E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Liberalizimi i vizave,në fillim të mandatit të dytë

 

Kryeministri Sali Berisha, gjatë takimeve në komunën Strumë të Fierit, deklaroi se në mandatin e dytë qeverisës objektiv i maxhorancës së djathtë do të jetë liberalizimi i vizave. "Pas aderimit të Shqipërisë me të drejta të plota në NATO, prioritet mbetet heqja e vizave, me qëllim që shqiptarët të jene qytetarë të lirë të Evropës", deklaroi Berisha. Gjatë këtyre takimeve, kreu i Ekzekutivit nuk nguroi t'u bëjë një apel banorëve që të aplikojnë për kartat e identitetit. Sipas tij, ato janë garanci për zgjedhje të lira dhe të ndershme më 28 qershor, por edhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në vendet e BE-së. "Qeveria do të përmbushë detyrimet e veta, qytetarët të përmbushin detyrimet e tyre dhe ajo që kërkoj nga ju është pajisja me letërnjoftimet e reja, si dhe me pasaporta biometrike, sepse pa këtë pajisje të tjerët nuk do të pranojnë të heqin vizat me ne. Ndaj ne duhet të pajisemi me to edhe si një akt krenarie, që t'i themi çdo qytetari kudo në Evropë, edhe ne shqiptarët kemi dokumentet e identitetit më të mirat që prodhohen sot" - tha kryeministri. Objektivi tjetër kryesor, sipas kryeministrit, në mandatin e dytë qeverisës do të jetë zhvillimi rural. Në kuadër të turit "Shqipëria po ndryshon", kryeministri mori pjesë në përurimin e fillimit të punimeve të dy rrugëve në këtë komunë, rrugës Strumë-Fier dhe Kuz-Strumë. Kryeministri u ndal dhe në politikat sociale të qeverisë, për uljen e varfërisë si dhe për rritjen e rrogave dhe pensioneve. Berisha u bëri thirrje gjithë kryetarëve të njësive vendore, për më tepër humanizëm në trajtimin e shtresave në nevojë. "Javën që vjen, qeveria shqiptare do të vendosë një trajtim të ri për këtë kategori familjesh", theksoi Berisha. Më pas ai shtoi se "u zotuam se do të dyfishojmë pensionet në fshat, ku do të merret një pension dyfish më i lartë seç është marrë në vitin 2008. Beteja jonë me varfërinë është beteja më e vendosur". Një vëmendje të veçantë, Berisha i kushtoi edhe projektit për rrënjët e ullirit në zonat bregdetare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›