Vrasësi i Tuluzës do godiste sërish sot. Policia e ka ende të rrethuar
(E PERDITESUAR)- Raportimet se vrasësi i Tuluzës në Francë është arrestuar, kanë rezultuar të pavërteta. Shefi i anti-terrorit në Francë thotë se Mohammed Merah, 23 vjeç, i dyshuar për vrasjet e ditëve të fundit në Tuluzë të Francës, do godiste sërish sot. Ai ka vrarë në fillim të javës tre fëmijë dhe një të rritur në një shkollë hebraike në Francë.
Merah, një francez me origjinë algjeriane, deklaroi se i përket Al Kaedas dhe se i ndërmori aktet si hakmarrje ndaj fëmijëve të vrarë në Palestinë dhe ndaj angazhimit të Francës jashtë vendit, sidomos në Afganistan.
Disa media raportojnë se ai kishte qenë në një burg në Afganistan dhe ishte arratisur prej aty në vitin 2008 kur burgu ishte shpërthyer nga talibanët.
Ministri i Brendshëm i Francës tha se personi në fjalë kishte vite që gjurmohej nga shërbimet e inteligjencës franceze.
Vëllai i të dyshuarit është arrestuar në një pjesë tjetër të Tuluzës.
Tre policë janë plagosur gjatë aksionit për arrestimin e tij.
Media franceze e ka lidhur Merah me një grup të quajtur Forsane Alizza (Kalorësit e krenarisë).
Në Afganistan ai ishte arrestuar për planifikim bombash.
BBC njofton se hetuesit e kanë identifikuar atë përmes një e-maili që i kishte dërguar viktimës së parë për blerjen e një scooter-i. Motori ishte përdorur në dy sulmet e tjera që kreu ai.
Një redaktor i rrjetit France 24 tha se personi e kishte telefonuar gjatë natës dhe i kishte thënë se ishte përgjegjës për vrasjet dhe se kishte ndërmend të publikonte në internet filmimet që kishte realizuar gjatë krimeve.
Avokati i Merah tha se klienti i tij doli para gjyqit përpara dy javësh pasi po i jepte makinës pa patentë. Ai shtoi se Meraj ishte i sjellshëm dhe i civilizuar.
