E Shtunë, 31 Tetor 2026

Durrës, kërkohet më tepër hapësirë për universitetin

Ngritja e një kampusi universitar është bërë mjaft e domosdoshme, për studentët e Universitetit "Aleksandër Moisiu" në Durrës. Ata jo vetëm që nuk kanë konvikte, mensa studentore apo ambiente të tjera çlodhëse, por as auditorë të mjaftueshëm për të studiuar. Rritja e numrit të studentëve nga viti në vit ka nxjerrë në pah domosdoshmërinë për shtesë në godinën ekzistuese, por që gjithsesi dhe ajo nuk mendohet të jetë zgjidhja përfundimtare. Janë 4500 studentë që ndjekin 30 degët e ofruara në fakultetet e këtij universiteti dhe gjatë këtij viti akademik orët e leksioneve dhe seminareve realizohen për një pjesë të studentëve dhe në ambientet e disa shkollave të mesme të qytetit bregdetar. Në katër vjet jetë të këtij universiteti, fluksi i studentëve nga Durrësi dhe rrethe të tjera të vendit ka ardhur në rritje dhe po ashtu nevoja për hapësirë e auditorë të rinj. Kjo ka bërë që rektorati i këtij universiteti të kërkojë të zgjerojë numrin e auditorëve dhe të kërkojë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit në Bashkinë e Durrësit lejen përkatëse për zgjerim të godinës akademike. Leja është kërkuar për godinë shumëfunksionale shtatëkatëshe dhe një kat nëntokë. Ndërtesa ku sot ngrihet universiteti "Aleksandër Moisiu" u ndërtua si shkollë 9-vjeçare për banorët e zonës, ndërsa premtimi elektoral për një universitet në Durrës gjatë fushatës së vitit 2005 i dha jetë universitetit më të ri në vend, që u vendos në këtë godinë të re dykatëshe. Dy vjet më pas, ndërtesa u zgjerua dhe tashmë rektorati ka realizuar një studim, që parashikon përballimin e studentëve nëse do të ketë shtesa të tjera katesh, përfshirë dhe shtesat anësore. Ndërkaq, për studentët nga rrethet mbetet problem strehimi. Ata duhet të përballojnë një kosto të lartë mujore për ushqim dhe fjetje që shkon nga 30-35 mijë lekë të reja. Fillimisht u deklarua se universiteti do të ndërtohej në ish-godinat e fermentimit të duhanit në Durrës, por sot aty janë ngritur dy prej qendrave më të mëdha tregtare në qytet. Një mundësi shumë e mirë është edhe ish-fabrika e cigareve në lagjen nr. 1 të qytetit bregdetar, që ka një sipërfaqe të konsiderueshme dhe godina të ngritura të gatshme për rikonstruksion e përshtatje, por ajo u është kthyer pronarëve. Aktualisht, godina është e braktisur dhe vetëm oborri i saj është kthyer në parkim për automjetet. Ekspertë të urbanistikës në Durrës mendojnë se ky objekt do të ishte një gjetje shumë e mirë për universitetin dhe mund të zgjidhej nga shteti përmes një marrëveshjeje kompensimi me pronarët aktualë.

V.Qyrfyçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›