Votimi në Kuvend, Topalli: Ruçi rrëmbeu fletët e votimit

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka dënuar ashpër dhunën e deputetëve të opozitës për bllokimin e procedurave të votimit në seancën e sotme parlamentare. Duke akuzuar kryetarin e grupit socialist Gramoz Ruci si orkestrues të gjithë situatës kryeparlamentarja Topalli, në një deklaratë të publikuar për mediat thekson se ishte pikërisht ai që rrëmbeu fletët e votimit duke mos lejuar votimin me kuti.
“Në seancën e sotme parlamentare, pikën e rendit të ditës për votimin e anëtarit të KLD, nisi procedura në përputhje me Rregulloren e Kuvendit e votimit te fshehtë dhe me kuti, për dy kandidaturat alternative të paraqitura sipas vullnetit konsensual te dy paleve. Procedura e votimit te fshehte me kuti, parashikon se sekretariati i votimit, administron procesin me fuqi te plota. Ai administron fletet e votimit të cilat vulosen dhe firmosen nga të gjithë anëtarët përpara se t`i dorëzohen secilit deputet që kryen procedurat e votimit. Votimi kryhet individualisht në dhomën e fshehtë të ngritur për këtë qëllim. Kështu ka ndodhur votimi ne 20 vjet parlamentarizem kur cdo deputet voton brënda parlamentit, kështu ka ndodhur votimi në 20 vjet demokraci, kur cdo shqiptar voton në zgjedhje. Për herë të parë sot, grupi i opozitës dhunshëm kërkoi të ndryshoheshin këto procedura, kërkoi qe ti rrëmbente kompetencën sekretariatit të votimit dhe procesi i votimit të administrohej sipas urdhrave qe Gramoz Ruci i merrte me telefon. Në këtë akt dhune, Gramoz Ruci, pasi konsumoi kërcënimet për bllokim të votimit, rrëmbeu fletët e votimit për të mos lejuar votimin me fletë” thuhet në deklaratë.
Në këtë kontekst Topalli sqaron se në një situatë të tillë Parlamenti, në përputhje me Rregulloren procedoi me votimin e fshehtë me elektronike.