Xhaxhajt: S'jemi arrestuar nga "Trovador"

Vëllezërit nga Berati reagojnë pas publikimit të lajmit të mediave italiane, duke mohuar se janë akuzuar për trafik droge
TIRANE- Një ditë pas publikimit të lajmit nga mediat italiane mbi vazhdimin e goditjes së një grupi të trafikut të kokainës nga Amerika Latine me destinacion Italinë, duke kaluar nëpërmjet Spanjës, në të cilin thuhet se janë arrestuar tre vëllezër shqiptarë nga Berati, kanë reaguar këta të fundit, duke shprehur habinë e publikimit të një lajmi të tillë. Krenar Xhaxhaj, një në tre vëllezërit e publikuar, pohoi dje për "Shekullin", se në të vërtetë ndryshe nga sa pretendohet në mediat italiane, ai dhe vëllezërit e tij, Lulëzimi dhe Armandi, nuk janë arrestuar asnjëherë në lidhje me këtë çështje.
Ai tregon se jo vetëm kaq, por se edhe personi i katërt që përmendet në shkrim, gjithashtu është lënë i lirë nga policia italiane, ndërsa për fat të keq ai ka ndërruar jetë dhe prej disa kohësh nuk jeton më. Ndryshe nga sa është thënë në media. Për më tepër Xhaxho thotë: Ne e kishim dëgjuar këtë si emër kohë më parë, por nuk kishim njohje me të".
Sipas tij, ata vetë janë sqaruar me drejtësinë italiane që në fakt, nuk ka pasur asnjë herë probleme me ta, ashtu si kundër është pretenduar. "Është e vërtetë që policia italiane na ka thirrur neve, por ne jemi thirrut vetëm për të sqaruar një lidhje që ne kishim me një italian nga Rexhio Kalabria, me të cilin ne kishim planifikuar të hapnim një biznes për një punishte parketi në Berat, - tregon Krenari.
Më tej ai pohon se kjo histori ka që në vitin 1996, kur italiani që mund të ishte partner i tyre kishte mbërritur në Berat, për të parë vendin. "Ne si familje jemi të gjithë rezidentë në Itali dhe nëse ne do të kishim pasur probleme do të na kishin hequr lejen e qëndrimit,- tregon Krenari. Të njëjtin fakt, pohon edhe Lulëzimi, aktualisht rezident në Romë. Sipas vëllezërve, gjithçka ka nisur në vitin 1996, kur ata janë njohur me një italian, të cilit i kanë propozuar hapjen e një punishteje në Shqipëri për përpunimin e parketit. "Në konkurencë me ne, ishte edhe Ademi. Kur italiani erdhi në Shqipëri, pa vendin nuk i pëlqeu dhe iku. Më vonë doli që ai ishte njeri i përfshirë me mafian dhe ne na thirrën për të sqaruar, faktin se kishte biseda mes tij dhe nesh.
Në të kundërt, ne nuk ishim aspak në dijeni për veprimtarinë e këtij njeriu në Itali, ndërsa më vonë ndodhën shumë arrestime,- tregon rrëfen Krenari. Unë ndihem tërësisht i qetë, ne të tre ndihemi të qetë pasi as ne as Haznedari, nuk kishim aspak lidhje me historinë për të cilën kishte dyshime në fillim policia dhe prokuroria italiane. Emrat e tre vëllezërve nga Berati, Krenar Xhaxhaj, Lulëzim Xhaxhaj, dhe Armando Xhaxhaj, si dhe Adem Haznedari, u publikuan dy ditë më parë nga mediat italiane si të përfshirë në rrjetin e trafikut të kokainës, nga Amerika Latine në Itali, në një operacion të nisur nga policia italiane vitin e kaluar. Në tepër se 10 muaj pas këtij operacioni, ata tashmë jo vetëm që nuk rezultojnë të përfshirë në këtë rrjet, por janë të lirë duke vazhduar jetën e tyre, duke u kthyer thjeshtë në një flluskë që u shua shpejt.