E Diel, 1 Nëntor 2026

Vrasja e Brocit dhe Hajdarit, pyetjet për Berishën

Dëshmia e Nafiz Bezhanit, avokat i familjeve për procesin e 2 prillit dhe letra që i dërgonte kryetarit të PD-së. Akuzat e tij për ndërhyrjen e qëllimshme të politikës për të mos zbardhur vrasjen e Arben Brocit në Shkodër dhe të Azem Hajdarit në Tiranë

Lidershipi i Partisë Demokratike ka qenë i interesuar të fshehë të vërtetën për ngjarjet më të rëndësishme që kanë ndodhur në Shqipëri pas vitit 1990. Akuzën e ka bërë avokati i ndjerë Nafiz Bezhani, i cili ishte caktuar nga PD-ja të bënte avokatin e familjeve të dëshmorëve të masakrës së 2 prillit 1991 në Shkodër dhe në gusht 1997 votohej nga e majta si Kryetar i Komisionit Shtetëror për Kontrollin e Figurave. Avokati i referohej një letre të gjatë që i kishte dërguar kryetarit të PD-së, Sali Berisha, në vitin 1999, ku e pyeste se pse nuk kishte kërkuar hetim të pavarur për vrasjen e ish-liderit të dhjetorit, Azem Hajdari dhe pse nuk kishte ndikuar, siç bëri me vrasjen e Arben Brocit në 1991, që familja Hajdari të përfaqësohej me një avokat në gjyq. Avokati Bezhani, kujton këtu edhe pengesat dhe manipulimet që PD-ja i bëri procesit të zbardhjes së të vërtetës për masakrën e 2 prillit 1991 dhe këmbënguljes vetëm për përfitime politike nga gjaku i martirëve.Z. Bezhani, ashtu siç e thekson edhe vetë në pjesën e fundit të trilogjisë “Mëkatarët”, nga është shkëputur dëshmia e mëposhtme, prej disa vitesh gërmoi sekretet e dosjeve të spiunëve të Sigurimit të Shtetit dhe të persekutorëve që përndoqën atë, familjen e tij dhe mijëra shqiptarë të tjerë. Por, siç nënvizon vetë avokati, ndërsa largonte 104 funksionarë të lartë nga detyra, sepse kishin rezultuar bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, ai shikonte me hidhërim se si qeveritarët e rinj të lidhur me trafiqet bënin biznese në vend, pra jo duke përjashtuar “mëkatarët” nga pushteti, por duke i shtuar ata. Dëshmia e Bezhanit vjen sot, kur PD-ja ka vendosur të miratojë në Kuvend një ligj për “Spiunët”, i cili, sipas ekspertëve, nuk e pastron administratën, por i shërben partisë në pushtet që të kënaqë ambiciet e saj, për të pasur sa më shumë pushtet në institucionet e pavarura kushtetuese dhe për të vënë nën trysni segmente të drejtësisë që kanë në duar dosjet korruptive të zyrtarëve më të lartë të qeverisjes 3-vjeçare të PD-së

