Vrasësit e Anuar Rizik, gishti drejtohet nga zalljanët

Në foto Xhorxh Xheha, një nga aksionerët e fabrikës. Pas tij me syze, Çarls Bou ri, drejtori i fabrikes njëkohësisht, djali i një prej aksionerëve. foto Franc Zhurda
Dashamir Biçaku
TIRANE- Përveç mesazheve kërcënuese për ortakun e Çarls Bourit, Xhorxh Xheha (Jorge Jeha), njëkohësisht edhe aksioner në grupin që zotëron si biznes të tijin, fabrikën e çimentos, mesazhe kërcënuese i janë drejtuar edhe Çarls Bourit, që është menaxheri kryesor i fabrikës së çimentos. Një fakt i tillë është pohuar për Shekullin, nga burime të policisë së kryeqytetit, të cilët thanë se këto fakte janë evidentuar gjatë hetimeve të mëparshme të kryera nga policia e Komisariatit të Krujës. Në së paku tri raste Çarls Bouri ka marrë mesazhe telefonike të shkruara nga një banor i fshatit Zallë të Fushë- Krujës. Në mesazhet me tekst dërguar në numrin personal të telefonit të Çarls Bourit, kërcënuesi mësohet se ka kërkuar që anglo-libanezi të mos iu ndërpriste banorëve të fshatit pagesat që ai iu jepte në formën e dëmshpërblimit për shkak të ndotjes së mjedisit që pretendohej se shkaktonte fabrika nga çlirimi i gazrave dhe i pluhurave gjatë procesit të prodhimit të çimentos.
Mesazhet ishin të thjeshta dhe të qarta: Do të vrasim, nëse nuk paguan,- apo : Mos ndërprisni pagesat se do të keni probleme. Ky ka qenë përgjithësisht konteksti i përdorur në sms-të kërcënuese drejtuar Çarls Bourit, nga banorë të zonës të cilëve Bouri. Fabrika u jepte pagesa të ndryshme rreth 30- 40 familjeve. Në lidhje me këto fakte dhe kërcënime, mësohet se krerë të Drejtorisë së Policisë së Durrësit si dhe të Komisariatit të Krujës, herë pas here i kanë kërkuar që ai të denonconte personat që e kërcënonin, me qëllim që ndaj tyre të nisnin hetimet dhe kërcënuesit të merrnin një dënim ligjor. Mirë po në asnjë rast, Bouri, nuk ka pranuar të denoncojë kërcënuesit e tij, ndoshta me mendimin se konfliktet dhe përplasjet me në fshatin Zallë, nga persona të familjeve me po këtë mbiemër do të shuheshin me kalimin e kohës. Mirëpo gjatë kësaj kohe, jo vetëm që nuk ndodhi kjo, por kërcënimet dhe shantazhet nisën të bëheshin konkrete. U bënë të zakonshme shpërthimet e eksplozivëve ndaj fabrikës së çimentos, shtyllave të tensionit që furnizonin fabrikën me energji, si dhe hekurudhës e rrugëve automobilistike nga kryhej transporti i çimentos, apo marrja e lëndës së parë.
Deri në këtë kohë, pronarët e fabrikës kanë pasur një kontratë për ruajtjen e ambienteve të saj me një kompani private të ruajtjes dhe sigurisë fizike, pronar i së cilës ishte Fatmir Zalla, djali i xhaxhait të Bashkim Zallës. Ky i fundit është pikërisht njeriu i cili i ka dërguar një sms kërcënuese Xhorxh Xhehas, nëpërmjet të cilit e kërcënonte me jetë, pasi pretendonte se Xheha kishte përgatitur një plan për të vrarë Çarls Bourin. Për këtë qëllim, sipas Zallës, Xheha kishte paguar 1.5 milionë euro dhe këtë fakt Zallës pretendohet se ia kishte thënë një person i identifikuar me inicialet L. M. Prishja e kontratës së bashkëpunimit për ruajtjen e fabrikës me policët privatë të Fatmir Zallës, duket se i keqësoi gjërat më shumë. Aktivitetet e shkatërrimit të objekteve që kishin lidhje të drejtpërdrejtë me fabrikën, jo vetëm që nuk u ndalën, por u shtuan edhe më tepër. Ndërkaq, ndërhyrja e policisë në zonë dhe arrestimi i disa prej banorëve të zonës, minimizoi aktet sabotuese ndaj fabrikës.
