Në veri të Mitrovicës arrestohet një serb për të shtëna me armë

Mitrovicë, 13 gusht – S.M. (39) është arrestuar nga Policia e Kosovës për të shtëna me armë zjarri në veri të Mitrovicës, kanë njoftuar zyrtarë të policisë në Mitrovicë. S. M. nga fshati Zherovnicë të komunës së Zveçanit, është arrestuar mbrëmë, pasi që nga makina e tij, që ishte në lëvizje, ka shtënë me armë zjarri disa fishekë në ajër, ka thënë nnënkoloneli Ergin Mediq. Sipas tij, “i dyshuari është arrestuar në territorin e komunës së Zveçanit për shkak të veprës penale shkaktim të rrezikut të përgjithshëm”. Me qëllim të eliminimit të këtyre rasteve dhe rrezikut për jetën e qytetarëve, policia do të vazhdojë me planin e veprimit për parandalimin dhe ndalimin e të gjitha rasteve të të shtënave, qoftë në dasma, ahengje apo edhe në raste tjera, ka thënë i dyti i policisë së Kosovës për rajonin e Mitrovicës.