E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha ne PPE Shqiperia ne 100 vjetor projekt madhor integrimin ne BE

Kryeministri Berisha mori pjesë sot, në Bruksel, në Konferencën me temë “Ballkani Drejt Integrimit Evropian”, organizuar nga Grupi i Partive Popullore Evropiane në Parlamentin Evropian.
Në drekën e shtruar nga Kryetari i grupit të PPE-ve në Parlamentin Evropian, z. Joseph Daul, për nder të të pranishmëve, para nisjes së Konferencës, Berisha shprehu mirënjohjen e thellë për interesin e madh që ka treguar grupi parlamentar i Partive Popullore Evropiane ndaj Shqipërisë dhe zhvillimeve në këtë vend. Ai vlerësoi parimet dhe vlerat që ndajnë së bashku Partitë Popullore Evropiane dhe u shpreh se ndihej i nderuar që merrte pjesë në punimet e kësaj konference të rëndësishme. Shqipëria, nënvizoi Kryeministri, nuk synon gjë tjetër më të madhe se integrimi evropian, një proces i cili duhet mbështetur tërësisht mbi performancën.
Më tej, Kryeministri i njohu të pranishmit me zhvillimet në Shqipëri, duke theksuar se Shqipëria ka pasur një rrugë të mundimshme, por që ka qenë një rrugë përparimi. Pas dy vite me probleme unike, jeta parlamentare tani është krejtësisht normale, u shpreh Kryeministri, ndërsa siguroi se gjithmonë është udhëhequr nga parimi i respektit të plotë ndaj opozitës. Kryeministri theksoi se pas zgjedhjeve lokale, jeta parlamentare është kthyer plotësisht në normalitet, opozita ka pranuar gjithçka është propozuar, u arrit një marrëveshje që deri tani është respektuar plotësisht nga të dy palët dhe po procedohet me reformat e ligjeve që kanë nevojë për 3/5 e votave për t’u miratuar.
Duke shprehur bindjen e tij të thellë se procesi i integrimit është jetësor për qytetarin shqiptar, Kryeministri siguroi se qeveria është e angazhuar dhe po punon për integrimin e vendit, reforma elektorale ka përparuar shumë, reformat e tjera kanë përparuar, jeta ekonomike u shpëtoi ndikimeve të krizës financiare evropiane dhe vitin e shkuar rritja ekonomike ishte 3,8 %.

Joseph Daul: PPE mbështet integrimin Ballkanit Perëndimor
Në fjalën e tij, z. Joseph Daul, duke vlerësuar rëndësinë e kësaj konference, tha se ajo shpreh mbështetjen e PPE-ve për procesin e integrimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ai siguroi se Partitë Popullore do të luajnë një rol shumë të rëndësishëm për të mbështetur gjithë vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Evropa është pa diskutim zgjidhja dhe jo problemi, kështu që, zgjerimi është në synimet tona dhe në vëmendjen tonë në të ardhmen. Ky takim, pikërisht në një periudhë të vështirë për BE-në dhe në kohën e krizës financiare është një tregues dhe një sinjal shumë i fortë për rëndësinë që ka zgjerimi i BE-së për PPE-të dhe ne si grup parlamentar i PPE do të bëjmë gjithçka për të mbështetur integrimin e Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Kryetari i grupit të PPE-ve në Parlamentin Evropian, z. Joseph Daul.

