E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fondacioni Vodafone Albania mbështet restaurimin e mozaikut

Breaking Views

Gjatë muajit qershor dhe në vazhdim u zbatua faza e parë e projektit për konservimin dhe restaurimin e mozaikut në faqen ballore të Muzeut Historik Kombëtar në Tiranë, projekt ky i mundësuar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Monumenteve të Tiranës dhe Institutit të Monumenteve, si dhe me mbështetjen e Fondacionit Vodafone Albania. Faza e parë e këtij projekti konsiston në evidentimin dhe analizimin nga afër të problematikave që paraqet kjo vepër. Gjatë këtyre analizimeve u evidentuan dëmtime dhe problematika të një shkalle të konsiderueshme të materialit përbërës dhe lidhës, çarje dhe fraktura strukturale etj. Tashmë në fazën përfundimtare të dokumentimit, studimit dhe të sondazheve, po merren masat e duhura për nisjen sa më shpejt të punimeve. Në kuadër të këtij projekti, në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, u zhvillua një takim me mediat ku u theksua rëndësia e një investimi të tillë për këtë vepër të rëndësishme kulturore dhe historike për vendit tonë. E pranishme në këtë takim ishte zv.ministrja e Kulturës, Znj.Suzana Turku, e cila u shpreh për mediat se mozaiku është një vepër artistike e krijuar 30 vjet më parë dhe është një rast i mrekullueshëm që pas 30 vjetësh studiohen dëmtimet që ka pësuar ky mozaik dhe merren masa për rikonstruktimin e tij. I pranishëm në këtë aktivitet ishte gjithashtu drejtori ekzekutiv i Fondacionit Vodafone Albania, i cili e konsideroi këtë projekt si një ngjarje të rëndësishme për imazhin dhe vlerat e trashëgimisë kulturore e historike për çdo shqiptar. Në fjalën e tij, ai përgëzoi stafin teknik që jo vetëm paraqiti propozimin cilësor për t’i hapur rrugë këtij bashkëpunimi, por që gjithashtu bashkoi në të pikërisht vlerat e një biznesi të përgjegjshëm si Vodafone Albania, i cili iu përgjigj nevojës për realizimin e restaurimit të kësaj vepre historike që i shërben jo vetëm brezit të sotëm, por edhe atyre që do të vijnë.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›