E Shtunë, 31 Tetor 2026

Partitë e vogla rebelohen, PS e PD nuk miratojnë ndryshimin e sistemit

SHKRUAN: Fejzi Braushi 15-12-2011 11:47

Kreu i PR lë mbledhjen e komisionit të Reformës Zgjedhore, për shkak të mospërfshirjes në planin e punës të diskutimit të sistemit zgjedhor dhe përllogaritjes së votave

Dy partitë e mëdha përjashtojnë nga axhenda e punës së komisionit të Reformës Zgjedhore pikën për diskutimin e ndryshimit të sistemit zgjedhor. Plani i punës i miratuar dje me votat e vetëm dy partive të mëdha nuk e parashikon një diskutim të tillë, çka duket se i ka vënë ata në konflikt me të vegjlit gjatë mbledhjes së djeshme. Pikërisht kjo çështje është bërë shkak i debateve të forta gjatë mbledhjes së djeshme, ndërkohë që kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu ka lënë mbledhjen në mënyrë demonstrative, pasi nuk është pajtuar me mënyrën sesi dy partitë e mëdha po e menaxhojnë punën në komision. Ndërkohë që nga ana tjetër, përfaqësuesit e PD dhe PS-së kanë sqaruar pjesëtarët e tjerë të komisionit se plani i punës është hartuar duke u bazuar te 52 rekomandimet e OSBE/ODIHR-it dhe se çështja e sistemit zgjedhor dhe ajo e përllogaritjes së mandateve do të diskutohen në fund, nëse do të ketë amendamente apo propozime në tryezë.

Mbledhja

Komisioni i posaçëm i Reformës Zgjedhore ka zhvilluar dje mbledhjen e tij të dytë zyrtare, ku në rend të ditës ka pasur raportimin mbi punën e kryer nga sekretaria për njoftimin e partive politike dhe institucioneve të tjera për paraqitjen e mendimeve të tyre për reformën, si dhe miratimin e një plani të detajuar pune për mënyrën sesi do orientohen në kohë diskutimet për secilin kapitull të Kodit Zgjedhor. Por mbledhja, ashtu si dhe radhën e parë ka kaluar me shumë debate, ku sërish përfaqësuesit e partive të vogla kanë kërkuar më shumë të drejta në punën teknike, duke u përfaqësuar me ekspertë në grupin e punës, si dhe të adresohet në planin e punës edhe shqyrtimi i sistemit zgjedhor dhe neni i Kodit që përcakton formulën e përllogaritjes së mandateve. Kështu mësohet se kreu i PR-së, Fatmir Mediu dhe deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo, kanë kërkuar me forcë së pari që të kenë përfaqësues në grupin e ekspertëve, pasi ata vetë ishin përfaqësues politikë dhe nuk mund të diskutonin për çështje teknike. Përveç kësaj, ata mësohet se kanë këmbëngulur që në planin e veprimit të përcaktohej në fillimin e listës së gjërave që do diskutohen edhe ndryshimi i sistemit zgjedhor, si dhe formula e përllogaritjes së mandatave. Por këto qëndrime janë konsideruar të pajustifikuara nga përfaqësuesit e PD-së dhe PS-së në komision, të cilët kanë kërkuar të sqarojnë kolegët e tyre të partive të vogla se tryeza e komisionit është e hapur për të diskutuar çdo propozim, përfshi këtu edhe sistemin zgjedhor dhe formulën e përllogaritjes së mandateve, në rast se do të ketë propozime nga kushdo. Por kjo s’ka mjaftuar që të qetësohet situata dhe kreu i PR-së, Fatmir Mediu është larguar nga mbledhja, duke deklaruar jashtë për mediat se e ndjente veten të tepërt në komision për sa kohë ai nuk diskutonte çështjet e rëndësishme “Profesioni thjesht teknik për çështje të ngritura nga OSBE/ODIHR për anën teknike të procesit, mendoj që e minimizon shumë punën e këtij komisioni dhe nuk sjell atë produkt që do të mirëpriste gjithë shoqëria shqiptare dhe votuesit shqiptarë. Dhe për sa kohë është një komision teknik, pjesëmarrja politike më duket krejt e tepërt”, - tha Mediu.

Vendimi

Pavarësisht qëndrimit kundërshtues të partive të vogla, komisioni ka miratuar vetëm me votat e anëtarëve të dy partive të mëdha planin e punës, i cili përmban 7 pika, ku në pikën e fundit përcaktohen dhe nenet si dhe afatet kohore në të cilat do diskutohen ato. Bie në sy në këtë plan pune mungesa e adresimit të dy çështjeve të kërkuara nga përfaqësuesit e partive të vogla, diskutimi i neneve që flasin për sistemin dhe përllogaritjen e mandatave.

Plani i punës së Komisionit

Nenet në Kodin Zgjedhor që do të trajtohen nga ekspertët dhe më pas Komisioni:

i. Regjistrimi i subjekteve dhe kandidatëve (dhjetor 2011)

ii. Fushata zgjedhore (dhjetor 2011)

iii. Media në fushatën zgjedhore (dhjetor 2011)

iv. Financimi i zgjedhjeve (dhjetor 2011)

v. Regjistrimi i zgjedhësve (janar – mars 2012)

vi. Procedurat e votimit (janar – mars 2012)

vii. Numërimi i votave (janar – mars 2012)

viii. Nxjerrja dhe shpallja e rezultatit (janar – mars 2012)

ix. Administrata Zgjedhore (janar – mars 2012)

x. Procesi i Ankimit (janar – mars 2012)

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›