E Shtunë, 31 Tetor 2026

E djathta rrëzon buxhetin

 FIER - Debatet ndërmjet subjekteve politike në Këshillin Bashkiak të Fierit, rrëzuan dje projektbuxhetin e vitit 2010. Argumentet kundër të të djathtëve konsistonin në disa ndryshime përsa i përket dy ndërmarrjeve, asaj të Pastrimit dhe të Shërbimeve. Gjithashtu ata kërkuan ndryshime dhe gjetjen e një strukture alternative në administratën e bashkisë. "Ne kërkojmë që ta rrëzojmë buxhetin pasi duhet të privatizohen dy ndërmarrjet e Pastrimit dhe të Shërbimeve Komunale. Kjo pasi puna në këto dy sektorë nuk ka ecur me ritmet e duhura. Ndërkohë, kemi lënë detyra dhe kemi miratuar një sërë fondesh për investim, të cilat nuk janë realizuar. Kjo na lë të kuptojmë se administrata nuk ka punuar. Ne kërkojmë që sot në këtë buxhet të shikohet edhe njëherë struktura e administratës pasi kemi shumë drejtorë departamentesh, drejtorish etj", u shprehën këshilltarët e djathtë. Ata kërkuan dje që të miratohen këto ndryshime dhe t'i lihet kohë administratës së bashkisë që të rihartojë një tjetër plan me këto ndryshime dhe më pas të hedhim për votim projektbuxhetin. Nga plani për 2009 është një deficit prej rreth 155 milionë lekësh, dhe ndërkohë që për këtë vit merret i njëjti plan nga ku nuk ndryshohet asgjë. "Kjo do të thotë që administrata nuk është e zonja të bëjë një plan tjetër duke marrë atë të 2009-ës. Qëllimi kryesor është që tu shërbejmë qytetarëve nëpërmjet infrastrukturës dhe shërbimeve. Po të shikosh nga 537 milionë të buxhetit të bashkisë 86% të tyre e zënë fond pagash, sigurime shoqërore, shpenzime operative dhe vetëm 14% e tyre janë investime. Po ta shikojmë strukturën e 2009 administrata e bashkisë ka 173 punonjës, nga të cilët 28 janë drejtorë. Në një drejtori me 10 punëtorë, katër janë drejtorë dhe 6 janë punëtorë. Prandaj kemi menduar si grup i shumicës të vëmë në zbatim dy propozimet tona", u shpreh këshilltari Ferdinand Murati.                                    m.r

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›