Kukan: Ky, viti i mundësive për vendet e Ballkanit Perëndimor
Gjatë punimeve të Konferencës, zoti Kukan theksoi: “PPE ia ka dalë mbanë në krijimin e një formati të duhur për zgjidhjen e çështjeve të rëndësishme për miqtë dhe kolegët tanë në Ballkan si dhe për ne. Fjala është që diskutimi të mbahet në nja atmosferë konstruktive dhe kjo është ajo për të cilën kemi nevojë. Disa vjet më parë ndërmorrëm një angazhim ndaj vendeve të Ballkanit Perendimor, ku u theksua se ardhmja e këtij rajoni është brenda BE-së. E di që duhet thënë e rithënë pasi është një çështje thelbësore. Ky vit është viti i mundësive për vendet e Ballkanit Perendimor. Axhenda e integrimit është e qartë. Miqtë tanë shqiptarë kanë një listë prioritetesh dhe reformash me të cilat duhet punuar deri sa të bëhet vlerësimi i radhës, përsa i përket integrimit evropian. Siç dëgjuam nga Kryeministri Berisha , ata po punojnë fort në të gjitha këto drejtime, por që kjo të jetë plotësisht e suksesshme lipset dialogu dhe bashkëpunimi midis të gjitha palëve. Dhe rezultatet konkrete që duhet të vinë nga ky dialog janë argumenti më bindës për ne.

Bernd Posselt: 5 vendet e BE-së të njohin Pavarësinë e Kosovës
Eurodeputeti Bernd Posselt MEP, duke u ndalur te integrimi i vendeve të Ballkanit Perëndimor, theksoi se është shumë e rëndësishme që 5 vendet e mbetura të BE-së të njohin pavarësinë e Kosovës. Kjo është e rëndësishme, jo vetëm për Kosovën, por edhe për të ardhmen e BE-së, tha ai, ndërsa theksoi se duhet të punohet edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Fjala e Kryeministrit Berisha në Konferencën me temë “Ballkani Drejt Integrimit Evropian”
Së pari me lejoni t’ju falënderoj nga zemra për këtë rast të madh, për t’ju njohur me përpjekjet e Shqipërisë, me progresin e Shqipërisë, drejt Bashkimit Evropian. Vendi im, që këtë vit do të festojë vitin e 100-të të Pavarësisë, aktualisht ka si projektin më të madh integrimin në BE. Ky projekt mbështetet gjerësisht nga shqiptarët, 94% e tyre besojnë në këtë projekt. Unë besoj se ata janë njerëz të zgjuar, ata besoj në të sepse e ndjejnë që përmes tij do të bëhen më të sigurt, më të lirë, më të begatshëm. Prandaj qeveria ime është plotësisht e përkushtuar në një univers reformash, për të realizuar këto objektiva.
Shqipëria në të kaluarën ka patur të dhëna të hidhura për krimin e organizuar, tani ka të dhëna të qarta kristal më të ulta se mesatarja e vendeve anëtare të BE për sa i përket krimeve të rënda. Vitin e kaluar patëm më shumë se 4 milionë turistë, asnjë prej tyre nuk ka patur asnjë problem në vendin tim, veçse mikpritjes.
Në vendin tim korrupsioni ishte një problem shumë i madh, ende është problem, por ne jemi përherë të angazhuar në luftën kundër tij. Në shumë aspekte ne jemi vendi i parë në botë me prokurime plotësisht elektronike. Vendi im tani ka online të gjitha shpenzimet buxhetore në të gjithë vendin. Ka një politikë penaliteti kundër korrupsionit, qindra e qindra zyrtarë janë penalizuar gjatë këtyre viteve. Cili është rezultati i përgjithshëm i kësaj lufte? Rezultati i përgjithshëm i kësaj lufte është: në 6 vjet 7 miliardë dollarë më shumë se më parë, jo të gjitha për shkak të luftës ndaj korrupsionit, por shumica e tyre vinë nga lufta kundër korrupsionit. Rezultate të tjera: një klimë shumë më e drejtë në të gjitha prokurimet publike. Reforma të thella janë bërë për privatizimin e të gjithë sektorëve.
Për mua konsiderimi i korrupsionit si “mater matrix” i të gjitha gabimeve të shoqërisë është dhe do të mbetet një prioritet kryesor lufta ndaj tij.