Çeqe të majme fshatarëve, nga 500 deri në 5 mijë euro
Policia zbardh skemën e pagesave të fabrikë së çimentos në Fushë- Krujë, ndërsa sekuestrohen nga hetuesit listat e pagesave që kryheshin ndaj banorëve të zonës. Lajmi u bë i ditur për Shekullin, dje nga burime të policisë së kryeqytetit të cilët thanë se nëpërmjet listës së marrë në zyrat e kompanisë SEAMENT Albania, është mësuar mënyra si funksiononte pagesa që kryente Çarls Bouri ndaj familjeve në fshatin Zallë të Fushë- Krujës. Lista, të cilës i referohen hetuesit, hapet me një banor të fshatit Zallë, i cili sipas burimeve merrte një pagesë mujore prej 5 mijë dollarë nga arka e fabrikës së çimentos, që prej disa vitesh. Ndërsa më pas vjen një emër tjetër që merrte një pagesë prej 2 mijë dollarësh në muaj. Më tej pagesat shkojnë një 1 mijë dollarësh e më tej me pagesa më të ulëta. Burimet e policisë nuk pranuan të japin emrat dhe detaje të tjera mbi personat që merrnin këto pagesa, por sipas tyre ata janë elementë mjaft të rëndësishëm për hetimin. Të shtunën policia sekuestroi dhe një sasi të konsiderueshme dokumentesh në zyrat e fabrikës së çimentos, të cilat pritet të analizohen nga hetuesit e prokurorisë dhe të policisë për të dalë në një konkluzion të mundshëm.
Rizik, përfaqësisë së fshatit Zallë: Skam frikë njeri
Përveç zotit, nuk kam frikë askënd tjetër në këtë botë, -këto janë fjalët që Anuar Rizik ka shqiptuar për herë të fundit në përpjekje për të zgjidhur konfliktet që ekzistonin me banorët e fshatit Zallë të Fushë-Krujës. Mësohet se pak ditë para se të ekzekutohej, në cilësinë e drejtuesit të fabrikës së çimentos, Rizik ka takuar një përfaqësi të banorëve të fshatit. Ndërprerja e pagesave dhe ngjarjet e fundit, ku sipas policisë, vendasit dyshohen të jetë autorë të vendosjes së sasive të tritolit në afërsi të fabrikës, ka qenë qëllimi i takimit. Konfliktet prej afro 12 vitesh me banorët e zonës së fshatit Zallë të Fushë-Krujës, jo pak herë i kanë detyruar drejtuesit e fabrikës së çimentos të gjejnë gjuhën e kompromisit me vendasit. Për një periudhë të gjatë kohore paraja ka siguruar qetësinë. Por dy vitet e fundit Seament Factory, mësohet se është përballur në vështirësi financiare. Sipas shumë dëshmive, në këtë kohë drejtuesit e fabrikës kanë ndërprerë financimet për vendasit, gjë që pasohet me një sërë ngjarjesh të rënda, nga vrasja e rojës së fabrikës e deri tek vendosja e sasive të eksplozivit përreth fabrikës. Pikërisht për ti dhënë fund këtyre konflikteve mësohet se ka qenë dhe qëllimi i takimit që Rizik ka zhvilluar banorët e zonës. Në këtë takim drejtuesi i fabrikës është treguar i vendosur që mos të paguante nën dorë vendasit për të garantuar sigurinë. Unë jam çdo ditë këtu dhe po ju siguroj se përveç Zotit nuk kam frikë askënd mbi dhe. E vetmja gjë që i frikësohem është Zoti dhe mëkatet që mund të bëj. Por, këtë e kam vetë në dorë-mësohet të ketë thënë në këtë takim Anuar Rizik. Nisur nga ky takim dhe një numër mesazhesh sms të zbuluara nga policia duket evident rreziku me të cilin janë përballur drejtuesit e fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Gjithsesi Rizik kurrë nuk ka marrë asnjë masë sigurie për të garantuar jetën e tij. Ai lëvizte krejt i vetëm, jo vetëm në fabrikë, por dhe në zonë dhe kurrë nuk ka shprehur ndonjë shqetësim. Vetëm dy ditët e fundit të jetës së tij punëtorët e fabrikës e kanë parë drejtuesin e tyre të shqetësuar. Megjithatë, zyrtarisht prokuroria ende nuk ka asnjë të arrestuar për vrasjen e Rizik mëngjesin e së mërkurës. Për të zbardhur ngjarjen prokuroria e Tiranës mësohet se ka tërhequr një sërë dosjesh nga Prokuroria e Lezhës, e cila ka kryer hetime për disa çështje që lidhen me konfliktet mes banorëve të zonës dhe drejtuesve të fabrikës së çimentos në Fushë-Krujë. Në këto dosje flitet për një konflikt të mundshëm mes ortakëve të kompanisë, të dëshmuara këto në disa sms të dërguara prej banorëve të zonës. Në këto mesazhe hidhen dyshime për një konflikt të ashpër mes pronarëve dhe drejtuesve të kompanisë ku punonte Anuar Rizik. Kjo është njëra pistë hetimi e prokurorisë krahas dyshimeve të ngritura se autorë të ekzekutimit të palestinezit mund të jenë banorët e fshatit Zallë. Anuar Rizik u ekzekutua mëngjesin e së mërkurës në banesën e tij në Tiranë.