E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasësit serialë, makthi amerikan

Më 20 dhjetor, në Bregun Perëndimor të Shteteve të Bashkuara, të pasionuarit pas mistereve kujtuan një "përvjetor" të rëndësishëm. Dyzet vjet më parë, Zodiaku filloi të linte shenjat e para të vdekjes, me dy vrasje. Më vonë do të pasonin edhe katër të tjera. Zodiaku ishte një vrasës serial, shumë i veçantë. Ndoshta tani ka përfunduar në ferr së bashku me misteret e tij, por vrasës të tjerë mizorë si ai vazhdojnë të ndjekin rrugën e tij.

Në këtë periudhë, sipas batutës cinike të një polici, "janë në punë gjashtë ose shtatë veta, përveç atyre që nuk njohim". Ata kryejnë vrasje në Kaliforni, në jug të Meinës dhe në plazhet e Floridës. Policitë vendase, me ndihmën e FBI-së, arrijnë t‘i gjejnë gjurmët e tyre dhe shpresojnë t‘i kapin duke bërë bashkë rrëfimet e prindërve dhe provat e mbledhura falë teknologjisë së laboratorëve. Ekziston një fjalë magjike, që e kanë mësuar edhe ata që pëlqejnë filmin "Crime Scene Investigation", e cila është ADN-ja. Ajo gjurmë mund të të ndihmojë, por jo gjithmonë është e mjaftueshme, sidomos nëse rastet e pazgjidhura kthehen shumë vite mbrapa.

"I fjeturi"

Debra Jackson është viktima e parë e vrarë më 1985-ën. E fundit është Janecia Peter, në janar të 2007-ës. Ishin prostituta zezake, ashtu si nëntë vajzat e tjera që u qëlluan nga një pistoletë me kalibër të vogël. Vdekja e tyre erdhi sepse përfunduan në duart e atij që e quanin "I fjeturi". Personazhi në fjalë quhej kështu sepse mendohet që për 13 vjet nuk e ushtroi zanatin e tij. Në 2002-shin iu rikthye sërish profesionit të vjetër. Krimet që lidhen me ADN-në janë arma dhe dëshmia. Cindy, që kishte shpëtuar për një fije peri, e përshkruan kështu: zezak, rreth të tridhjetave (bëhet fjalë për në vitet ‘80) dhe me një theks të çuditshëm.

Për kapjen e tij punonte "Task Force 800" e policisë së Los Anxhelosit. Ata krahasuan ADN-në me kampionët që gjendeshin në arkiv, por nuk gjetën asgjë. Nuk ishte i dënuar më parë, kështu që ofruan një shumë prej 500 mijë dollarësh. Hetimi filloi të merrte ngjyrime dramatike dhe në një farë mënyre filluan të dyshonin te një polic. Por pas vdekjes së agjentit, "I fjeturi" filloi të vriste sërish njerëz, kështu që agjentët kërkuan për pista të tjera dhe kjo nuk ishte e lehtë. Teoria e fundit ishte se duheshin kërkuar 3-4 vrasës, jo vetëm një. Agjentët mendojnë se 33 raste vrasjesh mund të jenë vepër e një killeri.

Palma dhe krime

Disa trupa u gjetën në një pyll në periferi të Fort Miers, në Floridën perëndimore. Ishin plot tetë skelete të rreshtuar njëri pas tjetrit. Të gjithë ishin meshkuj, të vrarë nga 1980-a deri në vitin 2000. Pasi ndërtoi fytyrat me ndihmën e një skulptoreje, policia shpërndau fotografitë se si mund të ishin. Duke krahasuar të dhënat e ADN-së u zbuluan emrat e dy të rinjve që kishin pasur jetë të vështira. Kjo ka bërë të mundur që të përjashtohet hipoteza e një varreze të mafies dhe ka forcuar dyshimin se tetë kufomat janë viktima të një vrasësi serial, ndoshta të Daniel Conahan, që ndodhet në burg për një tjetër krim.

