e nxjerrjes, firmat e përfaqësuesve të tij, të dhëna këto që e bëjnë atë të vlefshëm në kuptim të pikës "a" të nenit 116 të K.PrAd. Përsa i përket kompetencës së palës së paditur KQZ për të nxjerrë këtë akt sipas pikës "b" të nenit 116 të K.Pr.Administrative, Kolegji çmon se edhe në këtë rast pretendimet e palës paditëse janë të pabazuara dhe pala e paditur KQZ ka vepruar brenda kompetencave ligjore te saj. Në gjykim u provua se pala e paditur KQZ u vu në lëvizje për shqyrtimin e kërkesave të ardhura nga KZAZ-të e Bashkisë Tirane për problemin e dalë gjatë numërimit të votave, në lidhje me votat e hedhura në kutitë e gabuara dhe të pavlerësuara. Po ky kërkim i është drejtuar asaj edhe nga një prej subjekteve zgjedhore Partia Demokratike e Shqipërisë. Ndodhur para kësaj situate, ishte detyrim ligjor i palës së paditur KQZ-ja i rrjedhur nga neni 21 i K.Z, që të shprehej mbi këtë situatë

zgjedhore të krijuar dhe ti jepte zgjidhje asaj. Ky detyrim i palës së paditur KQZ-ja është realizuar nëpërmjet procedurës së ndjekur prej saj për miratimin e vendimit objekt gjykimi...Duke qenë se është KQZ, organi i vetëm i përcaktuar në këtë ligj që është ngarkuar për zbatimin e tij dhe zgjidhjen e të gjitha çështjeve dhe problemeve që lidhen me zgjedhjet, është ky organ që legjitimohet të shqyrtojë çdo ankesë apo problem juridik që lidhet me mbarëvajtjen e procesit zgjedhor, si para dhe pas zgjedhjeve.

Në pretendimet e saj, pala paditëse ka pretenduar se pala e paditur KQZ nuk ka kompetencë të shqyrtojë një situatë të tillë, pasi ajo është detyrim i KZAZ-ve.

Një pretendim i tillë konsiderohet i pabazuar nga Kolegji dhe në kundërshtim me ligjin. KQZ si organ qendror i parashikuar nga Kodi Zgjedhor, është organi epror i administratës zgjedhore dhe si i tillë ushtron dhe kompetencat e organeve të varësisë, në rastet kur ato nuk mund të ushtrojnë detyrat e tyre. Mbi bazë të kësaj cilësie, edhe KZAZ-të i janë drejtuar këtij organi për zgjidhjen e një situate konkrete të krijuar gjatë procesit paszgjedhor, e patrajtuar më parë dhe e parregulluar me akte të mëparshme nënligjore nga KQZ. Duke qenë se pala e paditur KQZ është organi kompetent përgjegjës për administrimin dhe zhvillimin e zgjedhjeve lokale në Republikën e Shqipërisë dhe në njësinë qeverisëse Bashkia Tiranë, ka pasur detyrim ligjor për shqyrtimin e këtij rasti të paraqitur dhe zgjidhjen e tij. Në kuadër të këtij detyrimi është kryer edhe hetimi administrativ nga pala e paditur dhe nxjerrja e vendimit nr. 709 dt. 23.05.2011 te saj, si përfundim ligjor i këtij hetimi të zhvilluar. Akti administrativ i kundërshtuar, vendimi nr. 709 dt. 23.05.2011 nuk mund të konsiderohet se është nxjerrë në shkelje të formës dhe procedurës së kërkuar për nxjerrjen e aktit administrativ sipas pikës "c ' të K.Pr.Administrative, siç pretendohet nga pala paditëse, ashtu sikurse edhe vendimi i dt.18.05.2011 (i miratuar ne parim). Megjithëse i pretenduar nga kjo palë nuk u provua asnjë rrethanë e shkeljes se procedurave për marrjen e tij, shkelje e tillë e rëndësishme që do të çonte në pavlefshmërinë absolute të aktit. Duke iu referuar materialeve të ndodhura në dosje si procesverbalet e mbledhjeve të KQZ-së, rezulton se shqyrtim administrativ nga ky organ është kryer në përputhje me kërkesat e ligjit konkretisht neni 22 i Kodit Zgjedhor. Një tjetër aspekt i vlefshmërisë së aktit administrativ vendimi nr.709

