E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e studentit në Kamëz, për karrigen e internetit

Autori i krimit, sipas hetuesve, kreu veprën penale në kushtet e tejkalimit të vetëmbrojtjes, për shkak të dhunës së viktimës

Bukurosh Muçeku goditi me thikë studentin Dishmema, si kundërpërgjigje ndaj goditjeve ndaj tij


TIRANË- Vrasja e Robert Dishmemës, në Kamëz nga Burosh Muçeku, ka ndodhur për motive banale gjatë një konflikti për një karrige në një qendër interneti, mes tyre. Prokuroria ka klasifikuar krimin si vrasje në kushtet e te................................................


Prokurorisë së kryeqytetit, iu deshën tre muaj kohë për të përfunduar fazën hetimore të dosjes penale në ngarkim të 19 vjeçarit Bukurosh Muceku, i akuzuar për vrasjen me thikë të studentit të Universitetit Bujqësor në Kamëz, shtetasit Robert Dishmema.


Lajmi konfirmohet nga burimet zyrtare të organit të akuzës dhe Gjykatës së Shkallës së Parë në kryeqytet, ku kancelaria e kësaj të fundit me ndihmën e shortit elektronik ka caktuar treshen gjykuese të kryesuar nga gjyqtari Albert Meçe për gjykimin e dosjes.


Në kërkesën e saj për gjykim, prokuroria pretendon se ka arritur të zbardhë shkakun e konfliktit mes dy të rinjve, që solli vdekjen e 24- vjeçarit Dishmema nga goditja me thikë që mbante 19- vjeçari Muçeku.


"Nga hetimet disa mujore, ku janë mbledhur e grumbulluar një sërë provash materiale, janë pyetur me cilësinë e dëshmitarëve të akuzës disa persona që kanë qenë prezent në momentin e konfliktit mes dy të rinjve pasditen e 9 shkurtit 2010, si dhe nga vetë dëshmia e të arrestuarit Bukurosh Muceku, është provuar se i arrestuari në mbrojtje e sipër e ka qëlluar me thikë 24- vjeçarin Robert Dishmemën- thanë burime të prokurorisë.


Sipas tyre, dyshohet se Dishmema, ka nisur sherrin me 19- vjeçarin Muçeku për një karrige në një lokal internet-kafe, që ndodhej pranë kompleksit të ekipeve kombëtare në Kamëz, jo shumë larg shkollë së Agrobiznesit.


Grindja mes tyre më pas ka degjeneruar në grushta e shqelma mes dy të rinjve. "I pandehuri Bukurosh Muceku, duke e ndjerë veten të pafuqishëm përballë forcës së Dishmemës, nga frika ka nxjerrë thikën që mbante në xhep dhe e ka goditur disa herë të dëmtuarin, i cili ishte student pranë Universitetit Bujqësor të Kamzës në Tiranë.


Nga këto goditje të thikës së 19 vjeçarit Muceku ka mbetur i vdekur,- thuhet nga prokuroria. Sipas tyre, nga vlerësimi i provave dhe dëshmive të siguruara, është arritur në konkluzionin se 19- vjeçari Muçeku nuk ka konsumuar veprën penale të "vrasjes me dashje", por atë të "vrasjes së kryer në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme".


Çka do të thotë, se vrasjen e studentit, i pandehuri Muçeku, e ka kryer në mbrojtje e sipër nga goditjet e viktimës pas grindjes për karrigen.


Ngjarja ka ndodhur pasditen e datës 9 shkurt 2010, rreth orës 16:15, përpara një lokali pranë kompleksit sportiv të kombëtares sonë të futbollit në Kamëz, fare pranë shkollës profesionale të "Agrobiznesit". Dy të rinjtë, protagonistë e kësaj ngjarjeje, kanë qenë së bashku në një qendër interneti, ku kanë nisur një debat me fjalë midis tyre për një karrige.


Pas debatit me fjalë, dy të rinjtë janë konfliktuar me grushte midis tyre brenda lokalit, duke vazhduar më pas sherrin edhe jashtë këtyre ambienteve të qendrës së internetit, ku për pasojë ka mbetur i goditur me thikë në zemër 24-vjeçari Robert Dishmema.


Menjëherë pas këtij momenti, i pandehuri është larguar, për tu arrestuar vetëm pak orë më pas në Paskuqan ku kishte gjetur strehim, ku edhe u arrestua nga efektivët e policisë së komisariatit të Kamzës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›