Vozitja" në aksin kombëtar të jugut
Aksi rrugor Ballsh - Tepelenë vijon të jetë një problem për drejtuesit e automjeteve, pavarësisht se është aksi kryesor për gjithë jugun e vendit e që mban "në kurriz" edhe mjetet që shkojnë e vijnë për në shtetin grek dhe që kalojnë nga dogana e Kakavijës, si dhe ajo e Tre Urave.
Ndoshta përdorimi i fjalës "vozitje", siç e thonë dhe shqiptarët e Kosovës, do të ishte më e saktë për udhëtimin në këtë aks. Rrëshqitjet e dheut, shembja e tokës, gropa të pambushura, ujërat nëntokësorë të cilët kanë dëmtuar aksin në vende të ndryshme, bëjnë që një rrugë e tillë të marrë një kohë dhe një vëmendje të konsiderueshme të drejtuesve, të cilët jo në të gjitha rastet mund t'i shmangin aksidentet.
Kjo edhe për faktin se në vende të caktuara, rrëshqitjet e dheut janë në kthesat e forta dhe gjatë natës mungesa e ndriçimit e bën edhe më të frikshëm këtë kalim.
Rrëshqitjet sidomos në zonën e Mallakastrës janë më problematike. Kështu disa muaj më parë një pjesë prej rreth 500 metrash e aksit rrugor nacional, në komunën Fratar u shemb për shkak të rrëshqitjeve të dheut.
Si rrjedhojë, nga ana e drejtorisë së rrugëve u veprua në mënyrë të shpejtë duke hapur një rrugë dytësore, e mbushur me çakull e cila do të shërbente përkohësisht për mjetet. Në këtë rrugë, rreth dy javë më parë një maune u përmbys për shkak të gropave për shkak se ajo është e dëmtuar.
E megjithatë, ende nuk ka një përpjekje për të rregulluar këtë pjesë të rrugës, e cila më tepër se një aks kombëtar ngjan me një rrugë fshati dhe ku mjetet duhet të lëvizin me shpejtësi të ulët në mënyrë që të mos rrezikojnë dëmtimin, por edhe ndonjë dalje të mundshme jashtë rrugës.
E pas kalimit të një pjese të tillë rruge, po në këtë aks rrugor ka rrëshqitje të tjera. Rrëshqitje të tilla janë problematike sidomos për ata që lëvizin në kahun Ballsh - Tepelenë, pasi gropat ndodhen menjëherë pas kthesës dhe pikërisht në vendin ku mjeti duhet të kalojë.
Në një ditë me diell nuk është vështirë të shohësh disa goma të vendosura përpara vendit të rrëshqitjes së dheut, por në një ditë të vranët apo natën një gjë e tillë është e pamundur. Kjo për faktin e thjeshtë, se në këtë rrugë nuk ka ndriçim.
Shembja e rrugës është në një gjatësi prej rreth 4 metrash e në një gjerësi prej rreth 1,5 metrash, në një kohë që rrëshqitja e dheut vihet re edhe në pjesën e tokës bujqësore, në të cilën janë "ndërtuar" brezare.
Më tej, në vijimin e udhëtimit të një rruge plot me kthesa dhe ku stomaku duhet të jetë i fortë, ujërat nëntokësorë kanë bërë punën e vet duke e gërryer dhe duke krijuar gropa të pafundme. Duket që një pjesë e mirë e këtij aksi rrugor vijon të jetë punë e para viteve '90 dhe e paprekur nga qeveritë demokratike.
Ndërkohë, udhëtarët vijojnë me shpresën se pas ndërtimit të aksit Levan-Tepelenë, do të kenë mundësinë të shmangin këtë rrugë plot me probleme. Por ndërkohë, u duhet të "përtypin" një rrugë të gjatë, të mbushur me gropa, dhe me rrezikshmërinë e lartë për shkak të problemeve që ka.