Dëshmia e avokatit Nafiz Bezhani

“Kur u ngarkova me detyrën e avokatit mbrojtës të katër familjeve të dëshmorëve të demokracisë, të vrarë në 2 prill 1991, shumë shokë dhe miq e quajtën të nxituar vendimin tim dhe më qortuan. Në fakt, unë e kisha të qartë se në këtë proces nuk ndeshej drejtësia me krimin, por opozita me pushtetin, pra unë do të isha para një lufte të egër politike. Por unë e pranova këtë detyrë, duke deklaruar publikisht se nuk do të bëhesha lodër e politikës, por do të ushtroja rolin e avokatit mbrojtës në rrugët që më njihte ligji me korrektësi dhe profesionalizëm. Edhe pse në grupet hetimore ishin përfshirë shumë hetues me eksperiencë, ata nuk ishin lejuar të vepronin lirshëm, në zbatim të ligjit, për të arritur në zbulimin e së vërtetës mbi këtë ngjarje, por u ishin dhënë drejtime të caktuara që, në fakt, u bënë pengesë për zbulimin e së vërtetës. Duke kujtuar disa nga procesverbalet hetimore kryesore, apo aktet e ekspertizës, të quajtura “shkencore”, nuk mund të gjeje të provuar asgjë tjetër, veç kërkesat e politikës, që këmbëngulte me çdo kusht që të provohej se vrasja e Arben Brocit dhe Nazmi Kryeziut, ishte bërë me automatik “Kallashnikov” të qëlluar nga dezhurni i Komitetit të Partisë. Me konkluzione të tilla, kërkohej penalizimi i Partisë së Punës, për të gjithë këtë masakër. Personalisht e quaj një mendim naiv kërkimin e rrugëve të tilla për të fajësuar një parti. Fajësia e kësaj partie mund të rezultonte edhe në qoftë se dy të vrarët nuk janë qëlluar nga dera e Komitetit të Partisë, njëlloj siç mundet të mos rezultonte fajtore ajo, në qoftë se provohet që ajo është qëlluar nga dera e saj. Për të provuar fajësinë, duhet të kërkohet hetim profesional, i drejtë, i ligjshëm, pa ndërhyrjen e politikës, pa dhënë orientime të tilla ordinere, që bëjnë shumë të ndërlikuar hetimin e çështjes. Pasi lexova dosjet hetimore, vendosa të futem thellë, aty ku për fat të keq nuk ishte futur hetuesia. Nëpërmjet librit të shërbimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, për dt. 2 prill 1991, u njoha me bisedat telefonike që ishin kryer, midis kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme në Shkodër dhe me udhëheqjen e Ministrisë, si dhe me njoftimet që kishte bërë nëpërmjet telefonit kjo ministri, për Kryetarin e Këshillit të Ministrave. Gjithashtu munda të marr protokollin e mbledhjes së Byrosë Politike të PPSH-së, për analizën që i kishte bërë ngjarjes, të cilat krijuan tek unë një vizion pak a shumë të saktë për çështjen.

