Rreziku nga ujqërit e vetmuar
Një person si Mohammed Merah është makth për autoritetet e sigurisë në Europë. Ai i përshtatet modelit të ujkut vetmitar. Kështu i quajnë shërbimet sekrete ata persona që veprojnë individualisht, por që thonë se i përkasin rrjetit terrorist Al Kaeda.
Kush është Mohammed Merah, që ka vrarë shtatë persona? Askush nuk di shumë për të, por detajet e para që kanë publikuar autoritetet franceze bëjnë që gjithë Europa të ketë frikë. Një djalë mes të njëzetave, me origjinë algjeriane, tipik i kriminelëve që veprojnë të vetmuar, të cilëve u druhen më shumë autoritetet.
Pas 11 Shtatorit, shërbimet sekrete dhe policia janë përgatitur aq shumë kundër terroristëve të mundshëm dhe janë po kaq të pafuqishëm përballë këtij tip terroristi.
Shembulli fatal i ujkut të vetmuar është i pari sulm i suksesshëm islamik në Gjermani në pranverën e viti 2011. I karikuar pas një videoje që kishte parë në internet ku përdhunoheshin gratë myslimane nga ushtarët amerikanë, një i ri nga Kosova, Arid Uka, u radikalizua dhe brenda pak ditësh arriti të gjejë një armë në tregun e zi. Pak më vonë u gjend pranë një grupi ushtarësh amerikanë në aeroportin e Frankfurtit. U kërkoi një cigare dhe më pas nxori armën. Vrau dy amerikanë dhe ishte fat që iu bllokua arma se do bënte kërdinë.
Rasti Uka tregon për autoritetet në mënyrë ekzemplare një kriminel që lind nga hiçi. Uka ishte besimtar, por në asnjë mënyrë radikal dhe i gatshëm për dhunë. Radikalizimi i tij përmes internetit ishte aq i shpejtë, sa nuk do kishte asnjë autoritet në botë që do e vinte re.
*Marrë me shkurtime nga Spiegel