E Diel, 1 Nëntor 2026

KQZ: Votimet në shtëpitë e militantëve të PD-së

Në Kamëz janë miratuar disa qendra votimi në shtëpitë e anëtarëve dhe militantëve demokratë


Më 28 qershor 1068 e zgjedhësve të qendrës së votimit 1582 në Kamëz do të duhet të shkojnë ta hedhin votën e tyre, të paktën sipas pretendimit të socialistëve, në shtëpinë e nënkryetarit të nëndegës së PD-së së zonës, Enver Bucit, ku KQZ ka vendosur kutinë e votimit. Ky përbën vetëm një nga rastet flagrante që janë denoncuar me forcë prej Partisë Socialiste gjatë mbledhjes së djeshme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, i cili me forcën e kartonëve dhe përmes debateve të forta miratoi edhe 15 qendra të tjera në ambiente private ku pronarë kanë qenë ose anëtarë dhe drejtues të PD-së, ose në rastin më të mirë militantë të kësaj force në Kamëz.


Mbledhja

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka rimarrë dje në shqyrtim aktin për miratimin e qendrave të votimit në ambientet private. Ashtu siç pritej, ky akt është bërë objekt i debateve të forta si mes anëtarëve të KQZ-së, por edhe mes përfaqësuesve të partive politike në të. Shkaku i debatit ka qenë i njëjtë, tentativa e krerëve të njësive vendore për t'i çuar qendrat e votimit në ambientet private në pronësi të militantëve apo njerëzve të angazhuar politikisht. Rastet kanë qenë të shumta në të gjithë vendin, por më të theksuara kanë qenë në Bashkinë e Kamzës, ku Kryetari i Bashkisë, Xhelal Mziu, sipas aktit kishte propozuar që 22 prej tyre të vendoseshin në ambiente private.

Por ashtu siç u evidentua edhe në një mbledhje më parë, problemi nuk qëndronte vetëm tek numri i madh i qendrave të kaluara në ambiente private, por më shumë tek pronarët e tyre, të cilët sipas përfaqësuesve socialistë në shumicën dërrmuese janë militantë dhe drejtues demokratë. Fillimisht KQZ, pavarësisht kundërshtimit të përfaqësuesit demokrat, Niazi Kosovrasti, ka pranuar pretendimet dhe provat materiale të paraqitura prej përfaqësuesve socialistë, si foto ku dukeshin qartë flamujt e PD-së që qëndronin mbi këto ambiente, duke rrezuar me konsensusin e të gjithë anëtarëve 5 prej propozimeve të para. "Kërkoj që qendrat e votimit të mos ndryshojnë nga ato që janë propozuar, pasi në këtë mënyrë ju po kërkoni të fusni Kamzën në një situatë të vështirë dhe të mos lejoni zgjedhësit atje që të gjejnë qendrën e tyre të votimit", - tha Kosovrasti. Një vendimmarrje e tillë nuk do zgjaste gjatë, pasi anëtarët demokratë në KQZ pas një pushimi të detyruar për shkak të debateve të forta, kanë ndryshuar linjë dhe kanë nisur të miratojnë të gjitha propozimet e ardhura prej kreut të baskisë Kamëz, pavarësisht kundërshtimit të socialistëve.


Debatet

Votimi me forcën e kartonëve të propozime të tjera ka lënë të pakënaqur përfaqësuesit dhe anëtarët e opozitës në KQZ, të cilët në vijimësi kanë kërkuar që t'i marrin vendimet me konsensus dhe jo me raportin 4 me 2, pasi në këtë mënyrë po vinin në rrezik standardin e procesit të votimit në Kamëz. Kështu, përveç qendrës 1582 në ambientet e nënkryetarit të PD-së, KQZ ka miratuar gjithashtu edhe qendrën 1583 në shtëpinë e Gjovalin Palës, po ashtu nënkryetar i degës së PD-së, qendrën 1575, 1576, 1576/1, 1578, 1579, 1579/1, 1580, 1581, 1582, 1584, 1585 e kështu me radhë, të gjitha këto ambiente që sipas PS-së janë në pronësi të militantëve të PD-së.

Për të vërtetuar një konstatim të tillë përfaqësuesi socialist, Genci Gjonçaj i ka vënë në dispozicion KQZ-së dhe një seri fotosh të bëra këtyre ambienteve ku në ballkonet, tarracat apo çatitë e tyre dukeshin qartë flamujt e PD-së. "Ju votuat një seri vendimesh, duke i çuar zgjedhësit në ambiente apo shtëpi të anëtarëve dhe militantëve të PD-së. Në këtë mënyrë ju vepruat jo në bazë të logjikës së ftohtë, por mbi bazën e logjikës së militantizmit tuaj dhe të kryetarit të Kashkisë së Kamzës. Kjo do të ketë një pasojë të rëndë për procesin e zgjedhjeve në këtë zonë", - tha Gjonçaj.

Madje ai ka deklaruar se me këtë vendimmarrje tërësisht politike KQZ është bërë palë në prishjen e zgjedhjeve në këtë zonë, ku ai ka lajmëruar se komisionerët e PS-së nuk do të paraqiten. Një vendimmarrje e ngjashme u morr nga KQZ edhe për disa qendra të tjera, siç është rasti i një qendre votimi në Dibër, e cila u miratua në lokalin e kreut të PD-së së fshatit.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›