dt.23.05.20l1 të KQZ është dhe përputhja e tij me përmbajtjen e ligjit... Kodi Zgjedhor në asnjë dispozitë të tij nuk parashikon moslejimin apo ndalimin e vlerësimit dhe numërimit të një sasie të caktuara votash, qofshin këto të hedhura në kutinë e gabuar, vota që shprehin qartë vullnetin e zgjedhësve që kanë votuar dhe po kështu nuk ndalon të drejtën e çdo zgjedhësi që vota e tij të shqyrtohet dhe të vlerësohet nëse është e vlefshme apo jo. Një akt i tillë vjen në përputhje edhe me qëllimin e vetë ligjit, Kodit Zgjedhor që është administrimi i procesit zgjedhor dhe shpallja e rezultatit të zgjedhjeve, si qëllim final pas gjithë procedurave administrative të ndjekura. Eshtë Kushtetuta e Shqipërisë që në nenin 45 të saj ka dhënë përcaktimin e votës dhe është detyrimi Kushtetues për vlerësimin e votës, që detyron KQZ- në jo vetëm të numërojë por edhe të vlerësojë votat e zgjedhësve në arritjen e qëllimit final, sigurimin e integritetit të procesit zgjedhor...Në lidhje me pretendimin se KQZ-ja ka ndryshuar rregullat e lojës pas zhvillimit të procesit zgjedhor edhe ky çmohet i pabazuar nga Kolegji, pasi në rastin konkret nuk kemi një situate të tillë. Me vendimin objekt gjykimi KQZ nuk ka normuar rregulla të reja sjelljeje, por ka zgjidhur një situatë të re të patrajtuar më parë, situatë e krijuar në një moment të caktuar paszgjedhor. Nga pala paditëse, në asnjë moment, megjithëse u pretendua, nuk u paraqit si provë asnjë akt apo udhëzim shkresor i KQZ-së, që ka rregulluar më parë një situatë të tillë, që të mund të provohej se u ndryshua me vendimin objekt gjykimi. Referimi i kësaj pale në nenin 123 të K.Zgjedhor është i gabuar, pasi situata juridike nuk është pjesë e vlerësimit sipas kësaj dispozite. KQZ ka ushtruar kompetencat e një organi përmbledhës të të gjitha rezultateve dhe tabelave të paraqitura nga KZAZ-te e Tiranës, e kjo procedurë është kryer para kryerjes se detyrimeve të përcaktuara ne nenin 123 të K.Zgjedhor. Përsa i përket kërkimit tjetër të kërkesë padisë, atij për pavlefshmërinë e veprimeve dhe vendimeve të ndërmjetme të KQZ-së, Kolegji Zgjedhor çmon se duhet vendosur pushimi i gjykimit të çështjes. Konstatohet gjatë gjykimit, se këto vendime janë të papërcaktuara si në objektin e padisë dhe nuk u përcaktuan as gjatë gjykimit të çështjes nga pala paditëse, duke mbetur në këtë mënyrë abstrakte të tilla që nuk mund të investojnë Kolegjin në shqyrtimin e tyre. Ndodhur në këto rrethana, çmohet se për këto kërkime padia duhet të pushohet.

Për këto arsye Kolegji vendosi

Rrëzimin e kërkesë padisë së palës paditëse, Partia Socialiste e

Shqipërisë, përsa i përket kërkesës për konstatimin si absolutisht të pavlefshëm të Vendimit nr.709, datë 23.05.2011 të palës së paditur, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, Tiranë. Pushimin e gjykimit të çështjes, lidhur me kërkimin për anullimin e vendimeve të ndërmjetme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Tiranë. Ky vendim është i formës së prerë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›