Votuesve u është bërë presion
Akuzat e kandidatit të PD, Gentjan Pere
Vetëm pak orë pas nisjes së procesit ka qenë kandidati i Partisë Demokratike, Gentian Pere që ka hedhur i pari akuza. Sipas kandidatit të PD-së, militantë të konkurrentit kanë ushtruar presion mbi votuesit. “Kanë vazhduar presionet në disa qendra dhe këto të dhëna i kam nga vëzhguesit. Njëkohësisht ka patur edhe përplasje me komisionet. Kam komunikuar me kandidatin tjetër, por e njëjta gjë vazhdon ende. Është jo vetëm mos zbatim i Kodit Zgjedhor, por njëherazi një presion i hapur ndaj njerëzve dhe komisionerëve. I kërkoj KZAZ-së, por edhe komisioneve të respektojnë Kodin Zgjedhor, pasi në të kundërt unë në përgjigje të kësaj situate do të tërheq komisionerët dhe vëzhguesit” - u shpreh ai. Pas këtyre akuzave ka reaguar kandidati i Lëvizjes Socialiste për Integrim për komunën Dardhas, Genci Hamollari si dhe kreu i LSI-së për Pogradecin. Sipas tyre akuzat e kandidatit të PD-së janë thjeshtë justifikime për disfatën që e pret. “Procesi i votimit paraqitet shumë në rregull. Në çdo 20 minuta ne marrim informacion për të gjitha qendrat e votimit dhe vazhdon shumë i rregull. Në një disfatë mundohen të justifikohen dhe nuk janë të mira për mendimin tim”- tha ai. Ndërkaq në orët e mesditës, një konflikt është shënuar pranë një qendre votimi, i cili fillimisht është raportuar si një konflikt midis militantëve. Megjithatë policia ka sqaruar se sherri nuk ka pasur lidhje me zgjedhjet dhe personat nuk ishin militantë të asnjë force politike. Ndërkohë për çdo incident, policia e Korçës ka ngritur tashmë edhe disa grupe të gatshme, të cilat monitoruar situatën në komunën e Dardhasit.