Arrestohet për trafik droge i dashuri i Çiljetës
Është arrestuar në Itali i dashuri i Çiljeta Xhilagës, Aleksandër Zaçaj. Lajmin e bën të ditur suplementi Bluetooth i Gazeta Shqiptare. Mësohet se Zaçaj është arrestuar në kuadër të një operacioni të quajtur Criminal Minds dhe që kishte në qendër një grup të trafikimit të lëndëve narkotike.
25 urdhër- arreste, 10 milionë euro të sekuestruara dhe 45 kontrolle në qytete të ndryshme të Italisë. Ky ishte rezultati i operacionit të policisë italiane. Operacioni gjigand kishte nisur që në vitin 2010 dhe ka përfshirë 150 forca policie.
Emri i Aleksandër Zaçajt u lakua për herë të parë në tetor të vitit 2010, shkruan Bluetooth, pasi mediat rozë nisën të flasin për lidhjen e tyre. Më pas emri i tij shfaqej gjithmonë kur kishte një intervistë me Çilin. Madje kjo e fundit pati deklaruar se do shkojë të jetojë në Londër me të. Së fundmi ishte përfolur një ndarje mes tyre, por këngëtarja nuk ka bërë komente.