Votohet në parim Ligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë

Në Kuvendin e Kosovës sot u paraqit për lexim të parë projektligji “Për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë”, i propozuar nga deputetja e Grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëndosje!, Alma Lama. Sipas, propozueses, ky projektligj u votua me 62 vota, 3 abstenime dhe 1 kundër.
Projektligji për mbrojtjen e burimeve të gazetarisë
Ky projektligj i ka dy shtylla kryesore: së pari garanton se askush nuk mund t’i detyrojë gazetaret të nxjerrin burimin e tyre të informacionit, dhe, së dyti, askush nuk mund t’iu marre gazetareve materialet e tyre te punës, kasetat, fletoret e shënimeve, të kontrollojë posten e tyre, të bastisë makinat, shtëpitë apo redaksitë e tyre.
Projektligji mbron jo vetëm gazetarët, por te gjithë profesionistët e tjerë të medias që kanë informacion për burimet, si kameramanët, fotoreporterët, montazherët, shoferët, etj. pra stafin që ka informacion për shkak të profesionit që ushtron.
Projektligji njeh të drejtën e heshtjes për gazetarët, kur ata thirren në procese gjyqësore, për të dëshmuar në lidhje me informacionin që e kanë mbledhur për t’ia servirur publikut.
Projektligji i mbron gazetaret edhe në raste të shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, kur disa të drejta të njeriut suspendohen.
Pothuaj secili shtet i BE-së i mbron burimet e gazetarëve me ligj, me një ligj të veçantë si ky, ose me dispozita të përfshira në ligje të tjera.
Sipas arsyetimit të deputetes Lama, ky ligj nuk duhet të ngatërrohet në asnjë moment me ligjin për Shpifjen dhe Fyerjen, i cili është miratuar në legjislaturën e kaluar.
Po kështu ky projektligj nuk ka kosto financiare./Indeksonline/