E Diel, 1 Nëntor 2026

Votimet e pjesshme, Haxhinasto kryeson shtabin

Zëvendëskryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Edmond Haxhinasto, do të kryesojë shtabin elektoral të LSI-së për zgjedhjet e 15 nëntorit. LSI-ja zhvilloi dje pasdite mbledhjen e radhës së Kryesisë së kësaj partie, ku veç të tjerash kryetari Ilir Meta u ndal te zgjedhjet e pjesshme lokale. "Është dhe përgjegjësia jonë që të mos i lëmë qytetarët në këto zona ku do zhvillohen zgjedhjet vendore, pa alternativa, pa mundësi zgjedhjeje dhe në radhë të parë ata qytetarë, të cilët janë të majtë dhe preferojnë të votojnë për një alternativë të majtë", tha ai. Meta theksoi se për këtë arsye është shpallur kandidati për minibashkinë nr. 10 të kryeqytetit. Më tej, Meta analizoi objektivat e mëtejshëm të LSI-së dhe organizimin e saj. "Jam i bindur se, përveç angazhimit tonë në qeverisjen e vazhdueshme në të gjitha nivelet, ne do të vazhdojmë që nga kryesia këtu dhe strukturat tona në gjitha rrethet, për të ecur më tej në analizën e zgjedhjeve të 28 qershorit dhe njëkohësisht për të përgatitur dhe shtratin për zgjedhjet e reja të LSI-së gjatë fillimit të vitit të ardhshëm", tha ai.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›