Në të gjithë këtë dokumentacion, për mendimin tim, mungonte një nga veprimet ligjore të rëndësishme dhe të domosdoshme që, pa dyshim, do të ndihmonte shumë, në orientimin e saktë të hetimit: mungonte eksperimenti hetimor, që duhej të bëhej, të paktënpër vrasjen e Arben Brocit dhe Nazmi Kryeziut. U habita për këtë mungesë. Si mundet vallë, të mos bëjnë asnjë eksperiment hetimor, për një tragjedi kaq të madhe?! Praktika jonë hetimore ka treguar se edhe kur përplasen dy makina, ekspertët do të shkojnë për të kontrolluar vendin e ngjarjes dhe në të shumtën e rasteve bëjnë edhe eksperimentinhetimor për të përcaktuar fajësinë. Po në Shkodër që u bë “kasaphanë” tronditëse, përse të mos bëhej asnjë eksperiment hetimor? Duke e konsideruar të rëndësishme dhe të qëllimshme këtë mungesë, i kërkova hetuesisë që të bënte menjëherë, të paktën një eksperiment hetimor, atë të vrasjes së Arben Brocit. Për këtë qëllim bisedova me të ëmën e Arbenit, për t’i marrë përkohësisht pantallonat që mbajnë shenjat e plumbit vdekjeprurës, sigurova edhe një listë me disa nga ish-demonstruesit e vijës së parë, që kishin parë qartësisht vrasjen e Arbenit, dhe mund të përshkruanin vendin dhe pozicionin e vrasjes së tij, me qëllim që të vendosej manekini në pozicionin ekzakt të vendit të vrasjes së Arbenit. Një organizim i tillë i eksperimentit hetimor do të tregonte saktësisht rrugën nga kishte ardhur plumbi vdekjeprurës, duke përcaktuar kështu edhe pistën e saktë të vazhdimit të hetimit. Por, hetuesia nuk e përfilli kërkesën time. Mora vesh se ishte ndërhyrja e një politikani, i cili kishte mbetur shumë i pakënaqur nga propozimi që kisha bërë unë. Në këto kushte iu drejtova personalisht Prokurorit të Përgjithshëm me një letër të hapur, të botuar në organet e masmedias. Por as ai nuk m’u përgjigj. Por, procesi më qesharak që kam parë në atë dosje, është ekspertiza balistike, e kryer nga një i ashtuquajtur “shkencëtar”, ku tregohet flurudha e plumbave që kanë vrarë dy dëshmorët, në një rrugë të jashtëzakonshme. Sipas tij, plumbi i dalë nga automatiku “Kallashnikov”, pikërisht nga dritarja e dezhurnit të Komitetit të Partisë së Rrethit, është përplasur në rrugë dhe ka bërë rikoshetë, duke u ngritur përpjetë, duke e goditur Arbenin në bel, pastaj është ulur disa centimetra poshtë barkut. E njëjta gjë paska ndodhur edhe me vrasjen e Nazmi Kryeziut. E gjithë kjo bëhet për të plotësuar dëshirën e politikës, se plumbat vdekjeprurës janë nisur nga dera e Komitetit të Partisë. Këto konkluzione, janë jo vetëm absurde, por edhe shumë të dëmshme për suksesin e hetimeve. Procesi i 2 prillit në Shkodër u trazua nga politika me qëllimet e saj të mbrapshta. Për mendimin tim, ai proces ka pasur shumë shanse të mira për t’u zgjidhur shpejt dhe drejt. Çelësi ka qenë pikërisht eksperimenti hetimor i kërkuar nga unë. Me siguri që ai eksperiment hetimor nuk do t’i çonte hetuesit në ndonjë derë, siç i çoi “eksperti”, apo politika, por në një dritare nga është qëlluar, jo me “Kallashnikov”, por me snajper të prerë në majë, për të shtuar efektin goditës. E, pasi të ishte gjetur kjo dritare, ishte lehtë, shumë lehtë, për të ecur lirshëm më në thellësi të ngjarjes. Por nuk deshi politika. Edhe kur unë këmbëngula, nuk munguan kërcënimet dhe fyerjet, duke më thënë publikisht: “avokat i persekutorëve”.

Ngjarja tjetër tragjike, mbi të cilën ende nuk është hedhur dritë e plotë, është vrasja e pabesë e deputetit Azem Hajdari, një nga liderët kryesorë të Partisë Demokratike. Nuk mund të mos mbetesh i habitur, kur pas pak minutash nga vrasja e tij u deklaruan publikisht vrasësit, ndërsa organet e drejtësisë nuk vepruan. Për pasojë, në vazhdim, kjo ngjarje tragjike u përdor për destabilizim të vendit dhe për luftë të egër politike. I shqetësuar shumë për mundësinë e krijimit të ngjarjeve të parashikuara, si jurist me eksperiencë dhe si ish-i përndjekur politik, më 24 tetor 1999 iu drejtova me një letër të gjatë zotit Berisha. Mes të tjerave thosha: “Për zbardhjen e çështjes “Hajdari”, nuk kam të qarta disa probleme, për të cilat mendoj se janë në kompetencat tuaja. Do të isha i lumtur, në rast se ju do t’i vlerësonit kërkesat e mia dhe do të më jepni përgjigjen e nevojshme.

1. Pas vrasjes së zotit Azem Hajdari, në postin: zv/prokuror i Përgjithshëm ka qenë zoti Gani Dizdari, jurist i vjetër dhe penalist me eksperiencë, me origjinë nga Tropoja, mesa jam informuar, gjithashtu miku juaj dhe i zotit Hajdari. Po kështu, prokurori i Gjykatës së Apelit të Tiranës ka qenë zoti Neshat Fana, miku juaj, pa përmendur pastaj shumë prokurorë të tjerë, simpatizantë të deklaruar të Partisë Demokratike. Atëherë, zoti Berisha, duke pasur gjithë këto kushte të favorshme, përse nuk i kërkuat Prokurorisë së Përgjithshme që çështjen “Hajdari” t’ia besonte një ekipi të propozuar nga ju? (Kuptohet lehtë zoti Berisha, se ju nuk ishit i interesuar për ta zgjidhur shpejt këtë çështje, për shkak se e kishit si bazë të fortë të politikës kundër pushtetarëve. Por jo, zoti Berisha, drejtësia duhet të bënte punën e saj dhe ju personalisht duhet ta kishit ndihmuar atë).

