E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësi “tërbon” gjyqin e Bandës së Durrësit

16/04/2010 Tension në sallë, tërhiqet Selman Heta: Nuk e njoh Berishën dhe Doklen

Përjashtohen nga seanca tre avokat për thyerje të etikës dhe njoftohet ministri

TIRANË- Gjyqi i djeshëm për Bandën e Durrësit u kthye në një arenë të vërtetë përleshjeje. Debate, ndërhyrje pa vend, replika mes prokurorit Anton Martini dhe avokatëve, ndërprerje të fjalëve nga i pandehuri Indrit Dokle, me pak fjalë konfuzion i plotë. Procesi kundër 17 të pandehurve që akuzohen për dhjetëra vrasje në emër të bandës së qytetit bregdetar për dy orë me radhë kaloi përmes tensioneve të larta. Salla e madhe e Krimeve të Rënda ku ishte e mbushur plot, i ngjante më shumë një teatri të “dhunshëm” dhe të zhurmshëm, se sa një institucioni ku pritet të jepet drejtësi. Zhurma u bë për dy arsye. E para ishte ndërhyrja e avokatëve për të penguar të vetëquajturin vrasës me pagesë Selman Heta t’i përgjigjej pyetjeve të akuzës dhe për të mos u lexuar deklaratat e bëra në Policinë Gjyqësore. Selman Heta i vetëquajtur vrasës me pagesë është personi që ka zbërthyer gjithë veprimtarinë e Bandës së Durrësit. Ai u tërhoq dje duke mohuar gjithçka. Nuk pranoi të flasë për akuzën, ndonëse ishte në mëdyshje për një gjë të tillë. Kanë qenë avokatët ata që i sugjeruan të mos fliste. Seta mes të tjerave tha se “Në burg kam dëgjuar për Lulzim Berishën. Më thanë kur u futa në burg se unë paskam dashur ta vras atë. Ato thënie në procesverbalin e parë nuk qëndrojnë. Unë kam folur vetëm për jetën time dhe mbaj mend që e kam firmosur në gjendje gjumi në orën 04 të mëngjesit të datës 18 mars 2006”. Ndërsa rrëmuja e dytë lidhej me një dëshmitar të papritur që solli prokurori Anton Martini dhe quhej Agim Rexhepagaj. Ky dëshmitar ishte shok i ngushtë i Lulzim Berishës dhe do të fliste për disa vrasje që implikonin të pandehurit. Shfaqja e tij irritoi avokatët Riza Icka, Ilia Ilia dhe Dashnor Mullai, të cilët njëzëri reaguan duke thënë se Prokuroria ka ushtruar tension mbi të dhe se ai dukej që ishte i zverdhur nga frika. Kryesuesi i procesit është detyruar disa herë të tërheq vëmendjen e avokatëve, por më kot. Secili vazhdonte të thoshte fjalën e tij atëherë kur e shihte të arsyeshme, madje të kritikonte edhe vet trupën. “I tërheq vëmendjen gjykatës për moskorrektësi”, tha avokati Ferdinand Doja. Batuta mes palëve dhe një gjykate, e cila nuk arrinte të menaxhonte si duhet seancën. I vetmi që nuk foli mes disa të pandehurve brenda kafazit të hekurt ishte Lulzim Berisha. Ndryshe ndodhi me Indrit Doklen. I gjendur përballë frikës se mund të pranonte të fliste Selman Heta, Dokle nuk qëndronte në vend, por herë pas here ndërhynte për t’i kujtuar shokut që kishte në rresht se ndodhej aty dhe duhej ta dëgjonte. Zhurmës iu bashkuan edhe avokatët, të cilët nuk pranon ndërhyrjet e prokurorit. Tre avokat u përjashtuan. Gurali Brahimllari urdhëroi largimin e Riza Ickës, Ilia Ilias dhe Dashnor Mullait për thyerje të etikës dhe prishjen e rregullit në sallën e gjyqit. Ai tha se do të lajmëronte ministrin Bujar Nishani për këtë situatë duke u pezulluar të pandehurve edhe afatet e paraburgimit. Pas këtij momenti gjithçka u ndërpre.

Debati në gjykatë rreth Selman Hetës

Selman Heta i pandehuri në këtë proces u tërhoq përpara akuzës. Ai nuk pranoi t’i përgjigjej pyetjeve të prokurorit. Ndërkohë që me kërkesë të akuzës gjykata pranoi të lexoheshin deklarimet e dhëna prej tij në datë 22 shtator 2006 para prokurorit Behar Dibra.

