E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja, SMS kërcënuese në celular

 

SHKODER

Para se të ekzekutohej, biznesmeni Esat Valbona është kërcënuar me anë të mesazheve në telefon. Verifikimi i celularit të viktimës nga ana e hetuesve që po tentojnë të zbardhin krimin e ndodhur të enjten në Shkodër ka nxjerrë këto fakte të reja.
Ndonëse për hir të çështjes nuk bëhet e ditur përmbajtja e tyre, grupi hetimor ka kërkuar nga kompanitë celulare identifikimin e personave që kanë lëshuar kërcënimet. Sipas burimeve mësohet se, bëhet fjalë për një hark kohor prej pak javësh para ngjarjes së 15 majit, por duket se asnjë prej këtyre mesazheve nuk është marrë parasysh prej 47-vjeçarit Valbona, i cili lëvizte nëpër qytet njësoj si më parë. Ekzekutimi i tipit mafioz për biznesmenin e inerteve, i ardhur nga Tropoja prej vitesh në qytetin e Shkodrës ka bërë që një prokuror dhe një oficer i Krimeve të Rënda të udhëtojnë nga Tirana drejt veriut. Ata do të shqyrtojnë dokumentacionin e siguruar deri tani nga policia e Prokuroria e Shkodrës mbi vrasjen e Valbonës, pistat dhe ekspertizën mbi mënyrën e kryerjes së krimit. Në bazë të këtyre të dhënave, pritet të përcaktohet nëse hetimi për vrasjen do të kryhet ose jo në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë. Ndonëse, ende nuk është dalë në një pistë mbi shkaqet që çuan në atentatin ndaj 47-vjeçarit, e gjithë skena e krimit, rindërtuar mbi ato pak të dhëna të mbrëmjes së të enjtes së shkuar, e rendit ekzekutimin në atë të kryer nga një vrasës me pagesë. Policia ka pohuar se autori ka qenë në një makinë në momentin kur ka qëlluar. Gjatë pyetjeve të dëshmitarëve, ata kanë kujtuar vetëm një detaj, që më vonë e kanë lidhur me krimin ndaj biznesmenit. Ata kanë pohuar se një makinë ka qëndruar për pak sekonda pranë lokalit, ku kanë mësuar se ishte qëlluar Esat Valbona. Dëshmitarët janë shprehur se rruga ku ndodhi vrasja është me një kalim dhe një makinë e parkuar në krah të kundërt u ka bërë përshtypje, por pa u përqendruar në llojin e saj. Sipas policisë, kjo tregon se atentatori ka qëlluar në shënjestër jo më larg se 7-8 metra, me një armë sportive. Plumbi i gjetur në trupin e viktimës përcaktoi dhe llojin e armës, që për policinë mund të përdoret nga profesionistë në qitje. Vrasja e Valbonës dhe misteri që e ka mbuluar është cilësuar si e para në llojin e saj nga ana e policisë së Shkodrës. Për këtë arsye, në ndihmë të saj kanë shkuar grupe ekspertësh të kriminalistikës si dhe të Prokurorisë së Krimeve të Rënda. As familjarët e viktimës nuk kanë ndihmuar dot hetimin, pasi sipas tyre, 47-vjeçari nuk kishte konflikte me ndonjë person që mund ta cilësojnë si organizator të vrasjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›