2-Për ngjarjet e 2 prillit 1991, në Shkodër, ju, zoti Berisha, këmbëngulët që familjeve të dëshmorëve të demokracisë t’u jepej e drejta për t’u përfaqësuar me avokatë në gjykimin e çështjes, ndonëse në atë kohë nuk kishte ligj të tillë. Por sot, një të drejtë të tillë e kemi të sanksionuar në Kodin e Procedurës Penale. Atëherë pse nuk ndikuat edhe në familjen Hajdari, që të kishin edhe ata përfaqësuesin e tyre gjatë hetimeve, si dhe në gjykimin e çështjes? (Edhe kjo është e qartë, zoti Berisha, ju ishit për bojkotim të plotë të hetimeve. Por edhe në këtë rast se ju e keni pasur gabim, Drejtësia duhet të bënte punën e saj, pavarësisht nga interesat e politikës tuaj). Por, ajo që kishte rëndësi të veçantë në zbardhjen e çështjes “Hajdari”, ka qenë mundësia e dëshmisë së zotit Neza, i mbijetuar nga kjo ngjarje tragjike, i vetmi dëshmitar okular që mund t’i shërbente zbulimit të atyre që kryen ekzekutimin e dy të vrarëve dhe plagosjen e tij. Por kjo provë e vetme u zhduk misteriozisht. U tha se ishte dërguar në Turqi, me gjithë familjen e tij për t’u kuruar. Po pastaj? Mijëra e mijëra dollarë u shpenzuan për ta mbajtur të fshehur atë…”.  

Spiunët në administratë

“Përzura 104 zyrtarë, por kur u shtuan shumë të tjerë”

Kam pasur fatin të jem, ndoshta, një nga njerëzit e paktë, i autorizuar nga Kuvendi për të “gërmuar” në të gjitha arkivat e shtetit, duke përfshirë edhe ato “top secret”, për të zbuluar “mëkatarë” që kanë depërtuar në poste drejtuese të shtetit dhe për të vendosur largimin e tyre nga ato funksione, pra për të bërë pastrimin e shtetit nga mëkatarët. Punova për afro pesë vjet, duke zbatuar me korrektësi ligjin. Zbulova dhe largova nga detyrat e larta shtetërore 104 funksionarë të lartë. Por, nga analiza e logjikës sime, buroi një pyetje e vështirë, së cilës ende nuk i kam dhënë përgjigje: “Vallë, çfarë bëra unë për të shpëtuar këtë popull nga mëkatarët?”. Oh, sa keq! Kur unë gërmoja për të gjetur “farërat e kalbura” të një shteti rrënojë, në truallin e shtetit të ri, të quajtur demokratik, po mbillej fara e “kanabis sativa” dhe fara të “bimëve” të tjera të këqija, që kalonin mbi Adriatik me urën e madhe të skafeve. Ndërsa në vendet më të bukura filluan të hedhin shtat vilat e gratacielat, që nëpër kafene nuk pushonin thashethemet se është e x ministri, ajo e y deputeti. Shikoja me keqardhje “Babiloninë” e pafund të këtij shteti, të krijuar nga “mëkatarë” të rinj dhemë dukej vetja sikur luftoja edhe unë si Don Kishoti me mullinjtë e erës, më dukej vetja si një “kukull” në teatrin dramatik të mafiozëve. E pashë veten fare të pafuqishëm për të bërë diçka të mirë dhe prandaj u vetëshkarkova nga detyra e Kryetarit të Komisionit Shtetëror të Kontrollit të Figurave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›