Kreshnik Qato, sërish kampion bote
Boksieri shqiptar Kreshnik Qato u shpall dje kampion bote për peshat e mesme në versionin WBF, duke mundur amerikanin David Estrada. Ndeshja u zhvillua në Hauard të Uashingtonit dhe u ndoq nga qindra shqiptarë që jetojnë e punojnë në Amerikë, të cilët gjatë gjithë duelit kanë mbështetur nga afër boksierin kuqezi. Ky sukses i Qatos ka sjellë një entuziazëm të madh te shqiptarët e pranishëm, të cilët kishin ardhur nga disa qytete të Amerikës dhe kanë festuar gjatë me flamujt kuqezi këtë triumf. Kjo ishte hera e parë që një boksier shqiptar duelonte për titullin kampion bote në Amerikë, duel i cili u mbyll me një fitore të merituar të boksierit shqiptar, që tregoi epërsi ndaj rivalit të tij Estrada, falë një teknike më të mirë.
Pas fitores, boksieri shqiptar Kreshnik Qato tha: "Kjo ishte ndeshja më e bukur në karrierën time sportive. Arrita të fitoj, një triumf që ia dedikoj të gjithë shqoptareve në botë, atyre që janë këtu dhe më kanë mbështetur, flamurit kuqezi, kompanisë "Yldon" dhe promotorit tim Ylli Ndroqi." Edhe pas kësaj fitoreje, Qato duket se nuk ka ndër mend të ndalet në "aventurën" e tij botërore, duke kërkuar të tjera duele, të cilat natyrisht do të jenë në mbrojtje të gjerdanit të kampionit të botës, në kategorinë WBF. "Mendoj se së shpejti do të nis një tjetër detyrë e vështirë, ajo e mbrojtjes së titullit dhe për këtë do të nis nga puna menjëherë," - tha Qato për mediat pas ndeshjes dhe më pas ka nisur të festojë fitoren bashkë me të pranishmit. Për t'u veçuar fakti që dueli i djeshëm i Qatos ndaj Estradës u ndoq nga zv.ambasadori shqiptar në Amerikë, Kreshnik Çollaku.