E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi kthen në Kuvend "Pronat"

Sipas presidencës ndryshimet në ligj cënojnë rëndë Kushtetutën e vendit

Presidenti Bamir Topi nuk dekreton ligjin për pronat dhe e kthen atë për rishqyrtim në kuvend. Në faqen zyrtare të presidencës bëhet e ditur se shkak për kthimin mbrapsht të ligjit nr. 10308, datë 22.07.2010 "Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 9235, datë 29.07.2004 "Për kthimin dhe kompensimin e pronës", të ndryshuar" është antikushtetueshmëria.


Sipas kreut të shtetit e drejta e pronës dhe e gëzimit të saj është një nga kolonat bazë të funksionimit normal të një shoqërie demokratike dhe se garantimi i saj do të konsolidonte zhvillimin e shoqërisë shqiptare.


"Me qëllim që zgjidhja e ofruar të jetë sa më pranë standardeve të të drejtave të njeriut dhe atyre kushtetuese, vendosa ta kthej ligjin edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend, për shkakun se gjykoj se ka vend të rishikohet, si përsa i përket kushtetutshmërisë së tij, por edhe për ta bërë atë efektiv dhe të zbatueshëm," thuhet në sqarimin e presidencës.


Kreu i shtetit sqaron se është detyrë e Kuvendit, sipas Kushtetutës, të nxjerrë ligje për rregullimin e drejtë të çështjes së pronës, të shpronësuar dhe konfiskuar padrejtësisht nga regjimi komunist, por është kushtetuta e cila detyron Kuvendin dhe më tej të gjitha strukturat e shtetit që të bëjnë rregullime ligjore për të garantuar të drejtën e pronës private.


Sipas institucionit të presidencës, nëpërmjet ndryshimeve që kërkohen të
bëhen në ligjin për pronat, cenohet rëndë edhe siguria juridike duke i dhënë mundësinë A.K.K.P-së të rishikojë vendime të ish-komisioneve për kthimin dhe kompensimin epronave dhe për më tepër edhe t'i shfuqizojë ato.


Kjo sipas presidentit i heq pronarit mundësinë e të gëzuarit të pronës së tij i qetë dhe sigurt për një të drejtë të fituar në përputhje me normat kushtetuese dhe ligjore. "Rregullimi ligjor i propozuar cenon parimin e sigurisë juridike, parim ky i përshkruar në nenin 4 të Kushtetutës", thuhet në njoftimin zyrtar të presidencës.


Njëkohësisht sipas presidencës ligji i ri është në shkelje të neni 1, të Protokollit 1 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, dhe me jurisprudencën e Gjykatës sëStrasburgut, ku Shqipëria është përballur në një numër rastesh për respektimin e tyre, sipas së
cilës e drejta e pronës nënkupton jo vetëm njohjen dhe garantimin e saj, por, edhe detyrimin e shtetit që në rast të pamundësisë së përmirësimit të standardit të mbrojtjes së pronës apo të drejtave të fituara, së paku, të ruajë standardin e krijuar dhe të ofrojë siguri për ruajtjen e tij, Presidenca bën me dije se vendimi i kreut të shtetit për të rrëzuar ligjin e pronave dhe kthimin e tij në parlament për rishikim u bazua edhe në mendimin e Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.


Kjo gjykatë është shprehur se vendimet e A.K.K.P-së për të shfuqizuar vendimet e K.K.K.P-ve, përbëjnë cenim të parimit të sigurisë juridike. Sipas gjykatës vendimi i KKKP-së, i cili nuk është ankimuar brenda afateve ligjore merr formën e prerë.


" Vlerësoj se, jo vetëm për shkak të mospërputhshmërisë së ligjit me Kushtetutën, vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe jurisprudencën e Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut, por edhe sepse neni 132 i Kushtetutës ka përcaktuar se vendimet e Gjykatës Kushtetuese kanë fuqi detyruese të përgjithshme dhe janë përfundimtare, ligji i ardhur për shpallje ka nevojë për rishikim,-përfundon sqarimi i presidencës rrëzimin e ligjit të pronave. Rrëzimi i këtij ligji është shënon një tjetër përplasje mes presidentit Topi dhe mazhorancës.


Më parë kanë qenë deputetët e pozitës të cilët rrëzuan dekretet e kreut të shtetit, ndërkohë ky i fundit kërcënoi deputetët e djathtë se nuk do të dekretonte ligjin e SHISH.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›