Aleatët sërish s’janë pjesë e axhendës së Ramës, vendet janë zënë me sistemimin e sekserëve
Duke marrë shkas nga numri i votave të marra në zgjedhjet e 23 qershorit, janë thuajse të përcaktuara edhe postet që do përfitojnë aleatët e PS-së, ku numri më i madh do ti takojë LSI-së
Edhe pse pritej që pas përcaktimit të strukturës së re të qeverisë dhe emrave që do të drejtojnë ministritë e kabinetit të ri, Kryeministri i ardhshëm i vendit të mblidhte aleatët e majtë për të përcaktuar postet që ata do të përfitojnë në nivel të dytë të pushtetit, kjo ende nuk ka ndodhur. Burime pranë selisë rozë bëjnë të ditur se kërkesat e aleatëve të majtë, të mbërritura me kohë në selinë e purpurt për poste zv.ministrash dhe prefektësh janë marrë në shqyrtim. Po ashtu, këto burime kanë bërë të ditur se takimi i kryesocialistit me aleatët e tij, i cili pritet të zhvillohet kokë më kokë me secilin preje krerëve të partive pjesëmarrëse në koalicionin e majtë, është shtyrë vazhdimisht për shkak të angazhimeve të Ramës. Marrë shkas edhe nga mbledhja që do të zhvillojë kreu i qeverisë së re me kabinetin e tij ditën e hënë, pritet që takimi i Ramës me aleatët të shtyhet më tej, me shumë mundësi nga mesi ose fundi i kësaj jave. Por nga ana tjetër, një tjetër opsion është edhe ai që takimi për ndarjen e pushtetit i liderit të së majtës me aleatët të zhvillohet edhe pas mandatimit të qeverisë së re në Parlament më 9 shtator. Ndërkohë aleatët, pasi kanë dorëzuar prej më shumë se dy javësh në selinë e PS-së kërkesat e tyre për postet e zv. Ministrave, prefektëve dhe drejtorëve në qarqet kryesore të vendit, mbeten në pritje të telefonatës së kreut socialist për të kuptuar se cila do të jenë përfitimet e tyre politike në kuadër të kontributit që dhanë në fitoren e së majtës më 23 qershor. Siç dihet, Rama është i zënë me sistemimin e sekserëve si fillim dhe kjo s’dihet sa do tw zgjasë deri në formësimin e kabinetit të klientelistëve.