Mirëqenia është një qëllim fisnik për çdo vend, por asnjë vend nuk ka bërë më shumë në 20 vjet se sa vendi im. Më lejoni t’ju kujtoj se në vitin 1992 Shqipëria dhe Angola ishin vendet më të varfra në botë. Tani Shqipëria renditet në nivelin e vendeve me të ardhura mesatare, të larta.
Vjeshtën e shkuar në vend u bë një census dhe të dhënat siguronin se shtresa e mesme e konsoliduar është rezultat i këtyre 20 viteve. Shqiptarët lanë prapa 5 vende të OECD-së. Reformat tona ekonomike funksionuan dhe ne kemi barrën fiskale më të ulët, përpiqemi të krijojmë një klimë miqësore ndaj investitorëve. Në 4 vitet e fundit, investimet e huaja direkte, duke iu referuar UNCTAD, janë rritur me 316 % dhe eksportet, nga viti 2009, deri në vitin 2011, janë mbidyfishuar. Kështu, që në 5 vite, rritja ekonomike në total ka qenë 21 %. Gjithsesi, pasojat e krizës janë të pranishme, por ne besojmë se liria është ilaçi më i mirë. Kështu që ne po ecim përpara me reformat. Ne besojmë se ekonomia duhet të jetë e bazuar mbi dijet, prandaj, 2005 ne kemi patur 12 studentë për çdo 1000 banorë, ndërsa tani kemi 49 studentë për çdo 1000 banorë. Ne po punojmë fort, që të ruajmë dhe ta zhvillojmë cilësinë në universitetet tona. Shqiptarët, si çdo qytetar tjetër i Evropës, meritojnë një sistem shëndetësor cilësor. Përpjekje të mëdha po bëhen.
Çfarë kemi arritur këtë vit? Ne kemi arritur statistikat njëshifrore përsa i përket vdekshmërisë foshnjore në vend. Ne kemi një nga vdekshmëritë më të ulëta të nënave në botë. Ne kemi përqindjen më të ulët foshnjore nga të gjitha vendet ish-komuniste. Ne kemi aksesin më të lehtë në sistemin shëndetësor. Ne po punojmë gjithashtu për një infrastrukturë të re rrugore, që do t'u mundësojë shqiptarëve në të gjithë skajet e vendit që të arrijnë në destinacionin e tyre duke kursyer 60 % të kohës. Ne ishim një nga vendet me përhapjen më të ulët të Internetit, ndërsa tani kemi arritur mesataren e vendeve evropiane në këtë drejtim.
K]ëto janë arritjet, por ne kemi patur gjithashtu problemet tona serioze dhe për këtë u jam shumë mirënjohës Partive Popullore Evropiane, Parlamentit Evropian dhe Komisionit Evropian, për ndihmën e madhe që kanë dhënë për të zgjidhur ngërçin me opozitën. E vërtetë është se opozita nuk ka qenë asnjëherë një opozitë anti-evropiane. Por ata luftuan, duke mos votuar në parlament, dhe kujtuan se nëpërmjet kësaj, ata do të penalizonin qeverinë dhe se do të përfitonin nga kjo. Por ky ishte një gabim. Erdhën zgjedhjet vendore dhe ata humbën, duke marrë 12 % më pak vota sesa mazhoranca. Ata humbën Tiranën dhe ata pranuan më në fund atë që qeveria u kishte ofruar çdo ditë për dy vjet me radhë. Tani po punojmë bashkarisht, në një klimë normale, duke treguar konstruktuvitet dhe reciprocitet, dhe vjeshtën e shkuar u arrit një marrëveshje nga të dyja palët. Dhe, shpresojmë që kjo klimë do të vazhdojë, dhe Shqipëria do ta shënojë progres të mëtejshëm në drejtim të integrimit evropian, të cilin si proces unë e konsideroj si të bazuar tërësisht në meritë dhe performancë, në interesin më të mirë të qytetarëve shqiptarë. Dhe kjo është mënyra më e denjë që të ecim drejt projektit më madhor që kemi”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›