E Shtunë, 31 Tetor 2026

Votimi në Universitete, nesër rezultatet paraprake

TIRANË- Procesi i votimit në universitetet publike po vijon normalisht dhe do të mbyllet në orën 16.00. Rreth 150 mijë studentë, 5000 pedagogë dhe 3000 persona të administratës, po votojnë për të zgjedhur rektorët, dekanët, shefat e departamenteve dhe organet e tjera të senatit e këshillave të fakulteteve. 

Vëmendja e këtij procesi është përqëndruar në Universitetin e Tiranës, ku kandidojnë për postin e rektorit, Prof. Dr. Dhori Kule dhe pedagogia Mimoza Hafizi. 

Kandidati Dhori Kule u shpreh për mediat se në fund të procesit të votimit nuk do të ketë të humbur, ka vetëm të fituar. "Do të fitojë universiteti, ai mision për të cilin tashmë ne jemi në rrugën e mbarë, forcimi i standardeve cilësore". 

"Pjesëmarrje sa më e madhe në votime, vëmendje në momentin kur hidhni votën që ta hidhni me koshiencë", u shpreh pedagogia e Fakultetit të Shkencave të Natyrës, Mimoza Hafizi , kandidate për rektore. Pritet që në mbrëmje, pas mbylljes së procesit, të fillojë numërimi, për të shpallur nesër rezultatet paraprake.

Votimi, sot zgjidhen drejtuesit e Universiteve dhe Fakulteteve
Stafi i pedagogëve, studentët dhe administrata e shkollave të larta publike të 11 universiteteve të vendit sot votojnë për të zgjedhur rektorë, dekanë dhe drejtuesit e departamenteve.

Në këtë garë do të përzgjidhen 11 rektorët që do të drejtojnë për katër vitet e ardhshme universitetet publike. Numri i zëvendësrektorëve do të jetë më i madh, pasi çdo universitetet do të ketë dy të tillë. Në këto zgjedhje, do të votohet edhe për 60 dekanët e fakulteteve, rreth 250 shefa departamentesh.

Për Universitetin e Tiranës do të ngrihen 10 komisione zgjedhore në Fakultet dhe për çdo 1 mijë studentë do të ketë një qendër votimi. Gara më e fortë është ajo për vendin e rektorit. Në këtë post kandidon Prof Dok Dhori Kule. Përballë Kules është profesoresha e Asociuar Mimoza Hafizi e diplomuar në vitin 1985 në degën Fizikë Speciale 5-vjeçare. Për fakultetin e Histori Filologjisë, Profesor Shezai Rrokaj rikandidon për drejtimin e këtij fakulteti. Përballë tij është profesori i gjeografisë, ish zëvendës dekan Dhimitër Doka.

Ndërsa ne Fakultetin e Mjekësisë, kandidat për dekan janë Pëllumb Pipero, Bajram Hysa, Genc Sulcebe, Arben Baboci. Ndërsa, në Fakultetin e gjuhëve të huaja kandidatë janë Kloteda Dibra dhe Viktor Ristani duke bere garen edhe me te forte per shkak te kandidateve. Në Fakultetin e Shkencave të Natyrës kandidatë për dekan janë Ilirjan Malollari dhe Mynyr Koni.

Në Fakultetin e Ekonomisë kandidojnë dekanët Andri Koxhaj dhe Sulo Haderi. Ndërsa në Fakultetin e Drejtësisë kandidon i vetëm Altin Shegani shef i Departamentit të së Drejtës Penale ashtu sic edhe në Fakultetin e Shkencave Sociale ku kandidon Theodhori Karaj. Në Fakultetin e Infermierisë rikandidon Petrit Bara.

Në zgjedhjet e sotme, 11 universitet publike do të kenë drejtuesit e tyre, pa mandate të limituara, me një rregullore të përgatitur nga senati i faktulteteve dhe rektoratit dhe me shumicë të votës së stafit të pegagogëve, të 20% të studentëve dhe adiministratës publike. Sipas rregullores, konsiderohet fitues në postin e autoriteteve drejtuese, ai kandidat që renditet i pari në listë dhe rezultati i tij në përqindje është jo më i vogël se 33%. Nëse nga llogaritja e rezultatit të votimit kanë dalë dy ose më shumë kandidatë me pikë të barabarta, fituesi do të zgjidhet me short. Në rastin e një kandidature të vetme për postin e autoriteteve drejtuese, konsiderohet fitues nëse rezultati i tij në përqindje është mbi 50%.

(el.me/er.nu//BalkanWeb) Lidhje te tjera Zgjedhjet sot në Universitetet e gjithë vendit

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›