E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e “Dodës”, dyshohen incidentet e kohës së Kosenit

 

ELBASAN/ ALDO KOZARIA

Ekzekutimi i ish-badigardit të Kosenit, Roland Rexhepi, apo siç njihej ndryshe me nofkën “Doda” është drejt zbardhjes. Burime të policisë së Elbasanit bënë të ditur se janë afër identifikimit, por për efekt të hetimeve nuk jepen detaje të mëtejshme. Hetimi për momentin është përqendruar në provat kyçe që disponon policia, që janë maska e autorit dhe skafandra e personit që e priste atë me një motor pak metra larg vendit ku u vra 42- vjeçari. Maska dhe skafandra, por edhe gëzhojat në vendin e ngjarjes i kanë kaluar për ekspertim laboratorit të kriminalistikës në Tiranë. Mësohet se për hetimin e kësaj çështjeje kanë mbërritur edhe ekspertë të krimeve të rënda të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë. Ata kanë bashkëpunuar me grupin e hetimit të përbashkët të policisë e Prokurorisë së Elbasanit. Rreth mesditës së djeshme, janë shoqëruar rreth 15 persona të cilët mund të kenë dijeni për ngjarjen. Pasi janë marrë në pyetje dhe u janë fiksuar gjurmët e gishtave, ata janë lënë të lirë. Pas ngjarjes e deri dje pasdite policia bëri të ditur se ka kryer kontrollin e rreth 400 makinave në hyrje-daljet e Elbasanit, por edhe në rrethinat e Librazhdit apo Peqinit. Gjithashtu, në pyetje janë marrë dhe të afërm të viktimës, të cilët mund të ndihmojnë policinë në zbulimin e autorëve. Por policia nuk dha të dhëna në lidhje me dëshminë e tyre. Një provë tjetër mjaft e rëndësishme, e cila po hetohet intensivisht është edhe motori me të cilin janë larguar autorët. Dëshmitarët e ngjarjes kanë deponuar se motori ishte me ngjyrë të zezë dhe me targë. Asnjëri prej tyre nuk ka mundur të fiksojë targën, por ekspertët që janë duke u marrë me hetimin bënë të ditur se ka nisur verifikimi i të gjitha targave të motorëve në ngjyrë të zezë, çka mund t’i çojë ata tek ndonjë person, ku më pas të mund të bëhet edhe lidhja ndërmjet ndonjë konflikti të mundshëm të poseduesit me 42-vjeçarin Rexhepi. Një provë tjetër janë edhe disa fije floku, që janë gjetur në mjetin e braktisur në vendngjarje. Burime të policisë bënë të ditur se një ndër pistat në të cilat është përqendruar hetimi është e kaluara e Rexhepit, kryesisht periudha 1998-2001 kur ai ka qenë badigard i ish-drejtorit të policisë së Elbasanit, Edmond Koseni. “Doda” ka pasur mjaft incidente gjatë kësaj periudhe me persona të ndryshëm, “të fortë” në Elbasan. Nuk përjashtohen as pista të tjera që kanë të bëjnë me detyrën si agjent i antidrogës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›