Vrasja e 19-vjeçarit, realizohet identikiti

"Deri më tani dyshohet se kemi të bëjmë me një vrasës me pagesë"
DURRËS - Policia ka bërë një sërë shoqërimesh për të saktësuar dhe gjetur mundësinë e identifikimit të autorit të vrasjes së 19-vjeçarit Mario Curri. Pak orë pas ngjarjes së përgjakshme, në Durrës kanë arritur ekspertët e Krimeve të Rënda nga Tirana dhe kanë ndërmarrë një sërë veprimesh të shpejta për të mundësuar zbardhjen e krimit tronditës.
Fillimisht janë shoqëruar pronarët e dyqaneve të ndodhura në afërsi të vendngjarjes, por shumica e tyre kanë deklaruar se nuk e kanë parë dhe se pasi kanë dëgjuar krismat e armës, u janë larguar për vetëmbrojtje hapësirave ku mund të rrezikoheshin nga plumbat e rastit. Më të qartë në dëshmitë e tyre kanë qenë personat që ndodheshin në trotuarin përballë në momentin e qitjes me armë zjarri kundër viktimës 19-vjeçar.
Dëshmitë Sipas burimeve të besuara, numri i të shoqëruarve i kalon të 35 personat dhe megjithëse deri tani është mbajtur heshtje e plotë për shkak të hetimeve intensive që po bëhen dhe ruajtjes së sekretit të hetimor, policia ka arritur që të bëjë identikitin e personit që dyshohet si autor i vrasjes së mundshme të Marios. Mësohet se dëshmitarët kanë dhënë detaje mbi gjatësinë e tij, e cila ka qenë afërsisht rreth 180 cm dhe me pak bark.
Vrasës me pagesë Duke qenë se nuk është arritur që të piketohet tërësisht se kush është identiteti real i autorit, si dhe mënyra e largimit pa iu trembur publikut të shumtë që ka pasur në momentin e ekzekutimit, të gjitha gjasat e deritanishme janëse ai është një vrasës profesionist me pagesë.
Sipas ekspertëve të policisë, këtë dyshim e përforcon edhe mënyra e kryerjes së ekzekutimit mafioz të 19-vjeçarit i cili mendohet se është bërë edhe me mbështeteje në distancë nga të
tjerë, aktorë të kësaj drame të përgjakshme në prapaskenë.
Të gjitha hipotezat, thonë specialistët të çojnë në konkluzionin se vrasja është bërë nga profesionistë, pasi goditja e parë ka qenë vdekjeprurëse dhe shumë afër, si dhe goditjet e tjera kanë qenë të gjitha në trupin e viktimës, pa dëmtuar askënd megjithëse rruga dhe trotuari në afërsi ka qenë i mbushur me njerëz.
Largimi i autorit drejt rrugës kryq, në drejtim të ish-tregut industrial me qetësi, ku e priste edhe mjeti për ta larguar nga skena e krimit, tregon se
ishte piketuar në detaje afrimi dhe vendi i ekzekutimit të 19-vjeçarit.
Policia shkencore ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale gëzhojat e gjetura në trotuar në afërsi të viktimës dhe analizuar gjurmët e mundshme gjatë mbushjes së karikatorit të pistoletës, gjë që mund të sqaronte shumë mbi autorësinë, por të dhënat e rezultatit të arritur për këtë janë pjesë e sekretit hetimor.
Dyshimet Ka pista hetimi se autori i vrasjes mund ta ketë njohur viktimen, i cili nuk është druajtur prej tij, por edhe një dyshim se viktima është ftuar për të shkuar diku dhe kjo për ta nxjerrë ne rrugë me qëllim që ta eliminonin sa më me lehtësi sipas
skenarit të parapërgatitur nga organizatorët.
Për këtë po kontrollohen edhe tabulatet telefonike në të cilat mund të saktësohet ndonjë konflikt i vetë personit ose bisedat e bëra prej tij me të tjerë që kanë lidhje me skenën tragjike të vrasjes së pamëshirshne vetëm pak ditë para largimit në Itali ku dhe kishte lindur e banonte.
Më datë 28 janar 19-vjeçarit iu vra babai dhe djali i xhaxhait, teksa rreth një vit më parë ishte ekzekutuar xhaxhai. Në muajin shkurt vëllai i tij përfundoi në pranga pasi u përfshi në një grindje ku mbeti i vrarë me armë një 17-vjeçar.