E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kandidati i PD akuza kundërshtarit: Militantët kanë ushtruar presion mbi votuesit

02-09-2013 / Gazeta 55

Zgjedhjet e pjesshme në komunat Dardhas dhe Rrethina, procesi vijoi normalisht

Dje u zhvilluan zgjedhjet e pjesshme për kryetar komune në dy njësi vendore, në komunën Rrethina të Shkodrës dhe në komunën Dardhas të Korçës. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësja e KQZ tha se procesi i votimit nisi dhe vijoi normalisht në të gjitha qendrat e votimit. Në komunën Dardhas garuan Gentjan Pere i PD e Genci Hamollari i LSI. Në të votuan 2700 zgjedhës të ndarë në 6 qendra votimi. “Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mori të gjitha masat e nevojshme për të shpërndarë materialet zgjedhore në kohë për të filluar procesi i votimit në dy komunat si dhe realizoi trajnimin specifik për anëtarët e KZAZ-ve dhe KQV-ve. Procesi i votimit në Komunën Dardhas dhe Rrethina ka filluar në orën 7.00 të mëngjesit të sotëm dhe po ecën normalisht. Sipas informacioneve të inspektorëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe KZAZ-së nr. 2 dhe KZAZ-së nr.73 deri tani nuk ka patur asnjë problem apo incident”- tha ajo.
Sipas KQZ-së, në komunën Dardhas morën pjesë në votime 59.67% e zgjedhësve, ose 1539 votues nga 2579 që janë në total, nga të cilët 786 kanë qenë femra. Ndërsa sa i takon komunës Rrethina, KQZ informon se pjesëmarrja në votime ka qenë 34%. Nga 16.829 zgjedhës në total që ka kjo komunë në votimet e sotme morën pjesë 5722 zgjedhës, nga të cilët 2149 ishin femra.
Sipas zëdhënëses, aktualisht komisionerët e qendrave të votimit po dorëzojnë materialet zgjedhore pranë KZAZ-ve. Në këto momente në qarkun e Shkodrës janë dorëzuar materialet zgjedhore të 6 qendrave të votimit pranë KZAZ-së nr. 2. “KQZ, në zbatim të kodit zgjedhor, ka përgatitur gjithë infrastrukturën e nevojshme në vendet ku do të bëhet numërimi i votave. Përveç bazës ligjore në dy vendet e numërimit të votave, janë vendosur edhe kamerat që do të regjistrojnë dhe shfaqin fletën e votimit, të cilat do të rrisin transparencën e procesit”, tha zëdhënësja Hoxhaj. Sipas saj, KZAZ nr.73 disponon emrat e anëtarëve të grupit të numërimit të propozuar nga partitë politike, pjesëmarrëse në proces, dhe po kryejnë procedurat e emërimit të tyre. “KQZ ngre shqetësimin se në KZAZ nr.2 në Shkodër partitë politike nuk kanë dërguar ende pranë KZAZ-së emrat e anëtarëve të grupeve të numërimit që do të numërojnë fletët e votimit. KQZ ripërsërit apelin në adresë të partive politike: PD, PS dhe LSI, ku dy të fundit janë në koalicion, që të mos shkaktojnë vonesa në fillimin e procesit të numërimit të votave dhe të sjellin sa më shpejt emrat e anëtarëve të grupeve të numërimit”, theksoi zëdhënësja Hoxhaj.
Për Komunën Rrethina në Shkodër, numërimi do të bëhet tek Pallati i Sportit, kurse numërimi për Komunën Dardhas tek shkolla 9- vjeçare. KQZ apeloi subjektet politike, Partinë Demokratike, Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim që të mos shkaktojnë vonesa për fillimin e procesit të numërimit të votave, por të dorëzojnë sa më parë emrat për anëtarë të grupeve të numërimit të votave. Zgjedhjet e pjesshme lokale në komunën Dardhas, po zhvillohen pasi Këshilli i Ministrave shkarkoi nga detyra Aleksandër Çelën e PS, pasi Inspektorati i Lartë i Deklarimit të Pasurive i bëri kallëzim penal për mosdeklarim të ardhurash. Ndërsa në komunën Rrethina janë 16 829 votues të ndarë në 24 qendra votimi. Ndërsa në komunën Rrethina të Shkodrës, zgjedhjet lokale erdhën pas shkarkimit të ish Kryetarit Kleves Muja i cili akuzohet për vepra të ndryshme penale. Në këtë komunë garojnë Ridvan Guri i PD-së dhe Luan Harusha i PS-së.
Komuna Rrethina, 5 722 votues iu drejtuan kutive të votimit/5 722 votues të komunës Rrethina në Qarkun e Shkodrës i janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur kreun e ri të kësaj komune. 24 Qendrat e votimit janë hapur që në orën 7 të mëngjesit ndërkohë që në këtë proces nuk janë konstatuar probleme. Dy kandidatët që garojnë për postin e kryetarit të Komunës Rrethina, Ridvan Guri i Partisë Demokratike dhe Luan Harusha për Partinë Socialiste, u shprehën të kënaqur me ecurinë e këtij procesi, por nga ana tjetër i bënë apel të gjithë votuesve që të marrin pjesë masivisht në proces. Komuna Rrethina është drejtuar nga Partia Socialiste, si fituese e zgjedhjeve të 8 Majit 2011. Ndërkohë 2 përkrahës të Partisë Socialiste në Komunën Rrethina, janë ndaluar në orët e para të mëngjesit, nga uniformat e policisë së Shkodrës, e cila ka bërë shoqërimin e tyre në ambientet e policisë së Shkodrës. Pikërisht për këtë arrestim, në një deklaratë për mediat, ka reaguar avokati i dy shtetasve, Ndreke Rukaj, i cili ka deklaruar se arrestimi ka një prapavijë politike dhe është e qëllimshme për të favorizuar kandidatin e PD-së nga ana e strukturave të policisë. Behar Bajri dhe Serjan Alija, janë arrestuar rreth orës 4 të mëngjesit të djeshëm, ndërkohë që pritet të lihen të lirë, pasi sipas avokatit arrestimi i tyre nuk ka një bazë ligjore për vepër penale të ushtruar nga ana e tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›