Votimi nga jashtë, propozimi i dy anëtarëve të Komisionit Rregullator: Të zgjatet afati me 5 ditë

TIRANË, 4 mars /ATSH/ Dy anëtarë të Komisionit Rregullator, Helga Vukaj dhe Muharrem Çakaj kanë kërkuar sot në mbledhjen e Komisionit Rregullator, shtyrjen e afatit deri më datë 9 mars të regjistrimit të shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë vendit në Platformën Elektronike të Regjistrimit (PER) për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Konkretisht, sipas propozimit të anëtarëve të Komisionit Rregullator kërkohet “një afat shtesë 5-ditor, gjatë të cilit zgjedhësve që iu është refuzuar kërkesa mund të riaplikojnë, duke plotësuar dokumentacionin dhe kërkesat ligjore, si dhe për zgjedhësit e tjerë të mund të regjistrohen”.
“Siç jeni në dijeni, nga data e miratimit të këtij akti e deri më sot, figurojnë rreth 284.643 kërkesa unike për regjistrim të zgjedhësve shqiptarë me banim jashtë vendit, nga ku rezulton se janë regjistruar rreth 227.259 zgjedhës unikë, si dhe janë refuzuar mbi 42.274 zgjedhës unikë”, thuhet në propozimin e KRR.
“Vetëm tri ditët e fundit janë paraqitur rreth 42.295 kërkesa për regjistrim në PER nga shtetas shqiptarë që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, duke dëshmuar kështu një interes shumë të lartë në rritje për pjesëmarrjen në procesin zgjedhor të 11 majit 2025”, thuhet në propozimin e KRR-së.
Po ashtu sipas propozimit të anëtarëve të Komisionit Rregullator, “element tjetër i rëndësishëm për t’u konsideruar është fakti se vota e diasporës aplikohet për herë të parë në Shqipëri dhe kjo sigurisht që ka sjellë vështirësi të shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit për t’u njohur me këtë proces, për të kryer procedurat e regjistrimit dhe paraqitur dokumentacionin e kërkuar, çka provohet nga numri i lartë i kërkesave të refuzuara”.
Sipas Komisionit Rregullator “kjo kohë shtesë do t’u japë mundësi të gjithë atyre shtetasve që dëshirojnë të regjistrohen dhe marrin pjesë në këtë proces të regjistrohen në PER dhe eventualisht të votojnë nëpërmjet shërbimit postar”.
“Teknikisht ky propozim është plotësisht i realizueshëm dhe nuk krijon asnjë vështirësi përveçse iu jep mundësi bashkëkombasve tanë që të marrin pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit 2025”, thuhet në propozimin e KRR.
Nga ana tjetër përfaqësuesja e Partisë Socialiste në KQZ, Elena Xhina në një prononcim për Agjencinë Telegrafike Shqiptare, tha se Partia Socialiste është dakord që të shtyhet afati i regjistrimit me disa ditë për aplikantët të cilët janë regjistruar, por kërkesa e tyre është refuzuar nga KQZ.
Sipas saj, i duhet dhënë edhe një mundësi e dytë shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit, të cilët kanë një llogari në sistemin PER, numri i të cilëve është rreth 42 mijë.
/r.e/a.f/