Gjykata: I pandehur në bazë të nenit 166 KPP ju bëjmë me dije se akuza kërkon që ju të pyeteni. Është e drejta juaj nëse dëshironi apo jo t’i përgjigjeni.

Heta: Po

Avokatët njëzëri: Jo çfarë thua ti?

Heta: Nga akuza nuk dua të pyetem

Prokurori Martini: Unë konstatoj se ndaj Selman Hetës u ushtrua presion nga avokatët. Meqenëse nuk dëshiron të përgjigjet në bazë të nenit 370 KPP kërkoj të lexohen deklarimet e tij si para oficerëve të Policisë Gjyqësore, ashtu edhe në seancën për masën e sigurimit. Janë tre procesverbale, i pari në datë 18 mars 2006 para Sokol Malaj, i dyti në datë 7 qershor 2006 para Lorenc Dervishit dhe i treti në 22 shtator 2006 para prokurorit Behar Dibra.

Avokatët: Ne kemi bërë kërkesë për pavlefshmëri të të gjitha kateve dhe procesverbaleve të hetimit dhe nuk dëshirojmë që ato të lexohen. Deklarimet e Selman Hetës janë marr nën ndikimin e dhunës psikike. Ai vet ato procesverbale nuk i ka lexuar asnjëherë.

Gjykata: Pasi u njohëm me materialet dhe kërkesat vendosëm të lexohet vetëm procesverbali i datës 22 shtator 2006. Për procesverbalin e datës 18 mars 2006, nuk mund të lexohet, pasi prokurori ka qenë i pranishëm, por nuk e ka marr në pyetje të pandehurin. Ne vlerësojmë se prokurori ka qenë vetëm në rolin e dëgjuesit dhe nuk e ka kryer mirë detyrën e tij në bazë të ligjit. Sipas nenit 256 KPP, i pandehuri duhej të merrej në pyetje nga prokurori gjë që nuk është bërë. Në këto kushte ky procesverbal i kthehet akuzës.

Ferdinand Doja: I tërheq vëmendjen trupit gjykues se nuk po mban rregull dhe lejon akuzën të bëjë kërkesa që nuk qëndrojnë.

Dëshmia e Hetës

Leximi i procesverbalit nuk u bë nga akuza, por nga sekretarja gjyqësore. Në këtë deklarim në prani të avokatit Dashnor Mullai, Selman Heta ka rrëzuar gjithçka të thënë kundër bandës, duke thënë se “Shpjegimet e mia po i jap në prani të avokatit mbrojtës. Akuzat i kuptoj, por nuk i pranoj pasi nuk kam lidhje me to. Nuk e di se si më ka dalë emri në këtë ngjarje. (Ndërhyn Indrit Dokle duke thënë, kështu pra). Kam me thënë se jam marrë një herë në pyetje në mars të vitit 2006 në orët e vona të natës në policinë e Tiranës. Nuk është e vërtetë që unë nuk kam dash avokat dhe nuk janë të vërteta ato që janë shkruar në procesverbal. Emrat e Adriatik Colit, Lulzim Berishës, Serdjan Sulejmanit Indrit Dokles nuk e di se si janë vënë ato pasi unë këta nuk i njoh. Alban Nelin e kam kushëri të tretë dhe nuk është e vërtetë që ai më ka njohur me Doklen. Jam arrestuar në Dajt më 18 mars 2006. Banoja në Qytetin Studenti me çunin e hallës Bujar Sula. Kisha ardhur nga Burreli për të marrë një lokal me qira. Paratë për lokalin ia mora babait tim që punonte në një zdrukthëtari. I mora 4 mijë euro dhe ia dhashë kushëririt tim Bujar Sula. Morëm një lokal në Porcelan. Unë nuk kam pasur shokë të tjerë në Tiranë dhe as lokalin me emrin “Flutura” te “Komuna e Parisit” nuk e di ku ndodhet. Në Tiranë kam ardhur shpesh. Nga Burreli vija me furgona dhe paguaja 400 lekë të reja. Nuk kam punuar në Burrel, ndërsa shkoja shpesh në plazhin e Durrësit me Spartak Kalthin pasi njiheshim prej vitesh.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›