Nën kazino

Pak metra larg kazinosë së Atlantic City, në një parking të shkretë pas një moteli dhe fast-foodi, ndodhen katër kryqe. Çdo njëri prej tyre përfaqëson një vajzë të vrarë. Vajzat shisnin trupat e tyre, por dikush vendosi t‘ua merrte jetët. Këto krime janë kryer duke filluar që prej 2006-ës, që presupozohet se e njeh mirë zonën. Policia është përpjekur të shohë në fashikujt e vjetër, për të gjetur ndonjë precedent ose lidhje dhe në pranga përfundoi një burrë, i cili ishte akuzuar edhe më parë për abuzime seksuale. Këto elemente nuk ishin të mjaftueshme për të vërtetuar përfshirjen e tij. Për këtë arsye hetimi filloi të bëhej në mënyrën klasike: ndjekja e tipave të dhunshëm, verifikime, kontrolle mbi personazhet e vëna në shënjestër. Agjentët që merren me çështjen e Atlantic City theksojnë se "nuk bëhet fjalë për një çështje të ftohtë. Ka qenë gjithmonë e hapur dhe ne vazhdojmë të punojmë". Por nuk përfundon me kaq. Një dorë anonime ka vënë një pusullë mes kryqeve të parkingut. Mbi të është shkruar një mesazh dhe pas një thënie e Biblës: "Do ta zgjidh këtë". Kush e ka shkruar? Një i çmendur? Një hakmarrës i rastësishëm i natës? Për policinë është thjesht një humbje gjurmësh nga vrasësi i vërtetë.

Dinakët

Mund të jenë gjashtë ose shtatë viktima maksimumi. Për tre nga ata bëhet fjalë për vrasje, ndërsa për të tjerët shkaqet e vdekjes mbeten për t‘u zbuluar dhe kushedi nëse agjentët do të arrijnë në ndonjë përfundim. Përgjatë Interstate 10, në Luizianën jugore vrasësit i lajnë kufomat e braktisura të viktimave (kryesisht vajza) me ujë, ose solucione për të larë dyshemenë. Kështu ato arrijnë të zhdukin çdo gjurmë të mundshme. Në disa raste edhe natyra transformohet në një bashkëpunëtore. Kush jeton në këto anë, e lejon veten të ndikohet nga e shkuara, duke kujtuar kriminelë të tjerë që janë përgjegjës për gjestet makabre. Atmosfera drithëruese, zemra gjakatare, personazhe që të sjellin ndërmend tragjedinë e "Nata e nxehtë e inspektor Tibsit", edhe pse filmi ishte përshtatur në Misisipi. Detektivët preferojnë të qëndrojnë me këmbë në tokë dhe vetëm disa prej tyre aludojnë për një vrasës serial. Kush është mësuar të bazohet në fakte, e di se ka shumë pak të tilla në dorë dhe nëse ekziston një vrasës serial, atëherë ata do ta kapin po të bëjë një gabim.

"Njeriu i pyjeve"

Është rreth 29 ose 30 vjeç, i njeh mirë pyjet, është i degjeneruar, ndoshta është kamionist, ose roje rruge. I pëlqen të peshkojë dhe të gjuajë, përdor drogë, është i prirur që të kryejë akte dhune te kafshët dhe njerëzit. Gjahu i tij i preferuar janë gratë latine, ose ato italiane me flokë të zeza e të shkurtra. Këto janë shenjat e para të profilit të të ashtuquajturit "Njeriu i pyjeve". Është ai përgjegjësi i katër grave të vrara në zonën e Jorkut, Mein, në lindje të Shteteve të Bashkuara. Gjithashtu nuk përjashtohet fakti se ka kryer vrasje të tjera edhe në shtetet përreth, ku numërohen shumë krime që kanë lidhje me ato të Mein. Ekziston një person, një përdhunues që i korrespondon profilit. Tani çështja është në duart e Stalk, një ekip që i ngjan protagonistëve të telefilmit "Criminal minds". Pjesëtarë të saj janë një agjent vrasjesh, një psikiatër, një psikolog, një ekspert i krimeve seksuale dhe një kriminolog. Ata shpresojnë se janë më të zotë sesa i pakapshmi "Njeriu i pyjeve".



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›